11 Nëntor, 2020 - 7:19 pm
Të enjten në librarinë Dukagjini do të bëhet promovimi i librit më të ri të shkrimtarit Ag Apolloni, “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, shkruan KultPlus.
Promovimi do të bëhet më fillim nga ora 17:00 ku i pranishëm do të jetë edhe shkrimtari i cili do të jap edhe autografe për romanin e tij më të ri.
Romani dokumentar “Një fije shprese, një fije shkrepëse” i Ag Apollonit, është përshkrim i një vizite të tre shokëve në shtëpinë e nënës Ferdonije, e cila gjatë luftës ka humbur katër djemtë dhe burrin. Linja e parë e këtij romani është udhëpërshkrim dhe mbaron aty ku nis. Mirëpo brenda saj gërshetohen edhe linja të tjera, që shpalosin histori të përndjekjes, shpërnguljes, dhunimit, vrasjeve, masakrave, pritjes dhe vetëvrasjes. Bashkë me historinë e Ferdonijes, rrëfehet edhe historia e nënës Pashkë, e cila pak ditë pasi iu kthyen mbetjet e dy djemve, bëri vetëvrasje. Po ashtu, e bazuar krejtësisht në materiale arkivore, vihet edhe një paralele mes Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Kosovës, përkatësisht mes kampeve të shfarosjes dhe kampeve të shpërnguljes. Ndërsa, në funksion të plotësimit të mozaikut të tragjedisë kosovare, rrëfehen edhe përvojat personale të tre shokëve, në raport me luftën.
Ky dokuroman (roman dokumentar) flet për dhunën e regjimit serb, për dëbimet dhe djegiet, për spastrimin etnik, për intervenimin ushtarak të NATO-s, për personat e pagjetur, për një dorëshkrim të humbur dhe një tragjedi të gjetur, për peshën e pritjes dhe rëndësinë e shpresës.
Romanin “Një fije shprese, një fije shkrepëse” e botoi shtëpia botuese “Bard Books”, Prishtinë, 2020./ KultPlus.com