29 Qershor, 2019 - 11:45 am
Bujar Meholli
Autorja amerikane Lisa Tadeo pritet që së shpejti ta publikojë librin e saj “Tri gra”, te i cili gërshetohet jeta publike, private dhe sekrete.
Në qendër të librit janë tri personazhe gra, të cilat shpërfaqin dëshirat e tyre: Maggie, është një adoleshente nga Dakota e Jugut e cila ka një marrëdhënie klandestine me mësuesin e saj të anglishtes. Lina, një amvise e martuar në Indiana. Ajo kishte qenë në lidhje me të dashurin e saj që nga shkolla e mesme dhe Sloane nga Newporti, burri i së cilës e ofron atë te miqtë e tij.
Personazhet e Tadeos janë të përzgjedhur, – siç thotë ajo, derisa ata janë kryesisht të bardhë, të rinj dhe heteroseksualë. Është e qartë se origjina e këtij libri, është në fakt, personale.
Aty përshkruhen peripecitë e Tadeos gjatë jetës së saj, gjurmët që ajo ndoqi si dhe sfidat e shumta. Në këtë tekst të saj, dëshirat janë vuajtje me rrënjët në traumë.
Të tri gratë janë të dënuara nga burrat dhe të turpëruara në sytë e të tjerëve. Edhe jetët seksuale të tyre diktohen nga burrat e tyre. Maggie i përmbahet rregullave që ia vendos mësuesi i saj kontrollues në gjithçka – ndërsa Sloanes i duhet të fle me burrat që bashkëshorti i saj i ka zgjedhur për të. E, Lina kërkon të marrë përgjegjësi për jetën e saj, ajo kërkon të ndahet nga njeriu që nuk pranoi ta puthte duke e poshtëruar atë. /KultPlus.com