24 Gusht, 2020 - 11:00 pm
Nga Philadelphia ku lindi eksperimenti amerikan, një ish-president – në kohën e pikut të shikueshmërisë – iu adresua kombit që dikur e drejtoi, duke paralajmëruar se pasardhësi i tij veç i ka hyrë shtegut të shkatërrimit të vetë demokracisë.
Ishte vazhdimësi e një dueli të kamotshëm mes Barack Obamas dhe Donald Trumpit, që në mënyrë të përkryer ka shfaqur kontrastet në temperamentin personal dhe politik të dy prej banorëve më të përfolur të kësaj epoke të Shtëpisë së Bardhë.
Rivaliteti i tyre arriti në një pikë të paprecedent të historisë moderne të presidencës.
Obama serioz dhe intelektual, mbajti një prej ligjëratave më komplekse të Kushtetutës gjatë Konventës virtuale të Partisë Demokratike.
Bëri një përmbledhje historike, duke ngërthyer themeluesit dhe lëvizjen për të drejtat civile, pasurinë e emigrantëve amerikanë, dhe të rinjve u bëri thirrje që të nguten për të shpëtuar liritë e tyre, ashtu siç bënë paraardhësit e tyre çdo herë kur premtimi i shtetit ishte në rrezik.
Ndërkohë Trumpi nga Shtëpia e Bardhë postonte në kohë reale mesazhe plot zemërim rreth temave të përmendura në Konventë.
Nxiti akuza dhe gënjeshtra që veçse shërbenin si prova bashkëkohore të paralajmërimeve që po bënte paraardhësi i tij në televizion.
Në vitin 2004, Obama bëri emër me shpresën rioshe, të bollshme dhe ndoshta edhe naive kur mbajti fjalimin në Konventën e Partisë Demokratike.
Gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë, Obama thinjosh bëri thirrje se Amerika duhet të presë nga “presidenti që të jetë gardian i kësaj demokracie”.
“Pavarësisht egos, ambicies ose besimeve politike, duhet të presim nga presidenti që t’i ruajë dhe mbrojë liritë dhe idealet për të cilat shumë amerikanë kanë marshuar dhe janë burgosur ose kanë vdekur”.
Obama tani është veç një qytetar i thjeshtë, nuk ka fuqi formale dhe mandat për t’iu drejtuar amerikanëve në mënyrën si e bëri të mërkurën mbrëma në Konventën virtuale që si formë izolimi ishte përçues i natyrës së zymtë të mesazhit të tij.
Ama ai ka autoritetin e statusit të tij historik dhe peshën morale të dy mandateve në Shtëpinë e Bardhë dhe popullaritetit të qëndrueshëm te gjysma e vendit që është revoltuar nga abuzimi i Trumpit me pushtetin, politikën raciste dhe me kultivimin e vazhdueshëm të egos së tij.
Shkeljes së rregullave për presidentët e pensionuar u paraprinë sulmet e pareshtura që Trumpi ia bëri Obamas në katër vjetët e parë. Një gjë e tillë nuk ndodhi nga asnjë pasardhës presidencial. Megjithatë, Trumpi sa herë donte e akuzonte Obaman për tradhti.
Vetë ish-presidenti e shfaqi veten si mbrojtës të demokracisë, të 243 vjetëve me norma kushtetuese dhe autoritetit të huazuar nga masa, jo të dhënë nga një lider më i fuqishëm nga lart.
“Mos i lejoni t’ua marrin fuqinë tuaj. Mos i lejoni t’ua marrin demokracinë”.
Kjo ishte një lutje e Obamas sesa përgënjeshtrim i politikave të shkatërruara nga paraardhësi i tij.
Demokratët tash e katër vjet kanë pritur që Obama të ngrejë zërin në atë formë. Por nëse do t’i komentonte çdo ditë acarimet e Trumpit, fjalimi i së mërkurës mbrëma i ish-të zotit të Shtëpisë së Bardhë do të kishte mungesë ndikimi dhe kapitali politik, të cilin me vite të tëra e ka krijuar mes votuesve.
Ai e qortoi Trumpin siç i ka hije një anëtari të klubit të presidentëve – vëllazëri që e përqesh presidenti aktual.
“Kurrë nuk kam pritur që pasardhësi im do të përqafonte vizionin apo do të vazhdonte politikat e mia. Shpresoja që për hatër të shtetit tonë, Donald Trumpi do të tregonte interes që punën ta merrte me seriozitet, se do ta ndiente peshën e zyrës dhe se do të zbulonte nderin për demokracinë që ishte nën kujdesin e tij”.
Ishte pasqyrim i Presidencës së Trumpit për të cilën çdo kush e di. Ishte provë e një presidenti që shpërblen veten me çmimet kryesore edhe në një pandemi që ka lënë të vdekur më shumë se 170 mijë amerikanë. Këtë pandemi ai e ka injoruar, keqmenaxhuar dhe keqprezantuar.
Trumpi ka injoruar ose sulmuar çdo institucion që ka tentuar ta bëjë përgjegjës, që prej Kongresit, gjykatave, Departamentit të Drejtësisë, ushtarakëve dhe mediave. Ai shpërndan në Twitter propagandë të Inteligjencës ruse.
Në shumë mënyra, krejt presidenca e Trumpit përshkruhet si tentim për të shfarosur Obaman nga faqet e historisë. Çdo herë e sulmoi pa mëshirë në një komplot racist mbi të cilin ndërtoi lëvizjen politike ndaj Obamas.
Për shembull të mërkurën, ai tentoi edhe një herë të shkatërronte Marrëveshjen bërthamore me Iranin, e cila është arritja më e madhe e Obamas në politikën e jashtme.
Loja me fjalë e së mërkurës mbrëma është përshkrues se si këto zgjedhje do të përcaktojnë nëse do të vazhdojë tendosja politike në Amerikën e mbushur me demagogji populiste të ofruar nga Trumpi apo nëse do të bëhet kryqëzata shumëkulturore e demokratëve të Obamës për një komb gjithnjë e më të larmishëm.
Ama Obama nuk e pranon humbjen për demokracinë, andaj tha se koha dhe paraardhësit e amerikanëve modernë kishin të njëjtat dyshime.
“Kjo administratë ka treguar se për fitore është në gjendje ta bëjë copash demokracinë tonë”.
Me këtë deklaratë, Obama bëri thirrje për përkrahje me vota ndaj demokratëve Joe Biden e Kamala Harris.