25 Shkurt, 2019 - 10:45 pm
Ministri Bytyqi mbase është i njoftuar për disa tekste mësimore, të cilat po thuhet se nuk e meritojnë të shfletohen nga nxënësit. Një i tillë u hoq nga përdorimi.
Mësuesja Remzie Hajdini po e mban orën e Gjuhës Shqipe me nxënësit e klasës së pestë.
Mirëpo brenda librit përralla e titulluar ‘Mos e fol atë fjalë’ të cilën ata po e lexonin nxiti reagime.
Të gjithë brenda klasës janë të shqetësuar me përmbajtjen brenda tekstit ani se është e paraparë me planprogram.
‘Katër vëllezërit që kanë grabitur një sirenë. Ky mësim nuk duket shumë edukativ pasi në këtë mësim po flitet për grabitje’, tha një nxënëse për Klan Kosovën.
Edhe mësuesja po thotë se teksti i autorit Bahri Beci në faqe 92 të librit të Gjuhës Shqipe përçon mesazhe negative, duke e promovuar martesën e dhunshme, grabitjet e kërcënimet.
Ajo thotë se do të bojkotojnë këtë njësi mësimore.
Hajdini thotë se kanë shumë raste kur ka tekste që diskriminojnë gjinitë dhe janë jashtë standardeve për tekste shkollore.
Për tekstet e tilla mësimore janë në dijeni edhe në Ministrinë e Arsimit. U tha se MASHT do të jetë e kujdesshme që në komisionet recensuese për tekste mësimore të përfshihen njerëz që nuk do të tolerojnë përmbajtje të tilla.