Tri vepra të Institutit u promovuan në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë

25 Prill, 2024 - 3:32 pm

Pas panairit të vitit të kaluar të librit akademik, që u organizua në Tiranë, edicioni i sivjetmë i këtij panairi po mbahet në Prishtinë. Këtë vit kjo ngjarje po mbahet në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Panairi ka filluar sot dhe do të vazhdojë deri më 26 prill.

Përveç dy akademive, të Shqipërisë dhe të Kosovës, në këtë panair marrin pjesë edhe shumë institucione shkencore dhe arsimore të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. Si institucion hulumtues dhe botues i librit shkencor, në këtë panair për herë të dytë po merr pjesë edhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve.

E veçanta e këtij panairi është se, përveç ekspozimit të librave, gjatë tri ditëve të panairit do të ketë edhe promovime të veprave shkencore. Me këtë rast, në ditën e parë të panairit u promovuan edhe tri vepra të Institutit, të botuara së fundmi. Në fillim të këtij promovimi fjalë rasti pati drejtori i Institutit, Dr. Skender Asani, i cili foli në përgjithësi për veprimtarinë hulumtuese dhe botuese të ITSHKSH-së.

Në prani të shumë studiuesve, për veprën “Bisedime mbi “Historin bujqësore të Shqipnis” të autorit Eqrem Bej Vlora referoi historiani Dr. Besnik Rameti, i cili theksoi se bëhet fjalë një vepër të sapozbuluar të një personaliteti të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare të pavarësisë, e cila ka vlerë të madhe historike, por edhe ka vlerë edhe për agronominë e sotme të Shqipërisë. Vepra “Ilegalja shqiptare pararëndëse e rrënimit të Jugosllavisë (I dhe II)”, e përgatitur nga Skender Asani, Sevdail Demiri, Milaim Fetai, Besnik Rahmeti ishte vepra e dytë që u prezantua në këtë panair, ndërsa për të referoi studiuesi Emin Azemi. Ai tha se “Kjo vepër sjell dokumente të rëndësishme të ilegales shqiptare gjatë viteve të fundit të ish Jugosllavisë, që janë vjelë nga Arkivi i Zagrebit, të cilat janë kontribut i rëndësishëm për ta ndriçuar historinë më të re të shqiptarëve në atë periudhë”. Vepra e fundit që u promovua ishte “Shkupi, vetë historia e Kosovës, me autorë Skender Asani, Mehmet Prishtina dhe Albert Ramaj, për të cilën foli studiuesi Dr. Zeqirija Ibrahimi. Kjo vepër është një studim dhe raport i një ish ministri të jashtëm italian, i cili flet për historinë e Shkupit, në veçanti, dhe të Vilajetit të Kosovës, në përgjithësi, në pjesën e parë të shekullit XX.

Promovimi u moderua nga Sekretari Shkencor i Institutit, Dr. Sefer Tahiri./KultPlus.com

Të ngjajshme