Tregim nga Ramón J. Sender: Djaloshi

4 Gusht, 2024 - 11:30 am

Ramon J. Sender (1901-1982), u lind në Chalamera në Provincën e Hueskës. Në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare shkoi në Madrid ku punoi si gazetar, derisa u dërgua në Marok në shërbim ushtarak. Më 1927 u burgos për shkak të pikëpamjeve të tij anarkiste dhe luftoi në anën e Republikanëve gjatë Luftës Civile. Kur gruaja e tij u vra nga Nacionalistët, Sender iku në ekzil me dy fëmijët, për t’u vendosur përfundimisht në ShBA, ku ligjëroi Letërsinë spanjolle në University of Southern California.

DJALOSHI

Nga Ramón J. Sender

Gjatë një udhëtimi për në Asturias grumbulluam një numër të madh anekdotash dhe vakish, mjaftueshëm për të mbushur disa vëllime. Afër Villafrisë – në rrethinat e Oviedos – ca grupe punëtorësh, të dyshuar se kishin qëlluar mbi ushtarët, ishin pushkatuar. Oficeri që mbikëqyrte zhvendosjen nga shtëpitë e tyre të një grupi të madh pa se, në mesin e burrave, të rinj dhe të vjetër, ishte edhe një djalosh rreth të të pesëmbëdhjetave. Dikush i sigurt ende ia di emrin dhe disa të tjerë madje kanë edhe fotografi të tij. Ishte çun i hajthëm, me një fytyrë si të fëmijes dhe me një profil të qartë. S’do mend ai mund të ketë qenë një guaje, ai lloji i djaloshit që punon poshtë në minierë, i mësuar me jetën e nëntokës duke bartur kazmën dhe llambën e mjeshtrit të tij, minatorit të vërtetë. Si të tjerët, djaloshi i kishte duart e lidhura dhe ishte tërhequr zvarrë deri te vendi i ekzekutimit, te njëra prej atyre rrugëve që gjarpërojnë përgjatë fushave të gjelbra. Kur oficeri e pa atë, s’kishte si të mos i vërente tiparet fëmijërore të djaloshit dhe zërin, në të gjitha rrethanat, edhe në atë më të rëndat, këmbëngulte në matjen e shkallës së bazueshmërisë së çdo akti, ai zë iu foli ndjenjave të tij më intime.

Kur duart e ushtarëve e lëshuan cilindrin poshtë te shuli dhe pushkatarët po merrnin nishan, oficeri e ngriti lart njërën dorë t’i ndalonte dhe e pyeti djaloshin:

‘Çka ishe duke bërë kur të zunë rob?’, dhe e çoi dorën nga shtëpia.

Djaloshi tha se kishte qenë duke u kujdesur vëllain e tij dyvjeçarë.

‘Ku është nëna jote?’, pyeti oficeri.

‘Ka vdekur’.

Djaloshi u përgjigj me qetësinë e çdo pesëmbëdhjetëvjeçari përballë tragjedisë. Oficeri deshi të dinte më shumë:

‘Po babai i yt?’.

“Edhe ai është vrarë’.

Pas një heshtjeje të shkurtër, djaloshi shtoi, duke shikuar kah shtëpia.

‘Vocrraku është fikall vetëm tash’.

Oficeri i tha atij se i kishte tetë minuta të kthehej në shtëpi dhe të gjente dikë që do të mund të merrej me fëmijën. Një burrë që po rrinte pranë oficerit pa se kodrat përreth dhe luginat i jepnin një mundësi të përsosur djaloshit që t’ia mbathte. Ato tetë minuta mund të ishin më se të mjaftueshme për të të ikte, kështu që u ofrua të shkonte me djaloshin të ruante të mos ikte. Oficeri – edhe njëherë i vetëdijshëm për atë matje morale, me të gjitha shkallët e ndryshme të bazueshmërisë – refuzoi. E kishte parashikuar atë mundësi dhe ideja s’i prishte punë. Jo që tha ndonjë gjë rreth kësaj, por ai mendim i erdhi prapë në mendje teksa shihte djaloshin të humbte sysh pas kodrës së parë.

Pas fare pak nisën pushkatimet. Gjysma e burrave u shemben për toke. Në sytë e të mbijetuarve, ushtarët ua dhanë coup de grâce të të plagosurve dhe menjëherë ua prenë spangot e lidhura për kyçeve të duarve të tyre. pak minuta më vonë u korrën burrat e tjerë.

 Trupat ishin grumbulluar në një vend dhe vendosur në pirg. Derisa ushtarët i bartnin trupat deri aty, vërejtën se disa sish ishin gjallë dhe përsëri filluan të shtënat, duke ua dhënë coup de grâce, këtë herë më të shpërqendruar, mbase më hezitues.

Pastaj duke zbritur teposhtë kodrës, duke ecur qetësisht dhe gjithë vetëbesim, erdhi djaloshi, i kishte dëgjuar të shtënat; mund t’i shihte trupat duke u grumbulluar anash dhe të plagosurit që po hiqeshin qafe. Prapëseprapë ai erdhi, krejtësisht i mefshtë.

Shkoi te vendi që ia treguan. U deshën vetëm tre plumba për ta vrarë. Nuk pati nevojë për coup de grâce.

/Marrë nga ‘The Penguin Book of Spanish Short Stories’, Penguin, 2021 /Gazeta Express/ KultPlus.com

Të ngjajshme