26 Mars, 2018 - 10:55 am
ORCA – Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, përmes një reagimi ka kërkuar të shkarkohet prorektorja Teuta Pustina, shkruan KultPlus.
Ky reagim e shumë të tjerë në lidhje me shkarkimin e prorektores, ka ardhë si rezultat i deklaratave të saj në lidhje me viktimat e sulmeve dhe ngacmimeve seksuale në Universitetin e Prishtinës. Pustina, tha që gratë të mos vishen në mënyrë provokative, për t’iu shmangur ngacmimeve seksuale në institucione arsimore.
Në vijim sjellim reagimin e plotë të ORCA:
“Të shkarkohet prorektorja!
ORCA është thellësisht e indinjuar me deklaratat dhe tentim sqarimin e prorektores Pustina e cila ka fajësuar viktimat e sulmeve dhe ngacmimeve seksuale. Ngacmimet seksuale dhe keqpërdorimi i autoritetit për favore seksuale në Universitetin e Prishtinës po shndërrohet në dukuri nga një pjesë e stafit akademik.
ORCA kohëve të fundit ka pranuar me shqetësim raportime të ndryshme të studenteve të cilat kanë treguar për forma të ndryshme të sulmeve dhe ngacmimeve seksuale nga një pjesë e stafit akademik i Universitetit të Prishtinës.
Edhe më shqetësues është fakti që Universiteti i Prishtinës nuk ka politikë për luftimin e kësaj dukurie dhe mbrojtjen e viktimave të këtyre sulmeve. Në anën tjetër deklaratat që përfaqësojnë një pozicion ekstremist të patriarkalizmit, si ajo e prorektores Pustina, është stimulues e sulmuesve për të vazhduar me aktivitetin e tyre të paligjshëm pa u penguar.
ORCA kërkon përgjegjësi maksimale të institucionit që do të thotë:
1. Kërkim falje në emër të institucionit për deklaratën e prorektores Pustina;
2. Shkarkim të prorektores Pustina;
3. Krijimin e një komisioni të posaçëm me pjesëmarrje të gjerë për hetimin e ngacmimeve seksuale në Universitetin e Prishtinës.
ORCA i bën thirrje të gjitha institucioneve dhe organizatave që ta trajtojnë me seriozitet këtë çështje në mënyrë që të krijohet një standard bashkëkohor i diskursit publik ku nuk tolerohet më gjuha seksiste dhe mizogjene”./ KultPlus.com