29 Qershor, 2020 - 11:50 pm
Në janar të vitit 1943, në Gjakovë lindi Teki Dervishi, shkrimtar e publicist i njohur, gjatë jetës së tij u mor me shkrime letrare e publicistike.
Sonte po e rikujtojmë njeriun i cili shkroi rreth 90 vepra letrare artistike, romane, poezi, drama, shkruan KultPlus.
Dervishi është autor i romaneve: ‘Pirgu i Lartë’, ‘Padrona’,’Skedarët’, ‘Nimfa’ dhe romane tjera.
Ka botuar edhe këto drama: ‘Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi’, ’Bregu i Pikëllimit’, ‘Pranvera e Librave’, ‘Eshtrat që kthehen vonë’, ‘Nesër nisemi për Parajsë’ e disa punë të tjera.
*
Teki Dervishi- TRIM I MARRË
në trotuar si beduin si kloshar
në rrugët e botës më zë natë
ngrysem si çifteli e kërleshur
vruga qepallave hije m’i bën
lirë e shes artin tim – mjeshtërinë
se bukën s’e dua lëmoshë
mëshirë s’e dua dashurinë
asnjë bar nostalgjinë s’ma shëron
re e mllefur në ballin tim
vetëton e bubullon
më vret dru të njomë
vonesa ime pranverore
do të kthjellet në paanësi e di
në veri atje ku një Doruntinë
psherëtin
e vëlla më pret t’i vij
malli për të boll më del
me leckat e mia vjeshta
rrugëve të planetit kah m’i vjel
*
Pas shkollimit fillor ai i ra në sy regjimit serb të asaj kohe dhe u burgos e u dënua që në moshën 17 vjeçare, ku vuajti dënimin disavjeçar në burgjet serbe. Teki Dërvishi është ndër të burgosurit më të rinj shqiptar që vuajti në burgun famëkeq jugosllav të Goli Otokut.
Brezi i shkrimtarëve që erdhi bashkë me Teki Dërvishin, siç ishin Beqir Musliu, Musa Ramadani, Ymer Shkreli, Xhabir Ahmeti, Resul Shabani, Nexhmedin Soba e ndonjë tjetër, ishte fryma që po thyente një traditë shkrimi, por edhe brezi i shkrimtarëve që arritën të bëjnë kalime të pahetueshme nga zhanri në zhanër duke qenë të suksesshëm në çdo njërin prej tyre.
Vdiq me 29 qershor 2011. / KultPlus.com