Triumfi i dashurisë në kohë lufte, katër gra sjellin rrëfimet personale në librin “Kohë kurorash”

20 Mars, 2025 - 8:10 pm

Katër gra të Kosovës do të sjellin rrëfimet e tyre personale nëpërmjet librit “Kohë kurorash”, të cilat lufta e fundit e Kosovës i kishte gjetur në moshë të re dhe në kulm të dashurisë, dhe pikërisht dashuria e tyre është pikënisja e rrëfimeve të tyre personale të cilat i kanë sjell edhe në këtë libër.

Mirlinda Ahmeti, Shqiponja Vokshi, Shukrie Morina dhe Lona Kadriu janë autoret e këtyre rrëfimeve që janë bashkuar në këtë libër, e që nëpërmjet rrëfimeve të tyre shpërfaqin vështirësitë e luftës, dashurisë dhe triumfit të lirisë.

Dhe ky promovim vjen pikërisht në 26 vjetorin e bombardimeve të NATO-s mbi forcat ushtarake serbe, bombardime për të ndaluar spastrimin etnik në Kosovë, spastrim që udhëhiqej nga Sllobodan Milloshevic, i njohur edhe me nofkën “Kasapi i Ballkanit”.

Prurja e këtij libri vlerësohet të jetë shumë i veçantë, për faktin se nëpërmjet këtij libri do të dëshmohet edhe njëherë për vuajtjet e popullit shqiptar, por në këtë rast prej një këndvështrimi tjetër, prej vuajtjeve të të rinjve për mbijetesë. Rrëfimet në këtë libër janë ngjarje të vërteta, ku katër autoret shpjegojnë për dashurinë, frikën, vuajtjet…

Promovimi i librit do të bëhet më 24 mars, në ora 19:00 në KultPlus Caffe Gallery, ku panelistë do të jenë Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus dhe KultPlus Caffe Gallery, Arbër Selmani, poet, gazetar dhe Sara Kelmendi, gazetare dhe publiciste. Ne promovim do të ndahen copëza të veçanta nga libri, sikurse që do të nënshkruhen edhe autografe nga autoret.

Të katër autoret janë ekonomiste të diplomuara, por paraqitja e jetës reale edhe nëpërmjet librit është forma me bukur e dëshmisë, dëshmi që do të mbetet për gjeneratat e ardhshme.

Botimi i librit është mbështetë nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës./ KultPlus.com

Të ngjajshme