11 Nëntor, 2023 - 4:30 pm
Fjodor Dostojevski kishte lindur më 11 nëntor 1821, për të lënë të pavdekshme veprën e tij, shkruan KultPlus.
Ai vuri themelet e prozës së gjatë për fuqinë përshkruese, depërtimin e thellë psikologjik dhe peshën e madhe që i dha letërsisë në komunikim me lexuesin. Trazirat e mëdha që kishte kaluar, e bën që këto kthesa të mëdha jetësore t’i ketë përvojë edhe në shkrimet e tij, të cilat mbesin unike dhe madhore.
Një nënë e vdekur nga tuberkulozi, një baba alkoolist dhe dënimi me vdekje, ishin përvojat e tij më të rënda. Fatmirësisht cari e anuloi vendimin për pushkatimin e rrethit radikal politiko-letrar ‘’Petrashevski’’, në të cilën bënte pjesë edhe Fjodori.
Mirëpo, ai vazhdoj me burgosje dhe punë të rënda për 4 vite me radhë. Ndërkaq ato që e ngritën emrin e tij krahas klasikëve letrarë dhe që edhe sot e bëjnë të lexohen anë e kënd botës ishin veprat e tij. ‘’Krim dhe Ndëshkim’’, ‘’Një zemër e thyer’’, ‘’Të poshtëruar e të fyer’’ e ‘’Njerëz të varfër”, të cilat janë vetëm disa nga veprat që i dhanë vulë letërsisë ruse dhe botërore.
Sot, KultPlus ju sjell thënie nga Fjodor Dostojevski:
Duhet ta duash jetën, më shumë se sa vetë kuptimin e jetës.
Kur ndaloni së lexuari libra, ju pushoni së menduari.
Liria nuk gjendet në kufizimin, por në kontrollin e vetvetes.
Në një zemër që dashuron vërtet, ose xhelozia vret dashurinë, ose dashuria vret xhelozinë.
Heshtja është gjithmonë e bukur, dhe një person i heshtur është gjithmonë më i bukur se një që flet.
Kurrë nuk do të mbërrini në destinacionin tuaj, në qoftë se ndaleni dhe qëlloni me gur çdo qen që leh.
Unë dua të flas për çdo gjë me të paktën një person, ashtu si unë flas për gjërat, me veten time.
Çfarë është Ferri? Unë mendoj se është vuajtja e të qenit të paaftë për të dashuruar.
Asgjë në këtë botë nuk është më e vështirë se sa thënia e të vërtetës, dhe asgjë më e lehtë se lajka.
Misteri i ekzistencës njerëzore, nuk qëndron vetëm tek të qenit gjallë, por në gjetjen e një qëllimi për të jetuar. / KultPlus.com