27 Shtator, 2022 - 7:15 pm
Era Berisha
Libri “Tipografia shqiptare 1555-1912” nga autori Yll Rugova është një kërkim dy vjeçar mbi historinë e shkronjave, shtypshkronjave dhe alfabeteve të gjuhës shqipe. Ndonëse autori ka synuar që në fillim të gjurmoheshin vetëm gjurmët tipografike të botimeve të hershme shqipe, studimi i tij na dërgon në një rrugëtim që nis nga viti 1555 e vazhdon deri më 1912, shkruan KultPlus.
Libri është i ndarë në tre pjesë kryesore. Në pjesën e parë prezantohen veprat dhe autorët e hershëm, duke filluar me Mesharin e Buzukut, pastaj me Budin, Bardhin e Bogdanin, të gjithë me vepra të shtypura në Itali. Për të vazhduar më pas në anën e Adriatikut, së pari me shtypshkronjën e Voskopojës, të udhëhequr nga Grigori i Durrësit, shpikës i një alfabeti origjinal të shqipes, e deri tek viti 1824 kur është shtypur një libër i parë i njohur në gjuhën shqipe në Ballkan, në ishullin e Korfuzit.
Në pjesën e dytë trajtohet më në detaje çështja e fenomenit të shpikjes së alfabeteve origjinale të shqipes, duke filluar nga alfabeti më i hershëm nga Kozma i Durrësit, për të kaluar përmes Theodhor Haxhifilipit, Jan Vellarait, Naum Veqilharxhit e deri te Hasan Tahsini në fundin e shekulli të 19-të.
Në pjesën e tretë shfaqen iniciativat e para kombëtare për ngritjen e shtypshkronjave, për të vazhduar me Shoqërinë e Stambollit që ka shtypur veprat e veta të kroatit Anton Zeliç në Stamboll, e ku siç mëtohet Sami Frashëri vetë ka gdhendur shkronjat e alfabetit në Stamboll. Pastaj vazhdohet me shtypshkronjën shqiptare në Bukuresht, me Mbrothësinë e Kristo Luarasit në Sofje e me shtypshkronjat shqiptare në Korçë e Shkodër.
Autori Yll Rugova në një intervistë për KultPlus ka treguar se ka edhe shumë autorë e shtypshkronja tjera që janë ndjekur si hulli më vete në këtë libër. Ai përmend edhe të dhënat që tregojnë se shtypshkruesi i parë arbër është Bernard Vitali në Venedik, i cili ka vepruar të paktën nga viti 1496 deri më 1539 kur edhe besohet të ketë vdekur.
“Te Vitali janë shtypur edhe Rrethimi i Shkodrës e edhe Historia e Skënderbeu nga Marin Barleti. Në një botim të hershëm nga viti 1498 Vitali e shënon vetën si shqiptar. Asnjë vepër e tij nuk është shtypur në gjuhën shqipe. Qysh dihet mirëfilli libri i parë i shtypur shqip vjen pak më vonë në vitin 1555, megjithatë, vepra e Vitalit mund të konsiderohet me rëndësi për tipografinë shqiptare”, ka thënë Rugova.
Përveç pjesës tipografike, libri trajton edhe çështjen e shpikjes së alfabeteve origjinale të shqipes, që është një shtresë shumë e veçantë e historisë së popullit shqiptar.
Kur në vitin 2020 pandemia COVID-19 e paralizoi gjithë rruzullin, për autorin janë krijuar rrethanat për të ndjekur gjurmët tipografike të botimeve të hershme shqipe. Në fillim, synimi i tij qe të gjurmohej ndonjë rast si ai i Buzukut e ai i Bardhit, por në fund të gjitha janë lidhur me njëra tjetrën asisoj saqë autori ka përfunduar me një studim që nis nga viti 1555 me botimin e Buzukut në Venedik e deri në vitin 1912 kur nisin më ngjeshur punën shtypshkronjat e para shqipe në Shqipëri.
“Gjatë dizajnimit të tipshkronjave kam hasur në vazhdimësi në hendeqe sa i përket të dhënave historike jo vetëm për shkronjat e botimeve në shqip, por edhe për të dhëna të tjera në lidhje me shtypin e tyre. Për shembull te Fjalori i Bardhit, përveç që është shtypur në Romë në vitin 1635, s’kam pasur ndonjë të dhënë tjetër. Më është dashur ta dizajnoj si tipshkronjë germat e Frang Bardhit në mungesë të këtyre të dhënave. Të dhëna të tilla kishte tepër pak edhe për autorë të tjerë si Buzuku, Budi e Bogdani. Ani pse të gjithë këta autorë janë hulumtuar mjaft dendur për nga aspekte të tjera, si gjuhësia, e jetëshkrimet. Duke u marr tash e sa vjet me dizajnimin e tipshkronjave (fonteve), ky hendek e ka vështirësuar shumë punën, duke qenë se disa prej këtyre tipshkronjve kanë si bazë elemente tipografike edhe të historisë sonë”, shpalos Rugova.
Nga viti 1555 deri më 1912, në libër përfshihen histori të ndryshme të veprimtarisë tipografike dhe puna e hulumtimit ka qenë me të vërtetë një sfidë më vete për autorin.
“Duke mos qenë i trajnuar si historian kërkimi ka qenë një sfidë. Për më shumë, mes viteve 2020 dhe 2022 isha në shumicën e kohës në Bruksel, pa qasje në bibliotekat e arkivat e Kosovës e Shqipërisë. Jemi me fat që në ditët tona një pjesë e madhe e këtyre materialeve e punimeve të mëhershme janë edhe në formën e skanuar që mund edhe të sigurohen online. Ishte fat i madh për mua që një iniciativë digjitalizimi kishte ndjekur edhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, e edhe Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë. Një pjesë e madhe e materialeve janë siguruar aty. Pastaj materiale janë siguruar edhe nga bibliotekat e digjitalizuara në Paris, Vjenë, Zagreb, Athinë e Berlin. Për një pjesë të materialeve më është dashur të udhëtoj edhe fizikisht në Prishtinë e Tiranë, e të kërkoj edhe ndihmën e kolegëve, shokëve e familjarëve, të cilët i falënderoj përzemërsisht”, thotë ai për KultPlus.
Janë disa fragmente të historisë në libër, ato për të cilat autori është përkujdesur më në detaje, e disa të tjera janë trajtuar më në kalim, kushtëzuar nga burimet në dispozicion, por edhe nga vetë rrjedha që libri ka marr. Edhe pse konsiderohet se disa çështje që trajtohen në libër meritojnë edhe kërkime të veçanta, e disa prej tyre mund të ishin edhe tema më vete për ndonjë botim monografik, këtë herë autori është mjaftuar me të dhënat që janë botuar aty, të cilat shpesh janë të përcjellura edhe me ilustrime konkrete nga skanimet apo fotografitë relevante.
Sipas tij, edhe pse e vështirë, ai si veçantinë e librit apo edhe pjesën më të rëndësishme e konsideron procesin e vazhdueshëm të hulumtimit të të dhënave, që për të ka qenë tejet befasuese.
Për të, me rëndësi është ndoshta që në libër për herë të parë ngushtohet perimetri i mundësive sa i përket shtypshkruesit të Mesharit. Autori na tregon se duket shumë e mundur që libri më i hershëm shqip të jetë shtypur te punishtja e vëllezërve Scotto në Venedik. Pra, në libër janë shtuar ca të dhëna mbi punën e rëndësishme të historianes Luçia Nadin në kërkimin e inicialeve dekoruese nga botimet e kohës.
“Ndoshta mund të jenë me interes për publikun edhe gjurmët e një doktoranti në Padovë me emrin Gjon Buzuku në vitin 1567. Ky Gjon që vinte nga Friuli afër Venedikut, si duket ishte biri i një Martini, pra nuk duket të jetë Gjon Bdek Buzuku i Mesharit. Megjithatë, është një gjurmë e rrallë me këtë emër në shënimet arkivore të kohës, dhe besoj meriton të ndiqet më tutje. Në libër për herë të parë e vërtetojmë pa mëdyshje edhe se Ëvetari i Naum Veqilharxhit është shtypur në Bukuresht. Përveç kësaj kemi gjetur edhe emrin e litografit, Georg Wenrich, që ka bërë litografimin e kësaj vepre në vitin 1844. Kjo është një gjetje me rëndësi që mbyllë një debat tashmë njëshekullor mbi këtë temë. Ka edhe informata të tjera me rëndësi për Voskopojën, Grigorin e Durrësit, Theodhor Haxhifilipin, e pastaj edhe për Kristo Luarasin, e Dhori Kotin. Për këdo që ka interesim në këto tema, besoj se libri do të jetë me interes”, tregon Rugova.
Ndërkaq, promovimi i librit “Tipografia shqiptare 1555-1912″ vjen më 2 tetor 2022, (ditë e diel), duke filluar nga ora 14:00, në qendrën për kulturë alternative “Defy Them” në Bregun e Diellit në Prishtinë. Dhe për suksesin që potencialisht do të ketë libri, autori Yll Rugova potencon se interesimi më i madh pritet të vijë nga studiuesit e librit, bibliografistët, dizajnerët grafikë, arkivistët e gjuhëtarët. Por, shpresat ai i mban edhe tek kureshtja e lexuesve të tjerë që i përkasin edhe fushave të tjera.
Krejt në fund, autori Yll Rugova na shpalos edhe vlerësimin e tij rreth literaturës tipografike dhe punës që po bëhet në këtë fushë.
“Mbase është mirë të sqarohet dallimi mes dorëshkrimit dhe tipografisë së pari. Përderisa të dyja kanë si bazë shkronjat, kjo e dyta është më e re historikisht dhe vjen vetëm pas shpikjes së shtypshkrimit nga Johannes Gutenberg në mesin e shekullit të 15-të. Germat tipografike janë të punuara, vizatuara e dizajnuara përpara se ato të vihen në përdorim, kurse shkronjat që i përdorim në kaligrafi apo dorëshkrim janë të aty-për-atyshme, të menjëhershme, pa ndonjë kontemplim paraprak për formën e tyre. Së këndejmi, te germat tipografike kemi gjithmonë përsëritje të shenjave të njëjta grafike, përderisa në germat e dorëshkruara ato në vazhdimësi dallojnë nga njëra-tjetra në madhësi e formë. Për dorëshkrimet dhe kaligrafinë më shumë merren paleografët, kurse me tipografinë bibliografët e tipografët”, thotë ai.
Sipas tij, pas vitit 1912, ka pasur një zhvillim të ndjeshëm të bibliografisë ndër shqiptarë me qendrat kryesore Tiranën dhe Prishtinën. Por që në lëminë e interesimeve bibliografike shkronjat dhe shtypshkronjat rëndom nuk kanë qenë subjekte të kërkimeve serioze.
“Së këndejmi, për tipografinë ka shumë pak hulumtime e shumë pak informata në literaturën shqiptare. Kjo vërehet edhe nga mungesa e terminologjisë shqip sa i përket shtypshkrimit. Ka pasur një interesim më serioz në fund të viteve të 80ta në Prishtinë e Tiranë nga profesorët e nderuar Shyqri Nimani e Vasil Konomi që kanë botuar mbi tematikën që trajtojmë, por ato nuk janë përcjell tutje edhe nga studiues të tjerë. Në aspektin historik për tipografinë ndoshta ndër tekstet më të hershme është ajo e Kostandin Kristoforidhit në vitin 1885, e mbajtur si ligjëratë në Elbasan ku flitet për Gutenbergun dhe pak për shkronjat. Pas kësaj ka pasur edhe tekste të tjera mbi tipografinë dhe shtypshkrimin nga Mit’hat Frashëri e Milto Guro, por ka munguar një kërkim sistematik i kësaj lëmie në lidhje me botimet shqiptare. Se tipi i shkronjave është me rëndësi mund ta shohim te përpjekjet e suksesshme të studiuesit frëng Mario Roques që të përdorte pikërisht shkronjat si argument për të mëtuar Venedikun si vend shtypi të Mesharit të Gjon Buzukut”, përfundon Rugova.
Padyshim, tek libri “Tipografia shqiptare 1555–1912” nuk janë shteruar të gjitha informatat që lidhen me këtë tematikë, por autori shpreson që janë vënë disa pika themelore për të nisur një diskutim të mirëfilltë.
Botimi i librit bëhet nga “Trembelat”, nën siglën botuese “Varg” për librin e shtypur në Prishtinë, kurse për formatin digjital botimin e ka marr përsipër “Berk” në Tiranë. Botimi digjital në formatin “e-book” është i qasshëm për publikun nga muaji gusht, kurse libri i shtypur do të jetë këto ditë nëpër libraritë në Prishtinë e Tiranë.
Botimi i librit është mbështetur pjesërisht nga subvencionet e Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com