22 Tetor, 2019 - 5:00 pm
Nga James Friend
Adolf Hitleri, është figura historike më e shëmtuar, por ndoshta edhe më e fuqishme e saj. Ai ishte, më shumë se cilido tjetër, arkitekti i Luftës së Dytë Botërore , një konflikt që ndryshoi botën përgjithmonë. Udhëheqësi nazist, ka qenë subjekt i më shumë librave, filmave dhe dokumentarëve se çdo individ tjetër, i gjallë apo i vdekur. Megjithatë, pavarësisht nga ky interes intensiv dhe i qëndrueshëm, ka ende shumë gëra mbi Hitlerin, të cilat ne nuk i dimë me siguri.
Ja cilat janë 10 nga teoritë më të debatuara, mbi jetën dhe vdekjen e Fyhrerit.
Ai ishte Hitleri një ushtar trim?
Historia thotë se ai ishte një ushtar trim, që rrezikonte periodikisht jetën. Ky ishte sigurisht versioni i historisë i paraqitur nga nazistët, por studimet e fundit sugjerojnë se trimëria e tij në Luftën e Parë Botërore, mund të jetë zmadhuar shumë.
Dr.Tomas Ueber i Universitetit Aberdin në Skoci, ka studiuar çdo ditar apo letra që gjeti të shkruara nga ushtarët, që kishin shërbyer në regjimentin e Hitlerit. Ai zbuloi se Hitleri angazhohej kryesisht në përçimin e informacioneve nga fronti tek shtabi qëndror, një detyrë që e zhvendoste disa kilometra pas linjave të para të betejave.
Ai ishte Hitleri pjesërisht hebre?
Detajet e pemës familjare të Adolf Hitlerit nga e ëma dihen mirë. Por s’mund të thuhet e njëjta gjë të atin. Alois Shiklgryber, që më vonë e ndërroi mbiemrin e tij në Hitler, ishte një fëmijë jashtë martese. Askush nuk e dinte se kush ishte i ati i Shiklgryber.
Historianët janë përpjekur shumë të zbulojnë identitetin e vërtetë të gjyshit të Adolf Hitlerit. Misteri nuk është zgjidhur kurrë, por një nga kandidatët potencialë, është një hebre me emrin Leopold Frankenberger. Nga rezultati i AND-së së 39 prej të afërmve të Hitlerit që i mbijetuan luftës, rezulton se ai e ka prejardhjen pjesërisht nga berberët e Afrikës Veriore, dhe populli hebre.
A ishte një ushtar britanik që i kurseu jetën e Hitlerit?
Henri Tandej ishte një hero lufte, një nga ushtarët më të dekoruar në ushtrinë britanike, dhe ndoshta njeriu që pa dashje humbi një mundësi të artë, për të parandaluar Luftën e Dytë Botërore. Legjenda thotë se Tandej dhe Hitler u takuan ballë për ballë në një fushë beteje të Luftës së Parë Botërore.
Thuhet se britanku e mëshiroi, dhe e la të largohej Hitlerin e paarmatosur dhe të plagosur.
Në shtatorin e vitit 1938, kryeministri britanik, Nevil Çamberlen, shkoi në Gjermani në një përpjekje optimiste, por në fund të dështuar, për të siguruar paqen në Evropë.
Ai vuri re një fotografi të një ushtari britanik, Henri Tandej, në muret e studios së Hitlerit. Fyheri shpjegoi se ai e kishte parë foton e Tandej në një gazetë, dhe e njohu atë si njeriun që i kurseu jetën e tij gjatë Luftës së Madhe. Ndoshta Hitleri mund të ketë gabuar. Ndoshta ai e shpiku historinë, për të forcuar mitin e tij si një njeri të mbrojtur nga fati. Megjithatë, Tandej e konfirmoi vetë se i kishte kursyer jetën disa ushtarëve gjermanë. Ka gjasa që njëri prej tyre të kete qenë Adolf Hitleri.
A ishte Hitleri një diktator i dobët?
Në kulmin e fuqisë së tij, Adolf Hitleri udhëhiqte një perandori të madhe që shtrihej pothuajse në tërë Evropën kontinentale, dhe një pjesë të madhe të Afrikës së Veriut. Imazhi konvencional i Hitlerit, është ai i një sundimtari në qendër të këtij rrjeti të gjerë, që merrte të gjitha vendimet e rëndësishme dhe tërhiqte nga lart të gjitha fijet.
Mbështetësit e teorisë së një diktatori të dobët, e pranojnë se Hitleri ishte njeriu më i fuqishëm në Rajh. Por ata argumentojnë, se ai qe i paaftë të ushtronte llojin e kontrollit të drejtpërdrejtë ndaj vartësve të tij, sikurse Josif Stalini në Bashkimin Sovjetik.
A ishte Hitleri i obsesionuar pas okultizmit?
Disa nga pjesëtarët e rrethit të ngushtë të Hitlerit, besuan fuqishëm në fuqinë e mbinatyrshme dhe magjinë. Hajnrih Himler krijoi një njësi të posaçme brenda SS, për të mbledhur informacione mbi magjinë, ndërsa marina gjermane ngriti madje Institutin Kombëtar të Pendulumit në Berlin.
Ndërsa britanikët, përdornin sonarin për të gjurmuar nëndetëset së gjermane, gjermanët u përpoqën t’i gjenin anijet britanike, duke përdorur lavjerrësin mbi hartat e Oqeanit Atlantik.
Sesa ishte i bindur Hitleri në ekzistencën e fuqive të mbinatyrshme, kjo është e diskutueshme. Megjithatë, s’ka dyshim që ai fliste shpesh për një forcë, që ai e quajti “providencë”, e cila e mbronte atë, dhe udhëzonte veprimet e tij.
A ishte Hitleri një përdorues droge?
Adolf Hitleri nuk pinte duhan, alkool, dhe nuk hante mish. Ai madje nuk konsumonte as kafe. Propaganda naziste e portretizoi atë si një njeri të përkushtuar gjithë jetën e tij në shërbim të Gjermanisë:ai s’kishte as kohë, dhe as prirje të ndiqte kënaqësitë tokësore.
Por realiteti, ishte se Hitleri e kaloi pjesën më të madhe të luftës i droguar me një koktej të tmerrshëm lëndësh narkotike. Në fillim të vitit 1945, fabrikat që prodhonin medikamentet me të cilat ai mbahej në këmbë, u shkatërruan nga bombarduesit aleatë. Hitleri nisi të dridhej gjithnjë e më shpesh, dhe jo sëmundja e Parkinsonit siç është hipotetizuar shpesh, por nga mungesa e barnave, gjë që e përkeqësoi gjendje e tij mendore dhe fizike, kur lufta në Evropë po i afrohej fundit.
A i mbijetoi Hitleri luftës?
Nga të dhënat, e dimë me shumë siguri se Hitleri ndodhej ende në Berlin në ditëlindjen e tij, më 20 prillit 1945, vetëm 2 javë para se qyteti të kapitullonte. Kur kjo ndodhi, policia sekrete e Stalinit e pengoi Marrshallin Zhukov, komandantin e lartë sovjetik në të gjithë Frontin Lindor, të inspektonte bunkerin e Hitlerit nën kancelarinë e Rajhut.
Kur mbërritën amerikanët dhe britanikët, Hitleri, qoftë i gjallë apo i vdekur, ishte zhdukur prej kohësh. Me mungesën e ndonjë mbetje fizike për të shqyrtuar, FBI dhe CIA fillimisht mbetën të hapura ndaj skenarit që Hitleri mund të kishte shpëtuar gjallë.
Dhe kjo nuk qe aspak e paimagjinueshme. Por provat e shumta, tregojnë që ky nuk ka të ngjarë të ketë qenë rasti. Dhjetëra dëshmitarë okularë, konfirmojnë praninë e Hitlerit në Berlin, kur Ushtria e Kuqe gjendej shumë pranë bunkerit të tij. Nëndetësja për të cilën u tha se u arratis, u gjet më vonë e fundosur në Detin e Veriut midis Danimarkës dhe Norvegjisë.
Këtë vit, Arkivi Kombëtar i Rusisë, i lejoi ekspertët të studionin një palë dhëmbë që thuhej se i përkisnin Hitlerit. Një ekip patologësh francezë, i krahasoi ato me një grafi të dhëmbëve të Hitlerit në vitin 1944, dhe gjeti një përputhshmëri të madhe. Gjithsesi thashethemet se ai u arratis në Amerikën e Jugut apo edhe në Antarktidë, nuk vdesin lehtë. / KultPlus.com