12 Nëntor, 2020 - 1:48 pm
Medina Pasoma
Përballja me sfidat jetësore shumë shpesh i bën njerëzit të dobësohen, ndërkaq atë veçse e kanë forcuar. Blerina Murtezi i doli përballë çdo vështirësie, duke e bindur veten se ëndrrat e saj janë më të mëdha se çkado tjetër. Tanimë ajo frymon në raftet e lexuesve, nëpërmjet librit të saj të dytë ‘’Ëndrrat e mia’’, shkruan KultPlus.
Përderisa letërsia për shumicën është çlirim shpirtëror, për të ka qenë përherë një shpëtim. Ajo e kishte kapur lapsin për të rrëfyer problemet të cilat e preokupojnë, vështirësitë jetësore, bukuritë të cilat i haste por, edhe ëndrrat e saj. Pikërisht në momentin kur shkruante për këto të fundit, ajo veçse i falte realitet.
Librit të saj të parë ia dha emrin “Guxo”, për të rrëfyer nëpërmjet vargut guximin e madh që kishte një vajzë si ajo. Pasi që “guxoj” njëherë, pastaj ajo filloj ‘’të ëndërroj’’ duke ia sjellur frymëzimet poetike për të dytën herë me radhë publikut.
Pavarësisht pse u diagnostikua me distrofi muskulare, shkrimi dhe shkollimi për të mbeti gjithmonë një përpjekje jetësore. Anipse dyert e shkollës së mesme të Ferizajt nuk u hapën për të, ajo insistoj që të vazhdoj rrugën e dijes. 7 vitet në pritje i rezultuan me vazhdimin e shkollimit në Prishtinë, ndërkaq tani ajo ëndërron edhe të mbaroj fakultetin.
“Ëndrrat e mia” është vepra e radhës e poetes Blerina Murtezi, e cila është mirëpritur nga audienca. Teksa ajo shpalos rrugëtimin e saj me KultPlus, thekson se ëndrra e saj gjeti jetësim.
‘’Tani po më njihni me epitetin ‘shkrimtare’ dhe jam e lumtur që ia dola të bëhem. Kjo ishte një ëndërr e imja, ende pa e kuptuar fjalën poete’’, shprehet Murtezi.
Në ardhjen e saj të dytë me një libër, dukshëm që ajo është përmirësuar edhe më shumë. Madje edhe Blerina, këtë të fundit e quan si vepër që ka më shumë gjallëri.
‘’Poezitë kanë bukurinë e ëndrrave dhe dashurinë përrallore. Prandaj edhe u quajt ‘’Ëndrrat e mia’’, theksoj autorja.
Çdo autor ka muzën e tij dhe i sheh e ndjen gjërat varësisht nga këndvështrimet personale. Për Blerinën gjithçka që e rrethon mbetet një frymëzim.
“Ajo që më ka inspiruar për këtë temë është jeta ime, stinët që ndërrohen, ajri që merr”, tha autorja.
Për këtë libër Blerina dha një vit e gjysmë mund, duke i kombinuar poezitë e vjetra me ato që i shkruante gjatë procesit të punës.
‘’Në disa poezi shfaq edhe lumturi të realizimit të ëndrrave, e në disa jam ende në kërkim të lumturisë’’, thotë autorja Murtezi.
Mirëpo veprat ‘’Guxo’’ dhe ‘’Ëndrrat e mia’’ për të nuk mjaftojnë.
‘’Ajo për të cilën nuk do të heq dorë është studimi, deri ta rimëkëmbi shëndetin i cili ka qenë për mua gjithnjë parësori. Kjo është edhe arsyeja se nuk më njohët më herët si shkrimtare dhe pse shkollimin e ndërpreva’’
Blerina Murtezi do të shkoj edhe përtej tyre, duke u bërë një emër i njohur i letërsisë shqipe dhe duke u ngritur në studime akademike. /KultPlus.com