5 Gusht, 2020 - 7:23 pm
Shkruan: Lum Gashi
Një profesor më pati thënë gjatë ligjëratës se “është pothuajse e pamundur ta thuash një gjë që nuk është thënë deri tash në këto gjashtë mijë vjet dije”. Është një frikë konstante kur shkruaj, se mos po bëj diçka, jo ngjashëm, por identike si dikush tjetër. Ende i pabotuar por vetëm si autor aspirues me ca poezi e shkrime të shpërndara virtualisht, shpesh më ka ndodhur të kthehem dhe sakaq t’i shlyej vargjet e poezive dhe prozave të papublikuara kur ato i kam hasur në librat e autorëve të tjerë – ndonëse jo fjalë-për-fjalë.
Unë me vetëdije nuk vjedh në shkrimet e mia, ndoshta jo pse jam aq moralisht i kujdesshëm sa jam i vetjakësisht i tillë. Kjo se nuk e shoh triumf një akt që ma sjell eventualisht njohjen por që ma tjetërson qenien mendore apo atë morale. Unë dua të njihem për atë që jam, ndiej dhe mendoj, e jo vetëm për hir të së qenit i njohur. Prandaj, kjo është lufta ime hegeliane për njohje edhe nëse eventualisht përfundoj i asgjësuar nga harresa e brezave të ardhshëm.
Thënë troç me fjalët e Alice In Chains që “nëse s’mund të jem vetja, atëherë më mirë të jem i vdekur”. Nuk vjedh kur shkruaj edhe në qoftë se ajo që shkruaj është dokërr. Pikërisht këtu kemi të bëjmë me dallimin mes dëshirës për njohje-pranim-vlerësim (recognition) dhe për vëmendje. Kur ke për Zot stimulin dhe frymëzimin, supozoj se ti dëshiron të njihesh – eventualisht të vlerësohesh – për atë që je, dhe jo për hir të vetë njohjes. Të njihesh për emocionet që të shkundin, për mendimet dhe idetë që të kruajnë natën e të lënë pa gjumë; ti dëshiron që të arrish në mendjen e të tjerëve me autenticitetin – herë-herë të influencuar – e kulluar të qenies dhe atë krijues.
Natyrisht, ndodh në shumë raste që mendimet e vëzhgimet na puthen jo vetëm me bashkëkohës por edhe me ata që jetuan mijëra vjet më parë. Vërtet leximet e urtisë dhe propozimeve mendjeve të çmuara njerëzore kanë bërë që te unë të bulëzojnë krijimet dhe të evoluojnë përshtypjet personale. Sikur – natyrisht pa u krahasuar – Martin Hajdegeri që shkëputet nga mësuesi dhe influencuesi i tij, Edmund Huserli dhe çon disiplinën e fenomenologjisë në një dimension tjetër.
Një prej poetëve më famëlartë të shekullit të kaluar, T.S. Eliott, në esenë e tij “Phillip Massinger” thotë se “Poetët e papjekur imitojnë; poetët e pjekur vjedhin poetët e këqij e prishin atë që e marrin, ndërkaq poetët e mirë e shndërrojnë në diçka më të mirë, apo së paku në diçka ndryshe”. Ma kujton Autolikun, gjyshin e Odisesë, i cili pos që kishte fuqinë të vidhte, e kishte fuqinë që ta ndryshonte pamjen e asaj që kishte plaçkitur.
Por këto janë reflektimet e mia nga bota dhe jeta që na është dhënë. Ky është brumi me të cilin gatuajmë, andaj ndodh që ta godasim piten përafërsisht njëjtë pa u akuzuar se kemi vjedhur recetën nga të tjerët. Padyshim që plagjiati është prej krimeve më të rënda intelektuale, mirëpo tash jetojmë në një kohë ku këngëtarët po përballen me padi vetëm pse kanë përdorur progresionin e njëjtë të akordeve ndonëse pikë së pari akordi i progresioneve nuk mund të zaptohet nga asnjë artist, dhe këngët në fjalë shpesh ndodh të jenë një botë larg nga njëra-tjetra. Kjo vetëm i kontribuon ikjes përfundimtare nga thjeshtësia, dhe rënien e përhershme në thellësitë e artit bizar.
Në një shkëmbim mesazhesh me profesorin e nderuar të Harvardit, Stephen Greenblatt, ai më thotë se nuk ka krijues letrar krejtësisht të pashoq, ndonëse e vë në spikamë dallimin mes kohës së Renesancës dhe kohërave moderne ku, unë them që ligji i të drejtave autoriale ka bërë tokë me mina lirinë e autorëve për të shkruar.
Greeblatt, shekspirian dhe shkollar i Renesancës i cili ka shërbyer si redaktor i përgjithshëm i Antologjisë së Nortonit për Letërsinë Angleze dhe njëherësh njihet si themelues i Historicizmit të Ri, përmend akuzat e dramaturgut Robert Greene që akuzonte Shekspirin për plagjiaturë.
Vlen të përmendet që idetë dhe fabulat e dramave të Shekspirit merreshin nga burime të ndryshme, qoftë nga tregime italiane apo nga mite skandinave, mirëpo Shekspiri pastaj i ngrehte në një stad më të lartë kuptimor dhe estetik saqë sot e asaj dite këto tregime identifikohen me të. Por nuk po them se të marrësh një vepër nënkupton se duhet ta ngrehësh në stad më të lartë – por në një stad ndryshe, gjithsesi se po.
“Askush nuk është unik, bile as Kafka ose Joyce. Por edhe në Renesancë, kur sinorët përcaktoheshin ndryshe nga tash dhe autorët nuk posedonin të drejta autoriale mbi veprat e tyre, njerëzit e kuptonin që ekziston një dallim midis plagjiatit dhe adaptimit e huazimit kreativ”, më kishte thënë Greenblatt.
“Robert Greene e akuzonte Shekspirin se ishte një ‘sorrë zengjime që dukej bukur me pendët tona’, por dikush duhet ta lexojë [veprën] Pandosto të Greene-t dhe Tregimin e Dimrit të Shekspirit për ta kuptuar që ky i fundit, sado i përafërt me strukturën e tregimit të Greene-t është gjithçka pos akt plagjiature”.
Për t’u kthyer sërish te dallimi mes dëshirës për njohje dhe qëllimit të pakusht për të mbërritur te njohja, kjo pandehje më shpuri tek një nënçështje tjetër. E mendoja se pse termi “karrierist” më së shumti përdoret në konotacion negativ. Honepsja se ç’të keqe ka të qenit ambicioz dhe luftarak për sukses personal përderisa nuk shkel mbi të tjerët? Por si në epifani xhojsiane m’u kujtuan njerëz të caktuar që e kanë CV-në e stërmbushur me arritje akademike dhe përvoje pune.
Në atë CV e sheh po të suksesshëm janë, por jo tek të gjithë suksesi i tyre personal përkthehet në dobinë kolektive. Termi karrierist ka kuptim negativ pikërisht shkaku i mendje-ngushtësisë e cila i jep shtysë ambicies për sukses. Virtyt i lartë është të duash të kesh sukses në karrierën tënde pikërisht se do që ta bësh jetën më të mirë apo më të pasur për shoqërinë ku jeton. Një njeri i suksesshëm ideal është pikërisht ai njeri suksesi i të cilit shihet në përparimin e shoqërisë dhe jo vetëm në ngritjen e tij individuale. Pra, ideali më i lartë i suksesit është jo pse ia ndryshon jetën vetes, por që ia ndryshon jetën tjetrit.
Padyshim që plagjiatura është dhe duhet të mbetet akt i ndëshkueshëm që ngjall turp. Mirëpo, ka nevojë që të mos relativizohet çështja se çfarë në të vërtetë llogarisim plagjiaturë – pra që kufijtë mes ndikimit/koincidencës dhe plagjiaturës të qartësohen më shumë dhe të mos jenë të atillë aq sa ta ngufasin krijimtarinë e fuqishme të artistëve të ardhshëm. Artistët duhet të jenë më të mbrojtur nga lëndueshmëria që vjen nga kritikë dhe akuzues idhnakë të cilët duan ta përkthejnë influencën dhe rastësinë në plagjiaturë ndonëse tek vepra e re ndodh që shohim një identitet të veçantë apo një metamorfozë të re arti.
Në anën tjetër, artisti i lindur dhe punëtor nuk ka nevojë për këshillë se a duhet të vjedhë apo jo. Me dhuntinë e tij ai domosdo ka një botëkuptim më të gjerë, një sens më të pafund krijimi, dhe mbi të gjitha unin për të cilin artistët janë të vetëdijshëm; sepse tek e fundit, ai që vjedh diçka dhe e prezanton tërësisht si të veten pa e ofruar në diçka të re – ai nuk është artist. Qartazi është mashtrues.
Për fund, unë gjithmonë do të jem në kërkim të lavdit – por atij lavdi fisnik ku ngreh veten lart duke provuar ta ngreh botën në atë pikë. Suksesi, ashtu si mirësia, rron vetëm në refleksionin tek të tjerët; në mirëqenien dhe ngritjen e të tjerëve ne shohim qenien dhe dorën tonë – hisen e krijimeve tona. Duke mbajtur botën të gjallë, ashtu përjetësohemi edhe vetë. Ky besoj është një prej motiveve kryesore për të vepruar në jetë – që përmes veprave tona shpirti ynë të rrojë në jetët e të tjerëve. / KultPlus.com