14 Tetor, 2017 - 3:05 pm
At Shtjefën Gjeçovi i përket plejadës së patriotëve më të shquar të tri dekadave të fillimit të shekullit njëzet, ka thënë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në manifestimin letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Gjeçovit”, që po mbahet në Zym të Hasit.
Me këtë rast i pari i vendit tha se Zymi ka një histori të veçantë, ngase ky emër lidhet me punën e palodhshme të patriotit të shquar të fazës së vonë të Rilindjes Kombëtare, me emrin e Shtjefën Gjeçovit.
“Një intelektual me mendje të rrallë, At Shtjefën Gjeçovi ishte figurë poliedrike: arkeolog, etnograf, mbledhës i folklorit, autor i disa librave e mbi të gjitha mbledhës dhe sistemues i “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, i kësaj kryevepre, që njihet si kod juridik dhe zakonor i shqiptarëve për një kohë të gjatë. Ai ishte në kontakt të vazhdueshëm me ideatorin e pavarësisë së Shqipërisë, Hasan Prishtinën, me Dedë Gjo Lulin, Bajram Currin, Azem Bejtën dhe patriotë tjerë të kohës. Prandaj idetë e tij përparimtare për unitetin kombëtar pavarësisht bindjeve fetare, përhapja e librit shqip, lidhjet me intelektualët dhe patriotët e kohës, bënë që ai një ditë vritet në pritë nga qarqet antishqiptare, në vitin 1929”, tha i pari i vendit.
Presidenti Thaçi tha se Zymi i Hasit njihet si vend nga ku dolën figura të mëdha kombëtare, si Pjetër Bogdani, Katarina Josipi, Anton Pashku dhe shumë intelektualë që me veprën e tyre ndikuan në emancipimin e këtyre viseve.
“Hasi i figurave madhore historike, kulturore e kombëtare hapi një kapitull të ndritur në kohën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hasjanët nuk hezituan asnjë çast t’i bashkohen luftës çlirimtare”, theksoi presidenti Thaçi.
Ai ka përmendur faktin se Hasi ishte arteria kryesore për sjelljen e armatimit në Kosovë, por edhe të luftëtarëve të lirisë.
“Hasi ishte fushëbeteja e luftërave të mëdha. Hasi ishte kjo arenë e fushëbetejave që nxiti edhe komunitetin ndërkombëtarë të mendoj seriozisht për Kosovën”, shtoi i pari i vendit, duke theksuar se “Sot, përballë bjeshkëve të Pashtrikut legjendar, kujtojmë me respekt dhe përkulemi para të gjithë dëshmorëve të Hasit të rënë për lirinë dhe pavarësinë e vendit”.
Në fund, i pari i vendit tha se nuk ka si të mos shprehin konsideratë për të gjithë intelektualët e veprimtarët që mbajtën të gjallë manifestimin letrar dhe kulturor “Takimet e Gjeçovit”. / KultPlus.com