Të duash atë që bën, puna në librari të ndryshon jetën

14 Janar, 2019 - 8:57 pm

Të gjesh një punë që bën me dashuri është fat i madh. Jo të gjithë ia arrijnë. Shpesh zgjedhim profesione që nuk na përmbushin shpirtërisht, por na sigurojnë financiarisht; herë të tjerë nuk kemi as luksin e zgjedhjes; ndokush tjetër thjesht qëllon të nisë një punë që më vonë i bëhet rutinë. 


Për ata që i duan librat, puna në shtëpi botuese, revista letrare apo librari është mrekulli.
Sigurisht, puna mbetet punë, sidomos kur flasim për ndërmarrjet e prodhimet të librit, kur ndonjëherë lodhjet dhe kokëçarjet janë aq të mëdha sa e humb kënaqësinë e leximit. Por produkti final të kujton se pse e ke zgjedhur këtë profesion. 
Puna në librari është e mrekullueshme. Sigurisht, përballesh me klientë të pasjellshëm, pagesat nuk janë edhe aq të mira, por ke kaq shumë përfitime të tjera….

Të kujton se pse i do librat


Puna në librari do të thotë shitje librash. Të jesh një tregtar i suksesshëm duhet që së pari të njohësh produktin që shet. Kjo të nxit të lexosh, edhe libra që më parë mbase nuk do të të nxitnin asnjë interes. Jo të gjithë njerëzit që hyjnë në librari i kanë idetë e qarta se çfarë duhet të blejnë dhe shpesh personit përballë i kërkohet rekomandim. Pikërisht kjo të shtyn të bëhesh më kritike; të mendosh se pse i do disa libra dhe pse nuk të pëlqejnë ca të tjerë.

Të zgjeron horizontin 


Siç e trajtova më sipër, puna në librari të nxit të lexosh libra që më parë nuk i kishe konsideruar kurrë për shumë arsye. Njoh njerëz që nuk kishin lexuar kurrë libra për adoleshentë, por puna me librat i nxiti t’u jepnin një shans dhe nuk u zhgënjyen.

Lexon shumë më tepër se më parë 


Kjo është e sigurt. Ndonjëherë madje mund të të duket sikur të paguajnë për të lexuar. Ke më shumë kohë dhe alternativa pa fund. Dhe më e bukura, përveç klasikëve apo librave që ke dashur gjithnjë të lexosh por nuk ke mundur për arsye objektive, ke mundësinë të lexosh të gjitha botimet e reja, që sigurisht nuk do të mund t’i përballoje financiarisht.

Dhe e fundit, puna në librari do të të mësojë të kesh më shumë respekt për librin, të kujdesesh për të dhe t’i sistemosh raftet me shije./ Elona Qose

Të ngjajshme