11 Gusht, 2021 - 7:01 pm
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përkujtoi sot 232-vjetorin e ndarjes nga jeta të Teodor Anastas Kavaliotit, mendimtar, filozof dhe iluminist, drejtor i Akademisë së Voskopojës.
Në çdo vepër të tij, Teodor Anastas Kavalioti nuk harron të shënojë, bashkë me emrin, edhe vendin ku kishte lindur, Voskopojën.
Data e lindjes nuk i dihet me siguri. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa studimet më të zgjeruara i kreu në Janinë, me mësuesit më të shquar të kohës. U kthye në Voskopojë, ku vijoi të studionte, por edhe të mësonte nxënësit e zonës.
Më 1743 u emërua mësues i shkollës së Voskopojës, kurse më 1746 drejtor i saj. Pas përfundimit të ndërtesës së re më 1750, shkolla u emërtua Akademi e Voskopojës, duke marrë mbi vete, me meritë, lavdinë e së dikurshmes Akademi të Athinës.
Voskopojarët patën meritën e ndërtimit të saj, kurse Kavalioti, pa dyshim, mban meritën e zhvillimit dhe kthimit të Akademisë në shkëndijë iluministe në një kohë jo fort të përshtatshme për të bluar idetë e Aristotelit, Antrakitit e Dekartit.
Teksa merrej me mësimdhënien, Kavalioti edhe përgatiste tekste mësimore e vepra të mirëfillta autoriale. Kështu, më 1743 shkroi “Logjikën”, më 1752 “Fizikën” dhe më 1767 “Metafizikën”. Më 1760 botoi në shtypshkronjën e Voskopojës “Gramatikë e greqishtes”, kurse më 1774, meqenëse shtypshkronja në Voskopojë u shkatërrua bashkë me qytetin më 1769, botoi në Venecia veprën “Protopiria” (“Fillesat”), ku përfshihet dhe një fjalor trigjuhësh në greqisht, vllahisht e shqip me 1170 fjalë, duke na dhënë një fjalës të pasur, gjithmonë për kohën, të shqipes së asaj periudhe. Veç veprimtarisë arsimore, Kavalioti ishte edhe klerik, dhe mbante gradën e protopapës së Voskopojës.
Vdiq në vendlindje më 11 gusht 1789.
DPA publikoi edhe dorëshkrimet e dy prej veprave të Kavaliotit që ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror, “Fizika” me 2 vizatimet e barometrit që shoqërojnë tekstin, dhe “Metafizika”. / KultPlus.com