“Tradhtarët” në kohën e Murtajës

19 Mars, 2020 - 12:27 pm

 

Nga Jusuf Buxhovi

Rremë Kusari rrinte dyfish i mbështetur për trapazanin e kullës. Dukej i thyer fare dhe tjetër nga ai burri i ngjeshur me pamjen e një fisniku, që e njihte i gjithë shehri.
“Kam mendue se jemi ma ndryshe”, foli si me zor.
Desha t’i thosha se jemi po ata që ishim, dhe se, sëmundja kishte nxjerrë në pah ato që nuk shiheshin. Sikur ta kishte blerë mendimin tim, tha se nuk kishte parasysh ndonjë trimëri, meqë në kohë të tilla ato janë të padobishme, por fjalën e kishte për punët e liga të disave që në vend se të ndihmojnë, merren me thashetheme dhe shpifje ndër më të ulëtat, që i shkojnë për lale së keqes…
“Këto i kanë kohë e liga, vëlla…”
Një copë herë heshti. Dukej edhe më i ngrysur. I thash se murtaja nuk do të ishte murtajë pa ata që janë pjesë e saj, që shesin fytyrën për një cikërr…
Këto sikur e qëlluan edhe më shumë.
“I kuptoj hyzmeqarët që punojnë për kafshatë të gojës, por nuk i kuptoj ata që neve që po përpiqemi ditë e natë për me i ba ballë kësaj virane, po na quajnë tradhtarë…”
E dija se ku e kishte hallin. Kishte ditë që në shehër ishte shfaqur njëfarë Qosaleshi, që sillej si fakir dhe nëpër çarshi hapte fjalë se ata që vepronin kryenveti kundër murtajës, ishin tradhtarë, hafije dhe çmos. Ai, fliste gjithë tallandi, se me veprime të tilla po e përhapnim sëmundjen, se ishim vrasës e çmos, meqë po të kishte ilaç, atëherë këtë do ta bënte padishahu dhe jo druvarët, siç e kishte quajtur Rremë Kusarin…

(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”,1982) / KultPlus.com

Të ngjajshme