16 Dhjetor, 2024 - 8:00 pm
Hector Hugh Munro (18 dhjetor 1870 – 14 nëntor 1916), i njohur me pseudonimin Saki e ndonjëherë edhe H.H. Munro, ishte shkrimtar britanik. Mjeshtër i tregimit të shkurtër, shpresh i krahasuar me O. Henryn dhe Dorothy Parkerin; i ndikuar nga Oscar Wilde, Lewis Carroll dhe Rudyard Kipling, vetë Saki nga ana tjetër kishte pasur ndikim të madh tek autorë si A. A. Milne, Noël Coward dhe P. G. Wodehouse
DRAMA E REGINALDIT
Nga Saki
Reginaldi i mbylli sytë me mërzinë e stisur të atij që ka qerpikë paksa të bukur dhe mendon se s’ka asnjë dobi ta pranosh atë fakt.
“Në një prej këtyre ditëve”, tha ai, “do të shkruaj një dramë njëmend të madhe. Askush s’do ta kapë domethënien e saj, por çdonjëri do të kthehet në shtëpinë e vet me një ndjesi të vagullt të pakënaqësisë ndaj jetës dhe mjedisit të vet. Pastaj do t’i veshin muret me letër të re dhe do të harrojnë gjithçka”.
“Po si i bëhet me ata që kanë mure me dërrasa lisi nëpër të gjithë shtëpinë?”, pyeti Tjetri.
“Ata gjithmonë mund të shtrojnë qilima të rinj shkallësh”, vazhdoi Reginaldi, “dhe, sidoqoftë, nuk jam përgjejgjës për audiencën që të ketë fund të lumtur. Shfaqja mund të jetë mjaftueshëm e tendosur në energjitë e veta. Mund ta marr një peshkop që të thotë se ishte e pamoralshme dhe e bukur – asnjë dramaturg s’e ka menduar këtë më parë, secili do ta dënojë peshkopin dhe do të qëndrojnë aty thjesht për shkak të nervozës. Pas së gjithash, lypset një mund i madh i guximit moral për t’u larguar në një mënyrë demonstrative në mes të aktit të dytë, kur dihet se karroca jote nuk do të vijë deri në orën dymbëdhjetë. Dhe do të fillojë me ujqit duke u arrakatur në një vend të shkretë – ti s’do t’i shohësh ata, natyrisht; por do të mund t’i dëgjosh duke ulërirë dhe dukeu kruspullosur, mund ta rregulloj të kem një gjoja aromë ujku përreth dritave të paraskenës. Do të tingëllojë për bukuri në programe, “Ujqit në aktin e parë, nga Jamrach”. Dhe e moshuara Lady Whortleberry, e cila kurrënjëherë nuk i humb premierat, do të piskatë. Prej se i ka vdekur i shoqi i parë ajo është gjithmonë nervoze. Ai ka vdekur krejt papritur duke ndjekur një lojë krikteti në fshat; dy inç e gjysmë shi kishin rënë gjatë shtatë vrapimeve dhe supozohet se e kishte mbytur eksitimi. Sidoqoftë, atë të shkretën e kishte shokuar bukur fort; kishte qenë burri i parë që e kishte humbur, kështu pra, dhe tash ajo përherë piskat nëse ndodh ndonjë gjë tronditëse menjëherë pas darkës. Dhe pasi që audienca ta dëgjojë piskamën e Whortleberryt, mund të fillohet”.
“Po ploti?”.
“Ploti”, tha Reginaldi, “do të jetë një nga ato tragjeditë e vockla të përditshme që i shohim të bëjnë vaki kudo përreth nesh. Në syrin e mendjes sime është rasti i Mudge-Jervisesit, që në një mënyrë jo-pretenduese e ka goxha një intensitet prej Enoch Ardeni* përposh vetes. Ata janë të martuar pak a shumë prej tetëmbëdhjetë muajsh dhe rrethanat kanë bërë që të mos shihen edhe aq shpesh. Me burrin ishte gjithmonë një kuartet ose diçka që duhej të luhej dhe riluhej në pjesë të ndryshme të vendit dhe ajo shkoi me të që të rronte keq me aq seriozitet thua se bëhej fjalë për ndonjë sport. Ai ishte me të, ma ha mendja. Ajo i përkiste Shoqërisë së Shpirtrave të Dashur të Mjerë dhe ata mbajtën rekordin e pothuajse reformimit të një rrobalarësje. Askush kurrë s’e ka reforumuar përnjëmend një rrobalarëse dhe kjo është arsyeja pse gara ishte aq e ngushtë. Mund të shpëtosh punëtoren e pastrimit te të pesëdhjetat me një çaj dhe magnetizmin perosnal, por me rrobalarësen është ndryshe; pagesat janë tepër të larta. Kjo grua pastruese e veçantë, e cila vjen nga Bermondsey, ose nga ndonjë vend i tillë, ishte njëmend një sprovë bukur shpesëdhënëse dhe ata kishin shkuar me mendjen se në fund ajo mund të vihej pa rrezik në dritare si një gjedhe e punës së suksesshme. Kështu e kanë parakaluar atë ‘Në shtëpinë’ e Agatha Camelfordit; ishte një fat i keq i paparë që disa çokollata likeri ishin shkrirë për shkak të mungesës së ftohjes – çokollata të vërteta likeri, me shumë pak çokollatë. Natyrisht alkooli i moçëm ishte derdhur sheshit dhe kishte prekur gjithë grumbullin. Ishte si të gjeje një stallë bukinash në shkretëtirë, siç ishte shprehur ajo paskëtaj duke mbajtur anë. Kur likerërat filluan të kenë efekt, ajo nisi t’iu jepte atyre imitime të kafshëve të oborrit të fermës, ashtu siç i njihnin në Bermondsey. Ajo nisi me një ari vallëzues dhe ti e di se Agatha nuk i tumir vallëzimet, përveçse në Buckingham Palace, nën mbikëqyrjen e duhur. Pastaj u ul tek pianoja dhe ua dha një majmun organoje; vij në përfundimin se u përcaktua për realizmin më shumë se sa për një trajtesë maeterlinckiane të temës. Në fund u lëshua mbi piano dhe tha se ishte një papagall në kafaz dhe besoj se ajo ishte një fjalë e përsosur për një performancë improvizuese, askush nuk kishte dëgjuar diçka të tillë, përveç baroneshës Boobelstein, e cila kishte ndjekur seanca të Reichsratjit austriak. Agatha po mundohet të kurohet në Buxton”.
“Po tragjedia?”.
“Oh, Mudge-Jervisesi. Epo, ata po jetonin goxha të lumtur dhe jeta e tyre martesore ishte një shkëmbim i vazhdueshëm i kartolinave fotografike; pastaj një ditë u takuan në një vend asnjënës ku kuartetet dhe rrobalarëset ishin me bollek dhe zbuluan se kishin mospërputhje të plotë rreth çështjeve financiare. Kishin menduar se më së miri ishte t’i ndanin, ajo do të merrte nën përkujdesje kotelet persiane për nëntë muaj gjatë vitit – ai do t’i merrte gjatë dimrit, kur ajo të jetë jashtë vendit. Ja pra ku e ke materialin për një tragjedi të nxjerrë drejtpërdrejt nga jeta – dhe pjesa mund të quhet ‘Çmimi që ia paguan perandorisë’. Natyrisht duhet t’i përkushtohesh studimit të përpjekjeve të tendencës trashëgimtare kundër mjedisit dhe gjithë gjërave të tjera të këtij lloji. Babai i gruas mund të ketë qenë i dërguar i ndonjë gjykate gjermane të vogël; kjo është arsyeja pse ajo ka pasionin t’i vizitojë të skamurit, pavarësisht edukimit më të kujdesshëm. C’est le premier pa qui compte, siç tha qyqja kur i gëlltiti prindërit birësues. Kjo, mendoj, është goxha me mend”.
‘Po ujqit?”.
“Oh, ujqit mund të jenë një lloj nënrrjedhe bishtnuese në prapaskenë që kurrë nuk mund të shpjegohet në mënyrë të kënaqshme. Pas së gjithash, jeta gëlon me gjëra që nuk kanë shpjegime tokësore. Dhe kurdo që personazhet nuk mund të mendojnë për asgjë briliante për të thënë rreth martesës apo Zyrës së Luftës, mund të hapin një dritare dhe të dëgjojnë ulërimën e ujqve. Por kjo mund të jetë bukur e rrallë”.
Shënim:
Enoch Arden – poemë narrative e Alfred Tennysonit.
/Marrë nga ‘The Best of Saki’, Penguin books, 1994/ Gazeta Express/ KultPlus.com