Tregim nga Mitrush Kuteli

9 Korrik, 2022 - 3:45 pm

“Të vërtetën e së vërtetës, as unë s’di t’ju them sa breza kanë shkuar që kur u prish e u shkretua Katjeli i Mokrës.

Mbaj mënt vetëm se kam dëgjuar nga pleqtë e lashtë, e këta nga pleqtë e tyre, se ky Katjeli i Mokrës paska patur qënë dikur – ndofta pesë-a-gjashtë breza përpara nesh – një fshat i math e i begaçmë fort. Vëndësit e tija paskëshin qënë trima të ndjerë e paskëshin lëftuar me të vërtet si burra në ballën e burrave për të mbruar vendin e nderë nga turku.

Nga ky shkak turqit kur e muarr e paskan shkretuar që nga themeli.

Sot, në gjithë grykën ku pat qënë njëherë katundi janë përhapur pyje gështenjash, driza e dëllinja. Viset sheshe të pllajavet janë bërë luadhe e ara ku thekri na rritet dy bojë njeriu. Në vise-vise duken edhe sot, afron një me dhenë, themelet e murevet të vjetër, si krëhërë të dalë nga lëndina. Në vjeshtë a në prenverë kur damalugu hap brazdat e dheut që dërmohet si bukëvale, andej-këndej dalin copa plloça të gëdhendura me dorë e tulla të kuqe mun si flaka e zjarrit. Në dimbër zbresin gjer këtu poshtë bishat e malit.

Vetëm kjo kodra e Shën e Djelës ku pat qënë dikur kisha e fshatit, ka mbetur edhe sot e pacënosur prej dorës së njeriut. Vendi i saj as lërohet, as mbillet, as korret. Këtu njihen edhe sot murishtat e vjetra të kishës e rrasat e rënda të themelit të pa blojtura prej kohës. Rreth-e-rrotull, nëpër plisa e fjer, duken gurë varresh me çipe të mbuluar me myshk. Në mes të Kishës së Shën e Djelës që i përngjan njëj anije së fundosur nër ujra, dheu është pak si i batisur dhe çapet e njeriut godasin më bosh.

Një pëlhurë fshehtësije, që të bën të bjesh në mendime, mbulon të gjitha këto vise e gërmadhat e lashta. Fshatarët që ngjiten të korrin thekrat a të mbledhin gështenjat edhe barinjtë e bagëtive rrëfejnë se shumë herë, e më fort në netët me hënë, dalin e shëtisën nëpër murishta e lëndina njerës të mbëdhenj të veshur me mëngore e fustane të bardha, edhe treten pastaj, rishtas, më të thyerët të natës.

Vraga që nis nga an’ e djathtë e Shën e Djelës zbret në fshat buzë-liqerit, kur se ajo që nis nga an’ e mëngjër, ndrethon nëpër pyllin e dendur të gështenjave duke ngjitur e dyke zbritur kurrizet e çukave, e del mi Gurin e Kol Branës, një rrasë e lartër dy-tre hostene që qëndron vëngër mi greminat e bregut.

Rrëfejnë gojë-pas-goje pleqët e lashtë se këtu pat qënë në kohërat e vjetra, një qytezë e vogël, qyteza e Zotit Kol Branë Katjelit.

Edhe thonë se këtij Kolë Branës i paskan humbur në luftërat e përgjakëshme të asaj kohe, kur hyri turku në Shqipëri, të pesë djemtë e gjithë nipërija. Edhe si u sosnë këta të gjithë edhe turqit iu afruan Katjelit, Kol Brana ngjiti shkallët e gurta të qytezës, mbylli dyerët edhe priti të afrohet rrebeshi. E atëhere kur ardhi armiku as dora as këmba nuk iu droth nga pleqërija. Shumë kohë gryka buçiti si buçet kur lëftojnë trimat e ballit. Lëftonte Zoti Kol Brana vetë…

Më von, kur kështjella ra, nuk u gjend brenda përveç se një plak i thinjur me gjoksin e mbushur plot plagë. Zoti Kol Brana i Katjelit të Mokrës nuk ishte mê në jetë.

Që asaj kohe muret e kështjellës u gremisnë e mbretërija e dëllinjave i mori vëndin. Vetëm guri i Kol Branës, si i thonë edhe sot, ka mbetur i patundur prej valëvet të kohës e prej valëvet të turkut.

II

Vëndin ku pat qënë dikur Katjeli i Mokrës edhe kisha e Shën e Djelës e kam shkelur dendur vetë me këmbët e mija.

Në vogëli ne djemuria e fshatit ngjiteshim gjer atje për të mbledhur, si pas zakonit të vjetër, poleska e manushaqe për llazoret e vashave. Kjo ngjante në Mars a në Prill kur gjelbëronin pllajat e korijevet e kur të velte era e luleve. Vinim pastaj më von për të marrë shëndet, kur lulëzonin gështenjat dyke u ngarkuar me xhigerë të bardhë e të verdhë. Kur sbriste tatëpjetë era e malit, sillte gjer brenda në fshat fije nga lulet e tyre.

Shëmbitrit e Listopathit, gjer sa afroheshe dëbora, ngjiteshim dendur për të mbledhur ndonjë gështenjë nga drutë e Gjergollinjve.

Po e vërteta është se në atë kohë vinja në Katjel ditën e këthehesha më të ngrysur. Rasti për të ndenjur një natë të tërë m’utfaq më von, sot e disa vjet.

E ja se qysh:

Atij moti kisha ardhur së largu, nga vënd’ i huaj, për të shkuar pushimet e verës. Kisha dëgjuar se dy miq të mirë të derës s’onë, e mbase far’ e fis, mirreshin me kërkimin e haznave nëpër male. E prandaj, sa mbante vera e gjer afrohej Shëmbitri, shëtisnin viset e Mokrës mal-më-mal e breg-më-breg të tërhequr prej ndriçimit magjistar të florinjve që i thërrisnin ndënëdhe.

E drejta është se bota e fshatit qeshnin me ‘ta po kjo nuku i ndalonte asfare të shëkojnë punën si u thesh shpirti.

Një natë njërit prej tyre iu paskej fanitur në ëndër një vashë e re, e veshur në të bardha, si vishen grarija e Mokrës, edhe i paskej thënë:

-Jam ne Shën e Djela e Katjelit, njëzet e pesë pash nga kisha, andej nga e djathta, as eja e më nxir.

Kjo i paskej ngjarë më dy javë të Gushtit, më të gëdhirë të Shëmërisë. Edhe ky si paskej pritur disa ditë gjer të përtëritet hëna, e pastaj në një ndajnatë, me shoknë tjatër e me mua bashkë, ngjiti grykën e Katjelit.

Ishim në Shën e Djelë kur hënëza e re filloj të ngrihet që përtej Malit të Thatë. E kuqe si prushi në fillim, kjo hën’ e Gushtit na u bë më von si e larë me ergjënd. E gjithë malet e gjithë brigjet edhe gjith liqeri u mbuluan me një linjë të bardhë…

Miqtë e mij që s’kishin kohë të vështrojnë as hënë e as çudit e kësaj nate Gushti, nxuar nga torba një litar e disa kazma, shënuan vëndin njëzet e pesë pashe nga an’ e djathtë e mezit të kishës edhe nisnë të rëmojnë. Në fillim rëmuan që të dy e më pastaj, kur gropa u fellua, radhë pas radhe njëri punonte kazmën dhe tjetri lopatën. Toka ish e ngjeshur fort dhe pa e lidhur me fije rënje gështenje.

Puna mbajti afron dy orë, gjer sa hëna u ngjit gjer në mezin e kubes së qellit.

E në qetësinë e fellë të kësaj nate vere goditjet e kazmës sikur ishin rënkime të mbytura që dilnin nga bota tjatër.

Nga do-një shpes pa fole dilte dendur prej pylli e si hithte hijen e vet mi murishtat e Shën e Djelës, humbiste rishtas në pyll.

E kazma rëmonte-rëmonte e rënkimet e botës tjatër madhoheshin-madhoheshin…

Tanithi në gropë na u shfaq një lloj shtrati i hirtë porsi gur shurishte dhe midis tij disa drudheza të bardha që ngjanin me disa iskra eshtrash.

Kazma pushoj.

-Këtu paska qënë një varr, pëshpëriti njëri nga miqtë që ish brenda në gropë.

Tjatri u unj, mori pak dhe në dorë e thërmoj midis gishtërinjvet pa foli pakëz më von:

-Varr paska qënë, vërtet…

Dhe shtoj:

-Jemi në varret e Katjelit të moçmë.

U unja edhe unë pranë gropës së hapur dyke gjunjëzuar në tokën e nxjerë jashtë. Atëhere një dorë u sgjat së brëndëshmi, dora e mikut pa fjalë, e më la në pëllëmbë një aspër të bardhë, – një lloj kostandinari me shkronja të blojtura. Pas pak dora dolli së rish me një kryqëz të artë e me një send të çudiçmë që i përngjante njëj vëthi. Të paktën kësilloj gjykuam e vendosmë ne të tre. Dhe me qënë se vendosmë kësilloj, shokët vëzhguan me vërrejtje të himët të gjejnë edhe tjatrin. Po vëzhgimi na dolli i kotë se vëthi tjatër duket se u pat përzjerë me tokën në rëmitje e sipër dhe në vënd të vëthit gjetmë një lloj rënje që mbante erë temjani.

Ky pat qënë thesari që nxuarmë në Shën e Djelë në atë mesnate Gushti me hënën pesëmbëdhjetë mi krye.

Shokët e mij nuk ishin as fort të gëzuar as fort të dëshpëruar. Si pas gjuhës së tyre në këtë gjah të thesarëve nuk lispet të dëshpërohesh lehtë se vjen nata e lumtur kur njëherë e njëherë… E më fort se këtë radhë kishin gjyrmën e thesarit i cili mundet të gjindej ose pesë pash më lart ose pesë pash më poshtë.

Mua kjo ngjarje më vuri në mendime. E kur miqtë e mij hithnin prapë gropë në dherin e nxjerë që të mos lenë as një gjyrmë, unë rashë të çlodhem nër barishta. Që brenda  nga gjiri i pyllit ndjenja tani shkoqitur rëgëtimet e mburimeve. Përtej midis malesh dukej një çip i liqerit i iskrosur prej do-një ere që sbriste nga gryka.

-Vallë ç’mall e ç’dëshirë e pat shtyrë vashën e varrit t’i shtihet në ëndër njëj gjahtori thesarësh? Mos e shrëngonte, vallë, fort ky zëndani i varrit a mos dëshëronte të vështrojë hënën e plotë e të ndjejë erën e lulevet dhe të barit që sbriste nga malet? A mos e kish marrë malli për tingëllimin e zilevet e për rëgëtimën e krojt?

E sikur më vinte keq se nuk u paskesha lindur në një kohë tjatër disa breza përpara.

E kur mendohesha kësilloj gropa u pat mbuluar e sheshuar e mi ‘të ish ndezur tani një zjarr me shkorreta për të humbur gjyrmën e kërkimevet. E mua ky zjarri më dukej sikur ish nuri që digjej mi varrin e një vashe që pat vdekur e re.

Me qënë se kjo natë ish e bukur po si një natë pralle si s’rrëfehet dot me gojë, gjumin e parë vendosmë t’a bëjmë në një padinë të vogël me bar të njomë, përmi krua.

-Nuk është mirë të flemë pranë krojt, foli njëri nga shokët, se natën vozitën hije.

-Ky vënd është i shkelur nga të bardhat, vazhdoi gjith ay me një lloj dridhje të fshehtë në zemër.

Po sepse ne s’i vumë veshin, fjalët e tij i mori era edhe ay ra pas vragës s’onë.

Shtruam disa shtrate fjer në padinë edhe ramë të flemë. Mbulesë kishim qellin e sbardhëllyer prej pahut të hënës. Fjeri e gjethet na mbytnin me erën e tyre. E sa të nëmërosh gjer më pesë, miqtë e mij i zuri gjumi.

Vetëm mua harroj të më zerë. Rinja në shtratin e njomë me duart nënë krye: vështronja qellin e dëgjonja rëgëtimet e krojt dhe rënkimet e mbytura të pyllit. Që të largoj mendimet e pyetjet e vetë-vetes fillova të nëmëroj yjet. E ndava kuben që sipër meje në tri pjesë me vija preçarthe edhe nisa që nga pjesa që mi Rrëzhan. Vura më nj’anë tridhjet e tre yj më të ndriçmë, dyzet e pesë më të shuar dhe nuk di sa yjeze të tretura. Këto të fudnit lëvrinin pa pushuar e dukeshin e çdukeshin rishtas sa që syt e mij nuk kishin se qysh t’u dalin zot. Pastaj, s’di se qysh, vijat e mija u fshinë dhe yjtë u ngatëruan po si mendimi im.

M’u kujtua befas pralla e Bir’ të Mbret, dhe e vashës së kopshtarit që i ngjante nga bukurija së Bukurës së Dheut:

-Vashë, o moj vashë, sa yjez ka qelli?

-O i Bir’ i Mbret, o i Bir’ i Mbret, sa lule ka fusha?

Pa dalngadal-e-dalngadal pyetjet e përgjigjiet ç’u bënë ujem me yjt e Rrëzhanit e me rëgëtimet e mburimit. E m’u duk befas sikur nga hija e gështenjave dolli një linj e bardhë e shkiti si një erë gjer ne padina jonë e nga mezi i saj ç’u fanit një vashë.

– Flenë që të tre? – pyeti një zë i njomë.

– Flenë, iu përgjigj një tjatër. Edhe ndjeva pastaj sikur një dorë e bryllët, pa fjalë dora e vashës linjë-madhe, m’i preku e m’i magjepsi qëpallat…

Atëhere fjeta me të vërtet.

III

…Dalngadal-e-dalngadal sikur prej qënies të sotme filloj të ngrihet një lloj mbulese e himët e hendur prej valëvet të kohës. Kjo na i ngjante një pëlhure të ngjyrë hiri që u hepua, u tret e firos në mugëtirë. Atëhere palët e dheut e të lëndinavet, të derdhura mi mure e gurë, se ç’u tërhoqnë më nj’anë si pas një urdhërate, edhe, sa të mbyllësh e të hapësh sytë, të gjitha ndërtesat e moçme u rritnë sikush në vendin e parë. Tani Katjeli i Mokrës, ky fshat i bukur i Zotit Nikoll Branës, m’u faneps ashtu sikundër se pat qënë katër-a-pesë breza njeriu më parë.

Në fillim thashë se jam në ëndër a më pat magjepsur dora e bryllët e vashës që dolli nga fletët e gështenjavet e prandaj rraha të gjej fillin e vërtetë të qënies së vërtetë. Sepse unë ndjenja në shpirt njëlloj përzjerje midis dy shekuj të ndryshmë. Katjeli ish, pa fjalë, Katjel, me kopshte e shtëpi të gurta sindozot që pat qënë qëmoti, po mëndja ime kish mbetur në një mot tjatër më të ri. Ndjenja sikur gjendesha midis dy botë të ngatëruara njëra me tjatrën: bota  sotme dhe bota e perënduar. Disa grima m’u duk edhe sikur gjendesha në dy vise të ndryshme: në gërmadhat afron pa gjyrmë të Katjelit dhe në Katjelin e moçmë të pa cënosur prej tallazevet të kohës.

Po, për fatin t’im, kjo gjendje nuk u sgjat fort sepse mëndja m’u kthjelltësua shpejt e shpejt edhe ja se ç’u gjenda krejt, me trup e shpirt, në Katjelin e Mokrës në kohën e Zotit të Shqipërisë Gjergj Kastrioti.

Shtëpitë e fshatit ishin të gurta e të mbuluara me plloça të gëdhëndura mir e bukur dhe rruga e shtruar me gurë shpinte ne kisha e Zonjës Shën e Djelë.

E ç’u pikasa se unë qënkësha Rodovani, Rodovani i Vllastar Katjelit, djalë i ri i veshur me mëngore liri, me kallca e me fustane kinda-kinda. Pa m’u kujtua se atëhere, në vitin e Tënëzot një mijë e katër qint e gjashtëdhjet e tre, mbretëronte në zemrën t’ime Engjëllina, Engjëllina e motra e Kostandinit. Kjo Engjëllina na ish nga bukurija mi gjithë shoqet e fshatit e ky Kostandini na ish trimthi më i ndjerë e vëllajthi im m’i dhemshur. Edhe sepse më kish marrë malli fort për këtë të fejuarën e spirtit t’im pata sbritur asaj dite ne Kroj ku vinin për ujë vashat e Katjelit. Po se atë ditë ne Kroj nuk u patnë ndodhur përveç se dy vasha të tjera. E njëra prej tyre, që m’a dinte brengën e tetëmbëdhjetë vjeteve, më pat folur kësilloj:

-Rodovan, o Rodovan, Engjëllina vasha jote së bashku me Kostandinin po të pret ne Zonja Shën e Djelë ku do fillojë vallja e Ristozit Tënëzot.

Atëhere m’u kujtua se, me të vërtet, ish dit e tretë e Pashkës së Madhe kur vashat e fshatit heqin vallen e Ristozit ne Sheshi i Shën e Djelës.

Atje ç’e pashë, me të vërtet, Engjëllinën t’ime të bukur si ftoj i bardhë, të bryllët si er’ e malit.

Disa nga vashat e fshatit t’ënë këndonin këngën e Ristozit me një zë që të lavoste shpirtin dhe të tjerat hiqnin vallen dyke dredhur e përdredhur bel e hollë si mënjolla. Engjëllina ime se ç’më ish në kryen e valles dhe gjithë syt e botës se ç’i ndiqnin me çudi mjeshtërinë plot magji të valles. Pa se kur m’a hasi vështrimin fytyra se ç’iu ndes si prushi edhe unji kryet tatëpjetë. Atëhere, që t’iu them të drejtën e Zotit, nga malli e gazi shpirti m’u pat dredhur sindozot se dridhet flet e plepit kur fryn era e ndajnatës.

Po se asohere një grimë vetëm, një grimë të errët, kur i pashë kryqëthin e gushës edhe vëthëzat e veshit m’u pat kujtuar kjo jet’ e sotme, ëndra e mikut t’im me vashën q’e pat thirrur në Shën e Djelë, gropa e hapur në një natë me hënë pikërisht në vëndin ku më buzëqeshte aqe ëmbël Engjëllina ime, dhe jeta e bot’ e tërë m’u patnë dukur të murrme e pa shije si uji pas një lëngate.

Pikërisht atëças ndjeva mi sup dorën e Kostandinit edhe fytyra e tij që më nxirte mallin e Engjëllinës s’ime më solli rishtas në ujrat e para të lume.

-Rodovan, vëllajthi im, përse të shoh të errësuar?

E atëhere pushoj vallja e vashave e Engjëllina na ardhi pranë. E kur më ardhi Engjëllina pranë m’u sikur një djellë m’u pat lindur në shpirt…

U gjenda pastaj në një tjatër shesh, ne sheshi i burravet, ku trimat e fshatit me Kostandinë në krye, tregonin mjeshtërinë e shigjetës e të shpatës. E ish asaj dite në Katjelin e Mokrës një brithmë e një gas si nuk pat qënë asnjëherë.

…Pastaj, s’di se qysh, filli i jetës së parë sikur u këput pre dore njeriu.

Unë Rodovani i Vllastarit sikur isha gjith në Katjelin e Mokrës po se tanithi ky fshati ynë sikur paskëshe humbur brithmën e gazin e parë. Një ushtëtar kaluar paskej sjellë brenda në fshat lajmin e zi se qeni turk po vintej në viset t’ona dyke vrarë e prerë ç’do gjë të gjallë.

Ndjeva asohere se që nga kodra e Shën e Djelës sbriste tatëpjetë tingëllimi i dredhur i kambanës që hepohej e tretej në grykën e lumit sindëkur sbriste në një tjatër botë. Djemt e fshatit me shtijza në dorë e shpata për brezi ngjiteshin në nxitim e sipër në kodrën e kishës ku do mblidhej pleqërija. Pa m’u duk sikur burrat e fshatit t’ënë paskëshin shkuar në luftë e dhogat e zeza që mbyllnin dritaret tregonin se shumë nga shtëpitë e Katjelit kishin mbetur të shkreta e pa zot.

Nxitova çapet që të arrij shokët. U gjendmë befas ne Sheshi i Shën e Djelës ku ish mbledhur gjithë fshati për kuvend e bisedim. Tingëlli i kambanës ish shojtur dhe një pushim i rëndë kish rënë mi gjithë botën.

Që brenda, nga Kisha e Zonjës Shën e Djelë vinin pëshpëritje të mbytura.

Pleqtë e të parët, të gjithë veshur me floke të bardha, nxuar kësulat e hynë dyke u krusur në derën e unjtër të faltores.

Sbrita edhe unë shkallët e gurta edhe u gjenda në Shën e Djelë.

Erë temjani e qirinjsh.

Flagë të arta kandilesh.

Zëri i ngadalshmë i uratës.

-T’i lutemi Tënëzotit…

Pleqtë qëndronin kryeunjur e dëgjonin me bindje të kënduarat e lutjet që vinin nga alltari. Plakat e gratë u luteshin koravet.

-Ynëzot! Ynëzot!… na mbaj në hijen T’ënde!

-Ynëzot! Ynëzot!… na mbruaj nga armiku!

-Ynëzot! Ynëzot!… na mbruaj foshnjat e të miturit!

-Ynëzot! Ynëzot! Ynëzot!…

Ç’u gjenda pastaj sërish në Shesh.

Pleqtë kishin ndenjur në lëndinë, pranë varrevet, e bisedonin.

Ne të rinjtë qëndronim më këmbë, pakëz më tej.

Burrat midis moshës s’onë e midis pleqvet ishin të paktë. Këta kishin zënë grykat e viset ku do shkonte qeni turk.

Qetësi e rëndë si plumbi.

Pleqtë e ndjerë mbaruan kuvendin edhe u ngritnë në këmbë. Ne të rinjtë, që ishim si do-nja një qint veta, u afruam. Disa gra të thyera nga mosha e nga brengat bënë dy-tre çape.

Pa midis pleqvet se ç’dolli një plak bujar i lashtë e shpatull-gjërë, si ishin burrat e asaj kohe, e na vështroj me një vështrim shqiponje.

Ky qënke vetë Zoti Nikoll Brana i Katjelit.

Dikush më pëshpëriti:

-Ligjëron ynë-Zot Nikoll Brana.

E me të vërtet pas dy-tri grimave dëgjova kuvëndin e Zotit Nikoll Branë Katjelit.

Na foli mi të këqijat që punonte turku që linte kudo shkelte hi e varre, mi luftat e pareshtura të arbërvet e mi trimëritë e tyre.

Pastaj, e këtu ç’iu paskej errur balli si nata, kuvëndoj mi një armik nga gjaku arbër me emrin Ballaban që vinte në ballën e turkut për të prishur vëllezërit e vendin e tij.

-Mallkuar qoftë për jetën e jetës, foli urata i Shën e Djelës.

-Mallkuar qoftë bres-pas-bresi! Mallkuar qoftë! – folë pleqërija.

-Prej shpate arbëri iu derthtë gjaku, mbylli Zoti Nikoll Brana.

E pastaj ç’u bë disa grime qetësije që të përmbushet mallkimi. Tingëllimi i kambanës, i dalë vet-vetiu, e shpuri përtej, mbase vetë ne Zot i math e i vërtetë.

Ky Zoti Kol Brana ç’na u drejtua pastaj neve të rinjve e na ligjëroj kuvendin që kish dërguar Gjergj Kastrioti, Prengu i Krujës e Kryezoti i arbërit: t’i bjemë befas turkut nga malet e t’i japëm gjëmën e zezë.

Djemtë ngritnë lart shpatat dyke u lidhur për besën e arbërit e për Tënëzotin.

Urata na bekoj, mëmat na pushtuan me lotë nër sy.

Mua më rrihte zemra si zogu në leqe se ndjehesha si i ndarë midis dy botë të ndryshme…

Befas m’u pat fanitur përpara Gjoni i Prendit i veshur me fustane kinda-kinda, me helme në krye, me pafta ergjëndi në gjoks e me shtijëzë në dorë. Ish nga trupi i kalorisë.

-Eja, Rodovan, për Tënëzotin…

Atëhere u ndjeva rishtas i gjith asaj bote dhe hyra midis shokëvet. Zoti Nikoll Brana që ish në kryet t’ënë, nipër e stërnipër, i ngjante njëj Shëndëlliu-plak me shpatë në dorë…

Hodha vështrimin përtej e m’u duk sikur një vashë, që i përngjante kësaj Engjëllinës s’ime, më vështronte me mall e brengë e ndofta dyke lotuar.

Këtu filli i ëndrës së katjelit m’u këput befas.

U zgjova i lodhur.

Era shushëlliste midis fletëvet të gështenjavet. Hije të rënda lëngonin mi murishtat e Katjelit.

Hëna po zhdukej përtej Rrëzhanit të Mokrës edhe liqeri hynte në t’errët”. /KultPlus.com

Të ngjajshme