Bertolt Brecht: Të hezitosh është gjë e mirë, nëse pastaj e bën gjënë e duhur

26 Shtator, 2024 - 7:30 pm

Bertolt (Eugen Berthold Friedrich) Brecht-i është ndër më të njohurit dramaturgë dhe poetë gjermanë të shekullit XX. Ai lindi në Augsburg, qytet në juglindje të Bavarisë.

Nga fundi i Luftës së Parë Botërore regjistrohet në Universitetin e Munihut për Mjekësi dhe Shkenca Natyrore, por duke qenë më shumë i interesuar në çështjet letrare, ai nuk e merr seriozisht studimin e këtyre disiplinave. Poezitë e para nis t’i publikojë në gazetën vendase të Augsburgut kur ishte shumë i ri. Më pas do të angazhohet me shkrime (kritike) mbi teatrin. Siç e rrëfen vetë, ai kishte shkruar katër drama dhe një opera kur nisi të lexojë për herë të parë analiza politike dhe shkrime të Marksit.

Njohja me teorinë marksiste do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm te Brecht-i, çka do të reflektohet në të gjithë krijimtarinë poetike, letrare dhe intelektuale: në fakt prej këtu e gjithë vepra e Brecht-it mund te themi se do të jetë e drejtuar vetëm në shërbim të përparimit dhe emancipimit politik të klasës punëtore. Walter Benjamin-i thotë se ai ishte i pari që u drejtoi intelektualëve kërkesën për të mos e furnizuar aparatin e prodhimit pa e ndryshuar atë në drejtim të socializmit.[1] Intelektualët e interesuar në çlirimin e punëtorisë, ose inteligjenca progresive/revolucionare siç e quan Brecht-i, nuk duhet t’i shërbejnë aparatit prodhues të kohës, por duhet që brenda mundësive ta ndryshojnë në interes të klasës punëtore.

Edhe pse nuk u bë asnjëherë anëtar i Partisë Komuniste Gjermane, Brecht-i gjithsesi dakordësohej me të gjitha qëllimet revolucionare të saj. I vetëdijshëm për rrezikun që i kanosej, një natë përpara ardhjes në pushtet të nazistëve, Brecht-i largohet nga Gjermania, një arrati që do të përfundojë vetëm me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore. Pasi marrin pushtetin, nazistët urdhërojnë djegien e të gjitha veprave të tij. Atij i hiqet edhe shtetësia gjermane me akuzën për “tradhti të lartë”. Gjatë kësaj kohe, ai shkruan pjesët më të rëndësishme mbi teatrin, si dhe poezi e novela. Pas mbarimit të luftës kthehet dhe vendoset në Berlinin Lindor ku angazhohet ne veçanti me teatrin epik. / KultPlus.com

Të ngjajshme