18 Mars, 2019 - 9:50 pm
“Të rrosh a të mos rrosh – kjo është çështja:
M’ e lartë është vallë të durosh.
Hobe, shëgjeta fati të tërbuar
A të përballsh një det të turbull helmesh
Me arm’ e funt t’u japsh? Të vdeç – të flesh –
Jo më! – dhe me një gjumë të mbarosh
Çdo zemër-dhëmbje, mijëra tronditje,
Që trupi prej natyrës trashëgon.
Ja nje qellim që duhet dëshëruar
Me gjithë shpirt. Të vdeç – të flesh; të flesh?
E ndofta t’ëndërrosh! Ah, këtu ngec;
Se ç’ëndrra shohim n’atë gjumë-vdekje,
Pasi na shkundet kjo pështjellj’ e mortme,
Kjo frikë na qëndron; ja arësyja
Që aq e zgjat një jetë me mjerime;
Se kush duron përbuzjen dhe kamçikn’ e botës,
Zullumn’ e shtypësit, përdhunën e krenarit,
Lëngimn’ e dashuris’ së papërfillur,
Vonimn’ e ligj’s, goj’-çthurrjen e zyrtarit,
Dhe shkelmet, që çdo vlerë zemërgjërë
Nga të pavlershmit merr, kur munt ta lajë
Hesapin fare me një copë thikë?
Kush vallë barra mban e kush dërsin,
Rënkon nënë një jetë të mërzitur,
Po vetëm tmer’ i asaj diçka pas vdekjes –
Vendit të pazbuluar, nga s’ na kthehet
Kurr’ udhëtari – na trullos vullnetin,
Dhe vuajmë të ligat që po kemi
Se sa të hidhemi n’ato që s’ dimë.
Kështu na bën ndërgjegja gjith’frikaçë;
Kështu dhe ngjyr’ e gjall’ e rezollutës
Sëmuret, verdhet nga hij’ e mejtimit,
Dhe plane të mëdha e rëndësore
Ndalen, përçajnë rrjedhjen, dhe humbasin
Emrin e vepërimit. Hesht tani!
E bukura Ofeli! Ëngjëll, në lutjet
Mëkatet m’i kujto të gjitha… ”
“Hamleti: Ç’kemi ndonjë të re?
Rozenkranci: Asgjë tjetër, imzot, veç që bota u bë më e ndershme.
Hamleti: Aherë fundi i botës ka arrirë; po lajmi juaj nuk është i vërtetë. Nëmni lejen t’ju pyes më shkoqur. Ç’i keni bërë fatbardhësisë, miq të dashur, që ju dërgoi në këtë burg?
Gildensterni: Burg, imzot?
Hamleti: Danimarka është një burg.
Rozenkranci: Aherë është burg e tërë bota.
Hamleti: Burg i vërtetë, në të cilin ka shumë qelira, vrima dhe bodrume, dhe Danimarka është një nga më të ligat.
Rozenkranci: S’jemi n’atë mendje, imzot.
Hamleti: Aherë, s’është burg për ju; se s’ka as të mirë, as të ligë, po mendja na i bën ashtu. Pr mua është burg.
Rozenkranci: Aherë ambicia të bënë të kujtosh ashtu; është tepër e ngushtë për mendjen tënde.
Hamleti: Për Zotin, mund të isha mbyllur në një guall arre dhe të kujtoja veten mbret të hapësirës së pakufishme, sikur të mos kisha ëndrra të liga. ”
(Fragment nga Hamleti, Përkthim i Fan Nolit)