19 Qershor, 2023 - 11:55 pm
Kamy ishte shkrimtar dhe filozof francez, njëherit edhe fitues i çmimit Nobel për Letërsi në vitin 1957. Është i njohur për stilin karakteristik të shkrimit dhe me tematikat e veprave të tij. I gjithë opusi letrar i tij bazohet në idenë absurde të egzistencës së njeriut.
Më poshtë KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të njohura të tij.
Një shtyp i lirë, natyrisht, mund të jetë i mirë ose i keq, por, në mënyrën më të sigurtë, pa liri shtypi nuk do të jetë gjë tjetër veçse i keq.
Një ndërgjegje fajtore ka nevojë të rrëfehet. Një vepër arti është një rrëfesë.
Një njeri pa etikë është një bishë e humbur në këtë botë.
Ah, miku im, për këdo që është i vetmuar, pa Zot dhe pa mësues, pesha e ditëve është e lemerishme.
Medet, pas njëfarë moshë, çdo njeri është përgjegjës për fytyrën e tij.
Të gjitha bëmat e mëdha dhe mendimet e mëdha kanë një fillim qesharak. Veprat e mëdha shpesh kanë lindur në një qoshe rruge apo në derën rrotulluese të një restoranti.
Të gjitha revolucionet moderne kanë përfunduar në një përforcim të pushtetit të Shtetit.
Intelektuali është dikush mendja e të cilit vështron veten e saj.
Kur bëhet 30 vjeç njeriu duhet ta njohë veten si në pëllëmbë të dorës, të dijë saktësisht të gjitha të metat dhe kualitetet, ta dijë sa larg ai mund të shkojë, të parathotë dështimet e tij – të jetë ai që është. Dhe, mbi të gjitha, t’i pranojë këto gjëra.
Janë të bekuara zemrat që mund të lakohen; ato nuk do të thyhen kurrë.
E çfarë është lumturia përveçse një harmoni e thjeshtë midis një njeriu dhe jetës që ai bën?
Rregulli është që qeveria nuk ka ndërgjegje. Nganjëherë ka një politikë, por asgjë më shumë.
Sharmi është një mënyrë për të marrë përgjigjen po kërkuar një pyetje të qartë.
Mos ju beso miqve kur ata të kërkojnë të jesh i ndershëm me ata. E gjitha ç’duan ata është të mbajnë mendimin e mirë që ata kanë për veten e tyre.
Mos prit gjyqin e fundit – ai ndodh çdo ditë.
Mos ec pas meje; nuk jam prijës. Mos ec para meje ; nuk mund të të ndjek. Ec përkrah meje dhe ji miku im.
Çdo akt rebelimi shpreh nostalgjinë për pafajësinë dhe një thirrje ndaj thelbit të qenies.
Çdo njeri ka nevojë për skllevër si për ajër të pastër. Të sundosh do të thotë të marrësh frymë, apo jo? Madje edh më të paprivilegjuarit duan të marrin frymë. Ata të shkallës më të ulët kanë skllevër gratë ose fëmijët e tyre.
Çdo revolucionar përfundon në shtypës ose në heretik.
Liria nuk është gjë tjetër veçse një shans për të qenë më mirë.
Ai që dëshpërohet nga gjendja njerëzore është burracak, por ai që shpreson për të është budalla.
Si mund të jetë çiltërsia një kusht për miqësi? Shijimi i së vërtetës me çdo kusht është një pasion që nuk shpenzon asgjë.
Sa e rëndë, sa e hidhur është të bëhesh njeri!
Unë di vetëm një detyrë, ajo është të dashuroj.
Në mes të dimrit e kuptova më në fund se brenda meje ishte një verë që nuk çrrënjoset.
Integriteti nuk ka nevojë për ligje.
Është normale të japësh pak nga jeta jote, në mënyrë që të mos e humbësh krejtësisht.
Njeriu është një ide, dhe është një ide e vogël e çmuar sapo ia kthen shpinën dashurisë. Njeriu është krijesa e vetme që nuk pranon të jetë çfarë është. / KultPlus.com