21 Nëntor, 2023 - 9:45 pm
Në Gjirokastër gjenerata të tëra ish-nxënësish e mësuesish të gjimnazit “Asim Zeneli” i njohur që prej themelimit të tij si Liceu Francez, kanë përkujtuar së bashkë 1 shekull tradite në mësimdhënie të njërës prej shkollave më të hershme të arsimit të mesëm në Shqipëri.
“Ndihem e privilegjuar si mësuese e fizikës për dekada me radhë. Falë punës së nxënësve që më kanë respektuar ne arritëm ato rezultate që bënë historinë e gjimnazit”, shprehet një mësuese.
“Emocionet janë të papërshkrueshme ndoshta edhe të papërballueshme. Është një shkollë ku u rritëm, mësuam u edukuam. Kjo shkollë ka nxjerrë plejada intelektualësh, kontributi i të cilëve ka kaluar kufijtë e Shqipërisë”, tha një mësues.
“Ky gjimnaz ngeli një burim i pashtershëm brezash të tërë intelektualësh. Fakt është se sot për arsimin në përgjithësi duhet një kujdes më i madh”, u shpreh një mësues tjetër.
Ëndrra e shumë patriotëve dhe klubeve të atdhetarëve të gjuhës brenda dhe jashtë vendit që kur Shqipëria ishte ende nën perandorinë otomane u bë e mundur vetëm në vitin 1923 kur në Gjirokastër liceu francez drejtuar nga francezi Viktor Kutan çeli dyert e tij për të shënuar një ngjarje kulminante emancipuese. Para luftës së Dytë Botërore Gjirokastra kishte një numër më të madh nxënësish që kishin përfunduar arsimin e mesëm sa e gjithë pjesa tjetër e Shqipërisë e marrë së bashku.
Jorgji Meksi një prej patriotëve të kohës e kujton kështu në ditarin e tij ditën e çeljes së liceut në Gjirokastër.
“Çupat me çanta në duar, shkuan në lice, për gëzim të qytetarëve e për inat të miqve të pakë të errësirës medievale (mesjetare). Gjirokastra tregoi edhe një herë se është në ballë të arsimit dhe të progresit”, tha Jorgji Meksi
Gjimnazi ku studioi Eqrem Çabej, Ismail Kadare, ish-diktatori Hoxha po përpiqet të risjellë memorien historike në një institucioni që u bë qendra e jetës dhe zhvillimeve intelektuale në Jug. Muzeu i sapo krijuar sipas drejtores Alma Malaj do të mbetet i hapur për donacione, dorëshkrime, kujtime, fotografi për të vijuar të frymëzojë brezat në vijimësi.
“Së fundi kam pasur takime të shumta frymëzuese me ish-nxënës e mësues të gjimnazit. Librat, materialet dhe dokumentet që ata kanë dorëzuar për muzeun janë mbresa që do të më shoqërojnë gjatë gjithë jetës”, u shpreh drejtoresha e gjimnazit Alma Malaj.
Liceu Francez i dha shtypit shqiptar dhjetëra kronikanë e gazetarë, politikës shumë figura kulminante, luftës 35 dëshmorë, artit, kulturës shkencës e mjekësisë të paktën 30 personalitete të spikatur edhe ndërkombëtarisht dhe vetë qytetit peshën e qendrës më të rëndësishme qytetare të Jugut./topchanel/KultPlus.com