24 Tetor, 2019 - 7:32 pm
Përktheu nga origjinali Smajl Smaka
Po botojmë më poshtë parathënien e librit me poezi të Visar Zhitit në serbisht “Shiu i fytyrës time”. Në këtë parathënie, autori ndalet te jeta e vepra, gjurmët e kohëve të shkuara dhe vragat e dhembjeve të mëdha. “Disa poezi madje kanë atmosferë oruelliane dhe kafkiane në sensin e simbolizimit të çuditshme dhe të shprehjes se absurdit të kësaj bote”, thotë Dr. Milutin Gjuriçkoviç. Parathënia e tij dallon dhe bashkon njeriun me poetin që ka jetuar në dy kohë, si të ndara me thikë, dënimi e liria, harresa dhe mirënjohja, si për të paraqitur të plotë vetëdijen dhe shtresëzimet e nënvetëdijes së poetit. E çka ka rëndësi pos të gjithash është të jetuarit në paqe me armikun e kahershëm, pa mllef e hakmarrje, ndonëse jeta e shkuar nuk iu kthye kurrë mbrapsht, e as nuk iu kërkua falje, për ditët e netët në frikë e terror, në kthinat e errëta të venddënimeve komuniste. Vihen pra, përballë poeti e njeriu, për të parë se cili peshon e cili vendos në atë që është krijimtaria e njërit e jeta e tjetrit.
Dr. Milutin Gjuriçkoviç – Forcë e madhe është te njeriu, i cili di të heshtë edhe kur ka të drejtë” – Lev Tolstoj- Si rrallëkush nga poetët bashkëkohorë shqiptarë me arsye, natyrisht ka përjetuar reputacion të tillë ndërkombëtar, siç është rasti me Visar Zhitin, poetin, prozatorin e njohur, shkrimtarin, eseistin, përkthyesin dhe me disidentin politik, i cili krejtësisht i pafajshëm është dënuar dhe është burgosur nëpër kazamatët dhjetë vite të plota. Pas daljes nga burgu, ai ka pasur përkrahjen e shumë intelektualëve, të shkrimtarëve e të personaliteteve publike, nga e gjithë bota, filluar që nga Umberto Eco, Sebastiano Grasso, Kevin Higins, Robert Elsie madje edhe nga Filip Davidi ynë.
Opusi i tij letrar është shumështresor dhe në aspektin zhanror i llojllojshëm. Pothuaj me sukses të njëjtë shprehet dhe dëshmohet në poezi, tregim, roman, ese, publicistikë dhe në përkthim. Është përkthyer në shumë gjuhë të huaja dhe është fitues i një sërë çmimesh në vendin e vet dhe botën e jashtme.
Para nesh është përzgjedhja komplekse e poezisë, se Visar Zhitit që nga përmbledhja e parë deri tek libri i fundit poetik, që dëshmon në masë të mjaftueshme harkun zhvillimor poetik. Metamorfozat krijimtare, ndikimet, gërshetimet lirike dhe mëvetësinë, autenticitetin e shprehjes. Këto poezi, në fakt, në mënyrën më të mirë tregojnë sesi jeta dhe poezia gërshetohen reciprokisht dhe identifikohen, pa kurrfarë mistifikimesh apo mbindërtimi artistik. Ç’është e vërteta, poeti shkruan ashtu siç jeton dhe si ndjen, respektivisht ashtu siç e përjeton botën e brendshme(psikologjike, etike) dhe të jashtme (fizike, historike), me të cilën ka shumë mosmarrëveshje, paqartësi dhe sfida.
Që në shikimim të parë mund të hetohet se poezitë kanë varg të lirë, metrikë të thyer dhe dozë të caktuar narracioni, e cila e ndërlidhur me liriken, epiken dhe dramatiken të gjithë përmbledhjes i jep vulë të veçantë dhe rëndësi e kuptim artistik. Duke udhëtuar nëpër botë dhe duke takuar e njohur njerëz të rinj, vise dhe vende, Zhiti e shkruan një ditar të një lloji të veçantë të kujtimeve dhe të shtegtimeve, në të cilin ka edhe “llum të hidhur të përvojës”, siç do të thoshte Danilo Kishi, e që në radhë të parë ka të bëjë me burgosjen dhe izolimin krijues të tij. Disa poezi madje kanë atmosferë oruelliane dhe kafkiane në sensin e simbolizimit të çuditshme dhe të shprehjes se absurdit të kësaj bote.
Poezitë e tij nuk janë vetëm kryengritëse e plot revoltë dhe pezm të pakënaqësisë aq sa janë plotë dashuri, njerzillëk dhe falje («Aq afër e të ndarë”). Ai, para se gjithash është njeri, e tek pas kësaj poet. Krijues me shpirt etik dhe me motiv mëmëdhetar, i cili di të falë dhe i cili nuk urren askë. Këtë e dëshmon edhe titulli i poezisë “Ju dua Ju të gjithëve”. Ai është kozmopolit, njeridashës i theksuar dhe vrojtues, analist dhe komentues, i cili urtësisht e stoikisht i përballon të gjitha padrejtësitë dhe krajatat, të cilat e kanë goditur në jetë.
Duke e përjetuar tërë helmin e jetës, padrejtësitë e ndryshme, ndërskambëcat, shantazhimet e të këqijat, poeti nuk ua kthen njësoj, veçse me gjerësinë, me spontanitetin e natyrshëm dhe me urtësi dëshiron që të gjitha këto t’i tejkalojë dhe mos tua lërë harresës. Në këtë sens poezitë e tij janë gjurma të papërsëritshme dhe dëshmi ,gjegjësisht vragë shpirtërore dhe kujtime të dhimbshme, të cilat edhe nuk harrohen aq shpejt.
Nuk është e tepërt të thuhet se disa poezi kanë në një- farë dore, kuptim testamentar, respektivisht amaneti se të gjitha mund të falen por jo edhe të harrohen.
Më bëhet se poetika e Zhitit, filozofia jetësore dhe fenomenologjia e krijimtarisë është në përputhje adekuate me qëndrimin e njohur të Rajner Marije Rilkes, i cili atëbotë kishte thënë: «Êush flet për fitoren? Të rezistosh është e tëra”
Pra, nuk është e vështirë ta zbulosh dhe ta njohësh jetën e poetit dhe punën e tij, raportin e tij njerëzor dhe kozmopolit ndaj të gjithë njerëzve dhe vendeve, të cilat i përmend dhe të cilat e preokupojnë fantazinë, kërshërinë dhe vëmendjen e tij. Në këtë kontekst kanë lindur poezitë antologjike të cilat ia ka kushtuar djalit të tij, me rastin e qëndrimit në Beogradit, në rrugën “Shkodra”
Në saje të përkthimit të frymëzuar e të suksesshëm të Smajl Smakajt, kemi rastin që më plotësisht ta kundrojmë, në mënyrë kritike ta vlerësojmë dhe estetikisht ta njohim poezinë e poetiken e Visar Zhitit, e cila për shumëçka është e jashtëzakonshme, e veçantë, e vetëvetishme, dhe jetësisht e fuqishme. /KultPlus.com