28 Qershor, 2019 - 2:57 pm
Në Kosovë për herë të parë është themeluar Qendra për Certifikim “Dante Alighieri”, e cila do t’i certifikojë të gjithë ata që njohin gjuhën italiane me certifikatën “Plida” që njihet në Itali dhe gjithë botën.
Çdo vit mijëra njerëz në mbarë botën vërtetojnë njohuritë e tyre të italishtes me testet “Plida” dhe marrin një certifikatë të njohur nga shteti italian dhe të vlefshme në mbarë botën. “Plida” organizon provimet katër herë në vit dhe komisioni përbëhet nga: Giovanni Polliani, Arjeta Berisha, dhe Chiara Laura Bonetti.
Studentët që kalojnë testet marrin certifikatën “Plida” të nivelit përkatës. Ndërsa, për t’u regjistruar për provimin e testit “Plida” nuk ka kufizime të moshës. Secili kandidat mund të zgjedhë nivelin përkatës dhe nuk është e nevojshme që të ketë kaluar nivele më të ulëta.
Po ashtu secili kandidat zgjedh nivelin që ai ose ajo e konsideron më të afërt me zotërimin e gjuhës italiane dhe gjithashtu mund të regjistrohet në disa nivele brenda të njëjtit sesion.
Kalendari për provimet e organizuara, i vlefshëm në mbarë botën gjendet në www.plida.it.
Çfarë ju duhet certifikimi “Plida”: Për leje qëndrimi (nga niveli A2) (dekreti i presidentit 179, i datës 14 shtator 2011); për leje qëndrimi të gjatë (dekreti ministror, 4 qershor 2010), transmeton fakteplus.
Regjistrimi në universitetin italian pa u nënshtruar provimit të gjuhës italiane (niveli C1) (info: http://www.studiare-in-italia.it/studentistranieri/); të përjashtoheni nga provimi italian për licencën dygjuhësore në Trentino Alto-Adige (dekreti presidencial 86, i 14 majit 2010); paraqitja në mënyrë transparente të nivelin tuaj të njohurisë italiane, në CV.