Traditat arbëreshe, botohet libri “Spezzano Albanese, Arbëreshët dje dhe sot”

4 Shkurt, 2021 - 12:30 pm

Botohet libri “Spezzano Albanese, Arbëreshët dje dhe sot” nga autorja Ornela Radovicka. Libri përmban informacione mbi historinë, traditat, kostumet dhe çdo element tjetër të botës arbëreshe që gjendet në këtë vendbanim.

Spezzano Albanese, ose siç i thonë Arbëreshët Spixana ndodhet në një zonë kodrinore midis Piana di Sibari-t dhe luginës së Esaro-s, rreth 300 m mbi nivelin e detit. Kjo komunë përfshin fshatrat e Spezzano Scalo-s dhe Spezzano Terme-s, në të cilat janë vendosur prej shekujsh arbëreshët. Libri është i pasur edhe më fotografi, të cilat autorja i ka realizuar gjatë punës në terren për hartimin e këtij libri.

Ornela prej kohësh është një bashkëpunëtore e studiuesit arbëresh Papas Antonio Bellusci, një ndër protagonistët më në zë të universit arbëresh, me një kontribut prej shumë dekadash, të fokusuar në dokumentimin e elementeve etnografike, foklorike, kostumografi etj. Ajo ka botuar dhe një libër për të, “Rrugëtimi i një arbëreshi”. At Antonio Bellusci gjatë udhëtimeve inçizoi lirikat e dashurisë dhe familjare, këngët popullore, mënyrën e jetesës, kultet, lindjet, dasmat, vajtimet arbërore, fjalë e urta, anekdotat, ritet, mitet e veshjet popullore.

Së shpejti, pritet që Qendra e Botimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) të botojë librin “Rrugëtim në ngulimet arbëreshe”, me autorë profesorin Antonio Bellusci në bashkëpunim me autoren Ornela Radovicka, libër i cili do të sjellë një pasqyrë të plotë historike të të gjitha ngulimeve arbëreshe në Itali./ Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Të ngjajshme