3 Dhjetor, 2019 - 4:43 pm
Këtë të enjte, në Prishtinë do të promovohet libri ‘Anatomy of a Kosova Woman’s Soul’ nga Vlera Kastrati.
Këngëtare dhe tanimë një grua që ka shkrirë fjalët në libër, Vlera do të promovojë një vepër autobiografike që përshkruan jetën e saj në veçanti dhe përditshmërinë e saj në Kosova nga paralufta, lufta dhe paslufta.
“Libri është një përshkrim i detajueshëm i ngjarjeve e momenteve emocionale nga fëmijëria, me lojërat e fëmijëve të ndërprera nga helikopterët serb, rinia e arsimimi pa ditë normale, e përplot ngjarje e momente tjera politike e traumatike: protestat, gazi lotsjellës, shtëpitë shkolla, ikja nga tmerri i luftës” tregon për KultPlus Vlera.
Të gjitha ngjarjet rrëfehen me anë të formës innovative të përdorimit të gjuhës dhe muzikës. Me kthimin e saj nëpër kohë, duke gjetur copëzat e fshehura të vetes, Vlera Kastrati kësisoj rikujton dhe rijeton jetën e vet dhe gjen përsëri dëshirën e saj të muzikës, të cilën se kishte jetuar asnjëherë. Vlera megjithatë së fundmi është rikthyer fuqishëm në muzikë, dhe jeta e saj po mbushet me tingujt e muzikës që lidhen edhe me shkrimin dhe penën e bardhë.
Gjatë promovimit do të mbahet edhe një debat. Prezantimi do të bëhet në gjuhën angleze. / KultPlus.com