Tekstet shkollore, përplot informata fyese e të pavërteta

13 Nëntor, 2018 - 11:00 pm

Në librin e Psikologjisë për klasën e 11-të, në mësimin për dallime gjinore dhe sjellje emocionale thuhet se: Femrat janë më anksioze, të depresuara, kanë vetëbesim paksa më të ulët dhe përfshihen në agresivitet verbal indirekt, (p.sh shpërndarje thashethemesh të paqena). Ndërsa, për meshkujt në këtë tekst thuhet se: Meshkujt e rëndomtë përfshihen në më shumë agresivitet fizik dhe sjellje të rrezikshme dhe në këtë mënyrë bëjnë më shumë krime.

Përmbajtje të tilla po i cilësojnë si ofenduese, organizatat që analizojnë tekstet shkollore, raporton KTV.

Në një panel diskutimi për këtë çështje, Marigona Shabiu, drejtoreshë ekzekutive nga Nisma e të Rinjve për Të drejtat e Njeriut në Kosovë, ka thënë se në libra kryesisht të shkollimit të mesëm, kanë hasur në mbi 100 raste të gjuhës diskriminuese dhe ofenduese, në sterotipe të shumta dhe shumë të dhëna të pasakta.

Vjollca Shala, nënkryetare e SBASHK-ut, thotë se në dhjetë vjetët e fundit janë po të njëjtët libra pa kurrfarë ndryshime.

Ajo kërkon nga Ministria e Arsimit të ketë më shumë kujdes që të mos përsëriten të njëjtat telashe.

Ministria e Arsimit tashmë është në fazën e hartimit të librave të rinj dhe korrigjimit të disa prej tyre.

Ndonëse ky institucion u zotua se ky vit shkollor do të niste me libra të rinj, nxënësit e Kosovës janë duke mësuar me të njëjtat libra me të tilla gabime.

Por Fatime Jasiqi nga MASHT-i, ka thënë se po punohet që gabimet të eliminohen.

Në këtë panel u tha se edhe mësimdhënësit luajnë rol të rëndësishëm që nxënësve të mos ua mësojnë ato tekste që kanë përmbajtje fyese ose informata të pasakta. /KultPlus.com
https://video.gjirafa.com/tekstet-shkollore-perplot-informata-fyese-e-te-paverteta

Të ngjajshme