Të mërguarit

30 Janar, 2025 - 3:35 pm

 Bernard Çobaj

‘We’ll allways have Paris’ (një nga thëniet më të paharrueshme në kinematografi)

Në kumtesën “Letërsia dhe Kombet e Vegjël”, të lexuar në Kongresin e Shkrimtarëve çek më 1967, Milan Kundera, vuri në pah se kultura nuk është vetëm art, por është mjet  që mbron dhe arsyeton ekzistencën e identitetit kombëtar. Në një botë ku historia shpesh shkruhet nga të fuqishmit, popujt e vegjël mbijetojnë dhe e arsyetojnë ekzistencën duke krijuar vepra madhështore që flasin me gjuhë  universale. Kundera argumenton se letërsia shndërrohet në një mundësi që popujt e vegjël të afirmohen  në skenën ndërkombëtare. 

Një reflektim të ngjashëm gjejmë në esenë e Kadaresë “Eskili ky humbas i madh” (1985), ku ai e analizon thellësisht lidhjen mes botës moderne, mitologjisë dhe historisë në krijimin e letërsisë së përhershme dhe universale.

Këto dy figura të mëdha të kombeve të vegjël, Kadare dhe Kundera, me veprat e veta justifikuan ekzistencën e kombeve të tyre përkatëse. Të dy, poashtu, ndajnë fatin e shkrimtarëve që u mërguan nga vendlindja e tyre në Paris.

I (vet)mërguar si Kadare dhe Kundera, por më herët në shekullin XX, ishte James Joyce-i, i cili madje në opusin e vet letrar e ka  dramën me titull “Të mërguarit”, në një kontekst ndryshe nga kjo që po e përmendim. Parisi është qyteti që i lidh fatet e këtyre tre autorëve.

Në kontesktin e rëndësisë që ka letërsia apo kultura në tërësi në ruajtjen e ekzistencës së kombeve të vegjël, Joyce-i u shndërrua në topos të identitetit, kulturës irlandeze. Emri i tij personifikon kulturën dhe identitetin irlandez sot në botë, madje në traditën e bujshme kulturore ku renditen emrat e nobelistëve siç janë William Butler Yeats, Semuel Becket, Seamus Heaney, përfshirë emrat e autorëve të periudhave të kaluara si Lawrence Stern, George Bernard Shaw, Oscar Wilde.  

Mesnatë në Paris

Ky nëntitulli i referohet filmit të Woody Allen (Midnight in Paris) ku një shkrimtar çdo natë udhëton në kohë, në Parisin e viteve të 1920-ta.

Sylvia Beach zuri vendin e vet në historinë e kulturës botnore për themelimin e librarisë së saj ikonike “Shakespeare and Company” në Paris në vitin 1919, që u bë një vend i rëndësishëm për shkrimtarët modernistë, veçanërisht ata që jetonin dhe punonin në Paris në vitet 1920. Ajo ishte një figurë kyçe që ndihmoi në formësimin e trajektores së letërsisë moderniste.

Beach është shumë e njohur për botimin e Uliksit të James Joyce-it në vitin më 2 shkurt të 1922, në ditëlindjen e 40-të të autorit. Pavarësisht vështirësive financiare dhe kritikave, ajo ia doli të botonte këtë vepër epokale, e cila do të shndërrohej në një nga librat më të rëndësishëm të shekullit të 20-të. Ernest Hemingway luajti rol të rëndësishëm në inkurajimin e Beach ta botonte “Uliksin”.  Për më tepër, për shkak të censurës dhe përpjekjeve për të bllokuar librin, Beach i garantoi Joyce-it që do të mund të botonte veprën pa asnjë ndërhyrje të jashtme.

Ka simbolikë në faktin që botues i “Uliksit”ishte libraria “Shakespeare and Company”, duke pas parasysh rolin e rëndësishëm që luan Shakeaspeare-i në formësimin intelektual dhe opusin letrar të Joyce-it. Shakespeare-i, si askush para e pas tij, kishte aftësinë të depërtonte në shpirtin njerëzor, ndërsa Joyce-i zotëronte një aftësi të jashtëzakonshme për t’i shprehur edhe nuancat më të imta të atij shpirti.

Është interesante të theksohet se rolin që Sylvia Beach luajti përmes librarisë së saj në Paris, e mori përsipër Victoria Ocampo, një shkrimtare dhe botuese me ndikim nga Argjentina, duke promovuar skenën letrare të Amerikës Latine: figura të shquara si Borges-i, Octavio Paz-i dhe Gabriel García Márquez-i.

Libraria “Shakespeare and Company” vazhdon e mbart statusin kult: një mishërim i asaj që Borges-i do ta quante “parajsë e librave”. Në të vërtetë, Borges-i i përjetonte libraritë si një portë drejt një universi të pafund dijesh, një hapësirë ku mundësitë e mendimit dhe të shpikjes së ideve ishin të pakufishme.

(vazhdon)/ KultPlus.com

Të ngjajshme