15 Shkurt, 2019 - 10:13 am
Instituti Albanologjik i Prishtinës ka themeluar çmimin “Idriz Ajeti”. Ky çmim do të ndahet çdo vit nga ky institucion për veprën më të mirë në fushën e studimeve shqiptare. Çmimi është themeluar me vendim të Këshillit Drejtues të Institutit, një ditë pas vdekjes së akademik Idriz Ajetit.
Lajmi është bërë i ditur në mbledhjen komemorative të Institutit të enjten, përcjell sot Koha Ditore. Në këtë mbledhje, Ajeti i cili ka vdekur në moshën 102-vjeçare, është vlerësuar si njëri prej intelektualëve më të mëdhenj. Është kujtuar kontributi i tij në shkencë e si udhëheqës institucionesh.
Drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Hysen Matoshi, ka thënë se jeta, veprimtaria intelektuale dhe vepra e tij shkencore janë të lidhura ngushtë me rrugëtimin e vështirë historik të kombit të tij, me ecjen e shqiptarëve drejt caqeve të lirisë, të dijes e të përparimit.
Sipas tij, për akademik Idriz Ajetin më shumë se e djeshmja dhe e sotmja do të flasë e ardhmja. / KultPlus.com