1 Dhjetor, 2021 - 11:06 pm
Platforma më e madhe online e librit shqip, Bukinist.al publikon 10 librat më të shitur të muajit nëntor, periudhë në të cilën është zhvilluar edhe Panairi i Librit.
Muaji nëntor përkoi me zhvillimin e Panairit të 24-ërt të Librit në mjediset e Pallatit të Kongreseve. Njëherësh, edhe platforma më e madhe online e librit shqip, Bukinist.al zhvilloi fushatën 25-ditore të quajtur “Nëntori i librit”, ku pati oferta deri në 50%, informim të vazhdueshëm për titujt e rinj dhe intervista me botues për librat që u hodhën në qarkullim për herë të parë. Surprizë e muajit të kaluar ishte romani “Të lirë” i Lea Ypit, i cili pasi është botuar në gjuhë të tjera vjen edhe në shqip.
“Rruga jonë – rruga e suksesit në biznes”, një libër i shkruar nga biznesmeni, trajnuesi dhe filantropi Vasil Naçi, dhe Dr. Alma Bici, sjell modelin e Agna Group si model suksesi për zhvillimin e një sipërmarrje, me kulturën, vlerat dhe bindet që përqafon një biznes. Risi ka qenë edhe libri me tregime i Julio Cortazarit, sjellë në shqip nga Aurel Plasari dhe botuar nga Aleph.
“Derrkuci i Krishtlindjes” nga Joanne K. Rowling, i sapobotuar nga Dituria, ka ngjallur interesin e lexuesit, ndonëse nuk ka nisur ende të ndihet atmosfera e Krishtlindjes.
Dostojevski dhe romanin e tij “Krim dhe ndëshkim” mbetet ndër klasikët më të pëlqyer nga lexuesit. Mes klasikëve modernë renditen edhe librat e Ismail Kadaresë dhe Jeffrey Archer.
Edhe librat e zhvillimit personal si “Babai i pasur, babai i varfër” i Robert Kiyosakit dhe “S’ka më justifikime” renditen ndër 10 titujt më të kërkuar të muajit nëntor tek Bukinist.al.
Për më shumë, ju ftojmë të ndiqni librat më të kërkuar, si më poshtë:
“Të lirë” nga Lea Ypi
Libri është një gjysmë roman autobiografik, gjysmë ese filozofike, për lirinë dhe çfarë do të thotë të jesh i lirë dhe të kesh përgjegjësi si individ në periudhën e ndryshimit të sistemeve. Libri flet për një fëmijë që rritet në fund të viteve ‘80 në Shqipërinë e komunizmit, është një lloj roman formimi, romani i rritjes, ku personazhi kryesor rritet, kapërcen fëmijërinë dhe përjeton hyrjen në adoleshencë, ndërkohë që edhe shteti ku ajo jeton pëson të njëjtin transformim. Pra, është një fëmijë që kërkon lirinë në një vend që është gjithashtu në kërkim të lirisë.
Lea Ypi, profesoresha e Teorisë Politike në London School of Economics, sjell perceptimin prej fëmije të Shqipërisë së rrënuar në komunizëm dhe në përpjekjet e saj drejt lirisë në post-komunizëm. Ky roman ka qenë një befasi e madhe pasi po botohet në 15 gjuhë të ndryshme të botës dhe së fundi është përgatitur nga anglishtja në shqip nga shtëpia botuese Dudaj. /KultPlus.com