16 Tetor, 2018 - 9:39 pm
Prej 18-22 tetor 2018, në Tetovë dhe në Pogradec do të mbahet edicioni i 22-të i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”.
Ate do ta karakterizoj një program i ngjeshur letrar, artistik dhe kulturor. Në te do të mbahen katër lexime letrare, do të promovohen 5 libra të rinj të shtëpisë botuese “Ditët e Naimit”, si dhe do të bëhen vizita të ndryshme në monumentet kulturore, historike dhe fetare në qytetin e Tetovës dhe ate të Pogradecit.
Në Edicionin e 22-të të Festivalit Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit” marrin pjesë poetë nga vende të ndryshme të botës, si: Beat Brechbuhl (Zvicër), Gerry van der Linden (Holandë), Kristian Guttesen (Islandë), Gloria Sofia (Portugali), Elizabeth (Malta), Marisol Bohoruez (Kolumbi), Eliza Segiet (Poloni), Licilla Trapazo (Zvicër), Rokiah Hashi (Malajzi), Primozh Repar (Slloveni), Natalia Trevino (SHBA), Moan Shalaba (Izrael), Gema Bocardo (Spanjë), Jon Hoyer (Danimarkë), Giuseppe Napolitano (Itali), Noah Avala (Porto Riko), Silke Liria Blumbach (Gjermani), Elena Prenxhova dhe Slagjana Bojanovska (Maqedoni), Erina Çoku, Ylli Çela dhe Arjan Kallço (Shqipëri), Brahim Avdili dhe Ndue Ukaj (Kosovë), Bardhyl Zaimi dhe Remzi Salihu (Maqedoni).
Hapja e ceremonisë së Edicionit të XXII TË Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” do të bëhet te enjten në orën 19.30, përmes një performance fishekzjaresh para Qendrës së Kulturës “Naim Frashëri”, në Tetovë. Drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, laureati zviceran Beat Brechbuhl, ministri kulturës Asaf Ademi, kryetarja e Komunës së Tetovës zonj. Teuta Arifi si dhe një delegacion nga Komuniteti Bektashian do të vendosin buqete lulesh para shtatores së poetit “Naim Frashëri”. Në hyrje të Qendrës së Kulturës, publikut edhe në këtë hapje do t’iu dhurohet Antologjia e këtij edicioni dhe libra të tjerë të rinj të Festivalit.
Më pas në Sallën e Madhe do të bëhet hapja zyrtare e Programit të Edicionit të 22 të FNP " Ditët e Naimit, ku hapjen do ta bëj ministri i Kulturës Asaf Ademi, ndërsa një fjalë përshëndetëse do ta mbajë kryetarja e Komunës së Tetovës,zonj.Teuta Arifi dhe drejtori i Festivalit Shaip Emërllahu.
Në hapje të këtij Edicioni, aktori Arsim Kaleci do të recitoj poezinë “Fjalët e Qiririt” të Naim Frashërit, ndërsa nga një pikë muzikore me piano, violinë dhe në flautë do të ekzekutojnë virtuoz të muzikës klasike.
Në orën e madhe letrare ‘Globi poetik’, përveç leximit të poetëve do t’i ndahet edhe çmimi i madh letrar dhe do t’i jepet titulli Anëtar Nderi, lauretit të këtij viti, poetit zviceran Beat Brechbuhl si dhe do të ndahet edhe çmimi letrar “Ditët e Naimit”. Titullin e lartë, Anëtarë Nderi të Festivalit, deri tani, e kanë marrë shkrimtarët dhe intelektualët e njohur, si Ismail Kadare (Shqipëri), Desmond Egan (Irlandë), Thomas Tidholm (Suedi), Manlio Argueta (Salvador), Abdellatif Laabi (Marok), Peter Poulsen (Danimarkë), Lionel Ray, (Francë), Eva Lipska (Poloni), Craig Czury (SHBA), Tua Forsstrom (Finlandë), Athanase Vantchev de Thracy (Francë), Sebastiano Grasso (Itali), Kuei shien Lee (Taivan), Xhorxh Vallas (SHBA) etj.
Në ditën e dytë të Programit, në sallën e hotelit "Lirak" do të bëhet përurimi i pesë titujve të rinj të shtëpisë botuese “Ditët e Naimit”. Libri me poezi i laureatëve Beat Brechbuhl, i George Wallas dhe Kuei shien Lee, i drejtorit të Festivalit Shaip Emërllahu, si dhe antologjia e poetëve pjesëmarrës të këtij edicioni “Pështjellim i dendur” i përgatitur nga Shaip Emërllahu. Për këto libra do të flasën poetët dhe studjuesit Ndue Ukaj, Xhelal Zejneli, Remzi Salihu dhe Bujar Plloshtani.
Pasdite pjesëmarrësit do të vizitojnë Galerinë e Kombëtare në Shkup, dhe në mbrëmje do të mbajnë orën letrare ‘Poetë dhe vargje’. Të shtunën poetët do të vizitojnë monumentet kulturore dhe artistike në Tetovë dhe pasdite do të shkojnë për në Pogradec. Atje, në bashkëpunim me Bashkinë e Pogradecit do të mbajnë orën e madhe letrare "Meridianet poetike", do të ndahen çmimet tjera letrare të Festivalit, si dhe poetët do të vizitojnë objekte të ndryshme kulturore dhe historike të këtij qyteti buzë Liqenit të Ohrit.
Festivali këtë vit mbështetet nga Ministria e Kulturës së Republikës së Maqedonisë, Komuna e Tetovës, Bashkia e Pogradecit. /KultPlus.com