18 Gusht, 2019 - 4:00 pm
Në prologun e novelës debutuese, por mahnitëse të Regina Porterit, katërvjeçari James Vincent Jr. pyet babanë zjarrfikës se pse njerëzit duhet të flenë.
Babai i përgjigjet ashpërsisht, duke i thënë se “Zoti duhet të ndreqë të gjitha gjërat që njerëzit i kanë shkërdhyer gjatë ditës”. Disa dekada më vonë, kur nipi i tij ia shtron po të njëjtën pyetje, James heziton para se të përgjigjet. “Kurrkush nuk e di”, ia kthen më në fund ai. “Gjumi është një mister”.
Porterm, dramaturge amerikane e shpërblyer me shumë çmime të rëndësishme, interesohet për misteret e jetës sikurse ne që duam të dimë se ku kemi gabuar kur gjërat na shkojnë lëmsh.
Duke ndjekur rrëfimet e dy familjeve të racave e klaneve të ndryshme, njëra e bardhë e tjera me ngjyrë, “The Travelers” udhëton nëpër gjashtë dekada të trazuara të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe përtej tyre, duke trajtuar disa prej çështjeve të lidhura me të drejtat e njeriut të viteve pesëdhjetë deri te viti i parë i presidentit të parë me ngjyrë në Shtëpinë e Bardhë, Barack Obama.
Novela zë fill në mënyrë goxha konvencionale: Agnes Miller është fëmija i vetëm që ka gëzuar shtëpinë, por që rritet në Georgian e Jim Crowit. Por kur Agnes dhe i dashuri i saj, të dytë me ngjyrë, ndalohen dhe arrestohen natën vonë nga një polic i bardhë në një rrugë me emrin “Dasmascus” dhe Agnesi ndahet për t’u marrë “në pyetje”, tmerri i saj, që asnjëherë nuk diskutohet e as nuk pranohet, kthehet në një bombë të heshtur për historinë e saj, duke shkërmoqur jo vetëm jetën e saj, por edhe krejt historinë që shtjellohet në këtë novelë.
Prej atij momenti, novela e Porterit heq dorë prej kronologjisë së ngjarjeve dhe kalon lirshëm nëpër kohë e vende, në një seri zhvillimesh të rëndomta, por të zhbiruara me kujdes të madh prej autores, që janë boshti i tematikës së veprës. Fëmijët rishfaqen si dashnorë, dashnorët si gjyshër të lënë pas dore.
Karakteret dytësore sillen krejt papritmas në ngjarje, pa ndonjë paralajmërim për rikthimin e tyre në skenat e zhvilluara. Ngjarjet përshkruhen në mënyrë mahnitëse si një skenar filmi ose nëpërmjet letrave që këmbehen ndërmjet karaktereve, duke shtuar edhe më shumë hollësi për temat e librit. /KultPlus.com