20 Prill, 2019 - 1:00 pm
Nga Alda Bardhyli
Ai qëndroi pikërisht tek vendi ku ajo e kishte përqafuar ndërsa dilte, me një përqafim që s’ishte as ndarje dhe as premtim për diçka më të mirë. Një përqafim të tillë tek dera e një pasditeje të stuhishme, përfytyrohej, zakonisht në sfond të dënesës të pendimit për fjalët e ashpra dhe me buzë që synojnë drejt njëra-tjetrës për të falur gjithçka. Por asgjë e tillë nuk kishte ndodhur.
Ai vazhdonte të mbante duart në xhepa dhe i ngrirë si një dru, ndjeu buzët e saj tek qafa e më pas tek cepi i gojës dhe prekjen e furishme të flokëve. Mundimshëm ndjeu nevojën ta përqafonte sipas ritualit mijëvjeçar të mbarimit të grindjeve, por një gips mortor i ikur nga kushedi ç’shtatore e nuk e la të lëvizte. Nuk ishte penduar për asgjë, ishte thjesht i lodhur. Shushurima e shiut vinte nga jashtë zbutëse. Por ai duhet ta harronte me çdo kusht, ta nxirrte nga vetja atë grua. Por së pari duhet të nxirrte atë mbrëmje. Ishte gjëja më e ngutshme…
Silueta e një burri që endet nga një faqe në tjetrën në librin “Bisedë për brilantet në pasditen e dhjetorit” të Ismail Kadaresë, mu feks në kujtesë teksa përpiqesha të gjeja në galerinë e pafund të letërsisë shqipe, një personazh burrë që duhet ta nxirrja nga një libër. Nëse kritika botërore rrëmon shpesh bibliotekave për të shkundur pluhurin nga xhaketa historike e një burri, lodhur në fletët e një libri, ne ende nuk kemi arritur t’i njohim burrat e pafund që enden rrugicave të letërsisë.
Woody Allen i pëlqente gjithnjë të gjente zgjedhjen për miqtë e tij të pakënaqur nga jeta, duke u afruar takime me personazhe femra që prisnin në romane voluminoz. Janë aq shumë faqe, e aq shumë ditë që mund të kalonin me të. “A do të doje që Mr. Dancy të ishte real? Ai është një xhentëlmen i vërtetë”, pyet një koleg francez, teksa vazhdon të flasë, për personazhin tërheqës të Jane Austin. Por nëse do të eksitonte një mundësi e tillë, do doja të takoja Aurturo Bandinin.
Dhjetëra personazhe burra, në letërsinë botërore kanë marrë epitetet nga më të ndryshmet nga kritikët e letërsisë. Ka nga ata që i kanë dashur aq shumë, sa do të donin t’i gjenin në barin e lagjes ku jetojnë, të tjerë janë gjykuar, sulmuar, e shpesh mbuluar me harresë. Ashtu në si jetë, në letërsi asgjë nuk ndryshon. Shpesh janë të njëjtët burra që nuk do të doje t’i takoje kurrë. Por nëse në letërsinë botërore është e lehtë të gjesh gjithë karakteret e kësaj gjinie, letërsia shqipe për vetë kushtet historike në të cilat u krijua, ka ndoshta karakteret më të pazakontë. Shpesh të ftohtë, është e vështirë të shohësh në pjesën më të madhe të tyre, në ata janë vërtet në dashuri. Të përfshirë gjithnjë në ngatërresat e historisë e politikës, ata bëhen përfaqësues të denjë të kohës. Një ditë me siguri do të mund të kemi studime për jetët e tyre, bashkë me keqkuptimet me të cilat shpesh u veshëm, teksa i takuam në lexime.
Por sot do doja të flisja pak për burrin pa emër, i cili vazhdon të ecë në ato pjesë të dhomës, ku ishte zhvendosur me të dashurën gjatë orëve të çmendura, në kërkim të orës së harrimit. Ai kërkon vetëm një gjë: Të harrojë një grua! Ky kërkim sa i pamundur, aq dhe i ndjerë, e përsos letërsinë shqipe, e cila elaboron një nga kërkimet që ka qenë gjithnjë pjesë e letërsive të mëdha. Një burrë që do të shpëtojë nga dashuria, është një personazh i pazakontë për një letërsi që për vite me radhë nuk ka folur për këtë ndjenjë. E tani, në dhomën e mbushur me bishta cigaresh, ai jeton mes dënesës dhe pendesës. Mjaftojnë vetëm 3 faqe për të jetuar gjithë përpjekjet e mendjes njerëzore, në kërkim të një zgjidhjeje.
Fillimisht ai mendon se ndoshta është mirë ta shkruaj atë që i ka ndodhur, pasi, përmes shkrimit, gjithçka do fashitet si era, e ai, do të ndjehet më i lehtë. Por si avioni që e nxjerr trupin e vet nga zona e stuhisë, ajo ide më shpejt nga ce mendoi, e nxori nga gjendja e ankthshme, në një shtresë më të qetë, sipër furtunës. Më pas, pa disa njerëz që po punonin me boshtin e tokës. Ata që mund të ndryshonin ditët dhe muajt do të mund të zhduknin nga kujtesa disa orë, një grua. “Ma hiqni atë grua ulëriu”.
Kjo fjali tregon dhembjen më të madhe që mund të ketë një personazh. Por kjo ishte e pamundur. Ata mund të ndryshonin ditët kalendarike por s’mund të zhbënin nga kujtesa një grua.
Në morinë e tregimeve shkruar nga Kadare, ky është një ndër tregimet më të bukura shkruar për dashurinë. Me një stil, ku intensiteti i mendimeve ndiqet nga një aureolë poetike, Kadare na tregon se dashuria mund të qëndrojë dhe mbi letërsinë.
“Hotel. Dhe jashtë gjethnaja e rënë dhe kufomat e cigareve të masakruara, ku njëra palë mund të dallohej prej tjetrës nga shenja e të kuqit të buzëve…Ajo ishte aty pranë, disa hapa larg dhe, me siguri, ishte e paqetë dhe kishte makth, ngaqë, në një mënyrë ose një tjetër, duhet të ndjente se unë po përpiqesha të varrosja”, e mbyll tregimin Kadare më vitin 1981.
Në një kohë kur dashuria duket se ka mbetur librave, këtë personazh pa emër do doja ta nxirrja nga faqja 193, e “ Bisedë me brilante në pasditen e dhjetorit”. Zhvendosja nga një kohë në tjetrën, ndoshta do t’ia bënte më të lehtë këtë makth dhe i shëndrruar në një personazh, me cilësitë e kohës ku jetojmë, me siguri do e kishte flakur shpejt në harresë atë grua.
Top Channel