Tri monologjet e Fahredin Gungës me vetveten

30 Qershor, 2019 - 7:17 pm

Tri monologje me vetëveten | Fahredin Gunga

1.
Vetëm deshta ta quaj vetëvetën poet
E asgjë tjetër, më besoni, asgjë tjetër-
Se kam lindur në ditët e krahnezta të një tetori.
Dhe, i vogël jam për ta pasur trajtën e heroit e –
Në vargje vetëvetën vetëm desha ta shtroj, të bëhem
Fortesë prej fjalëve e – shkëndi në qiellin e paanë,
Që në qiellin e vendlindjës sime, me zemra të ndezura flakë
Në baklada të shumënngjyrta, në Olimpin e gjakut –
Të shkruaj qenjen time, biografinë vetëvetes,
Mikut dhe blozës së trollit tim
Për ditëlindjen tonë të dytë, gjakut të mallkuar në mallkim;
Njerëz me flakime në sy jemi – e,
Vetëm deshta ta quaj vetëveten poet:
Lumit të ja marrë kaltrimin për vargjet e mija,
Shkëmbit t’ja jap zemrën e diellit,
Skyfterin ta bëj me zemër të blybylit – e
Vetëm deshta ta quaj vetëvetën poet,
Vetëm poet – flakanda që e ruajnë zotërat e lindjeve,
E, vetëm poet – nektar që përtrin jetën,
Më besoni, vetëm poet:
të ndërtoj Urën e Fshejtë
Prej fjalëve që ujiten me gjakun në muza:
Ku miku mikut zemrën ja fal në shenjë nderimi
E i panjohuri të panjohurit dorën e pranverave ja shtrin,
Ku dielli shtegtar ndalet të pushojë –
E, zemra me zemër kthehet në trandofille, e
Stuhitë vallen e prillave të blertë e luajnë, e – unë, 
Vetëm deshta vetëveten ta quaj poet,
Asgjë tjetër, më besoni, asgjë tjetër – e,
Vargu le të jetë dashuria ime dhe mbarimi im.

I vogël jam për ta pasur trajtën e heroit.

2. 
Pas çdo vargu është nga një lindje e re
(se ditëlindja ime në letër të njoftimit
Nuk është ditëlinde dhe emri im i vërtetë).

I bëra lutje diellit që e mbylla në nofullën e fjalës –
Dhe, aq jam i vogël dhe i pafuqishëm para fjalës,
Aq jam i uritur e i ngrirë për Dashurinë e fjalës, e –
Vargu është tmerr, është dhembje, është jetë,
E – vetëvetën deshta ta emrërtoj:
Lum i paemër –
Atëherë, plasi krenaria e shkëmbi prej marazit,
Vetëvrasje bëri dashuria e fjalës, një vetëvrasje të thjeshtë,
Të cilën e vorrosa në zemrën e mikut
Ku ndeshen prore, në ecjet e tyre – qeshja dhe vaji.
Secili kemi nga nje ditëlindje dhe nga një emër,
Nga një dashuri dhe nga një ringjallje. Atëherë,
Si ta emërtoj pastaj vetëveten
Kur pas çdo vdekje të thjeshtë është nga një lindje e re
(Se ditëlindja ime ne letër të njoftimit
Nuk është ditëlindja e as emri im i vërtet)?…

3.
Nuk është lehtë vetëm të duash.

Fahredin Gunga

Të ngjajshme