11 Janar, 2018 - 6:06 pm
Janari ka nisur tash e disa ditë por nuk është kurrë vonë të niset leximi i një libri.
Energjia është mëse e pranishme në fillim të këtij viti dhe për ata që duan të lexojnë, kjo është një periudhë e vitit kur me shiun jashtë dritares, me kohën e ftohtë dhe me nxehtësinë brenda shtëpive, do të mund të lexohet me ëndje e me kërshëri.
KultPlus po i sjellë për lexuesin tre libra, në gjuhën shqipe, të cilët do të mund ti lexoni këtë muaj, ose së paku të nisni e të nxeheni me emocione letrare. Tre propozimet tona janë ndjesi të ndryshme letrare, nga Rusia e ftohtë e deri te fjalët e këshillat që na duhen për jetë nga Gibrani
Net të bardha – Dostojevski
Dy të rinj takohen krejt rastësisht. Djali është një ëndërrues ndërsa Nastjenka është një bukuroshe e cila gjendet rastësisht në një trekëndësh dashurie. Një libër që mund të lexohet në një frymë, “Net të Bardha” është shkruar nga një prej mendjeve më gjeniale të Rusisë. Ngjarja zhvillohet për katër net e një mëngjes, në Shën Petërsburg. Një narrator fantastik, Dostojevski në rreth 100 faqe tregon për një dashuri që është gati të lindë, e nuk arrin të ketë jetë. Tregimi në vetën e parë është i magjishëm, ndërsa është fat që një novelë të tillë e kemi të përkthyer edhe në gjuhën shqipe.
Këngë e ëmbël – Leila Slimani
Një familje merr një dado për fëmijët e tyre. Një dado perfekte gati gati, por në një libër si ky gjithmonë ekziston një “POR…”. Leila është një shkrimtare e re në jetën franceze, por ka ditur të godasë në këtë rrëfim të sajin. Mjerimi social, dy fëmijë, lodrat, Dadoja Luizë, Miriami si nënë që provon të mbajë gjallë jetën e saj dhe ta kontrollojë në të gjitha aspektet, vijnë në librin e përkthyer në shqip nga Urim Nerguti. Madje, ndodhë edhe krimi.
Profeti – Khalil Gibran
Poeti libanez Khalil Gibran tashmë është përkthyer në 40 gjuhë e padyshim vepra e tij më e njohur është “Profeti”. Libri është i konstruktuar në 26 proza poetike që flasin për çështjet kryesore të jetës së njeriut: Punën, Dashurinë, Martesën, Veshjen, Tregtinë, Kohën, Harenë, Dhimbjen, e të tjera. Profeti është pëlqyer në të gjithë botën. Përmban thëniet e një profeti të dhëna në formën e bisedave që ai bën me njerëz të ndryshëm. “Çfarë është Martesa, mjeshtër? / E ai iu përgjigj duke thënë: / Ju keni lindur bashkë dhe bashkë do të jeni gjithmonë / Do të jeni bashkë kur flatrat e bardha të vdekjes do t’i përzënë ditët tuaja / E bashkë në kujtesën e heshtur të Zotit”. Janari është muaji i parë i vitit dhe këshillohet që viti të niset me këshillat dhe me poetikën e fjalëve të Gibranit. / KultPlus.com