Tryezë shkencore për Nuhi Vincën, poeti i parë i trevës së Strugës

9 Nëntor, 2021 - 11:27 am

Më 11 nëntor në Institutin Albanologjik në Prishtinë do të mbahet Tryeza Shkencore me rastin e 90 vjetorit të lindjes të Prof. Dr. Nuhi Vincës, shkruan KultPlus.

Në këtë tryezë do të bëhet prezantimi dhe ribotimi i veprës me titull “Lirika popullore e dashurisë”.

Nuhi Vinca ka lindur në Veleshtë të Strugës, Maqedoni, ku më së shumti njihet për rolin e tij si pedagog, poet e përkthyes letrar. Vinca njihet si poet i parë me vepër të botuar lirike për të rritur në gjithë trevën e Strugës me librin “Dallge Jugu” e cila konsiderohet një nga veprat e para shqipe për të rritur në Maqedoni.

Poeti i njohur ka tri merita që s’mund t’i mohohen nga askush: është profesor i parë i gjimnazit të Strugës; është poeti i parë i trevës së Strugës (e ndër të parët në Maqedoni) me veprën poetike për të rritur “Dallgë Jugu”; është studiuesi i parë me monografinë shkencore për kulturën shpirtërore të regjionit të Strugës, etj.

Disa prej veprave të tij më të njohura janë: “Këngë pune e pushimi (poezi), Dallgë jugu, Vrulle lirike, Një ylber pa ty, Te guri i kufirit etj”,

Tryeza Shkencore nis të enjten më 11 nëntor me fillim nga ora 12:00 në Institutin Albanologjik në Prishtinë./KultPlus.com

Të ngjajshme