Trill

10 Korrik, 2017 - 11:45 am

Poezi nga Rozafa Shpuza
Ndërtova nji shpi
me krandet që dallndyshja mblodhi
për folenë në qoshk të ballkonit.
Gërmiha saksitë e karajfilave
e ngjiza themele dhejet erëmirë.
Rrjeta merimangash t’bardha
vara ndër dritaret e faqes lindore,
t’stërpikun me purpur agut.
Mbi pullaz shtrova ashkla pendesash
kaplue me krahë që m’rrokën
gjatë shtegtimeve idhnake…
Tashma, bubullimat e prillit
duartrokasin monologjet e shpirtnave,
që kthehen përmes oxhakut,
me çilë buzëqeshjet e fotografive
varun në oden me tavan andrrash./KultPlus.com

Të ngjajshme