‘Turma e kalon jetën e saj si derrat që ushqehen në gropën e epshit’

6 Qershor, 2023 - 9:31 pm

“Jo” tha Niçja,-unë thjesht e quaj me emrin e saj të vërtetë. Nuk kam kundërshtim, që një burrë të bëjë seks kur ka nevojë për të. Por unë e urrej burrin, që lutet për të, që ia jep pushtetin e tij gruas që ia ofron atë, gruas artizane, që e kthen dobësinë e saj dhe fuqinë e tij në fuqi të saj.

-Ah, si mund ta mohoni ju erotikën e vërtetë? Ju injoroni impulsin, dëshirën biologjike, që është errënjosur te ne, që na lejon të riprodhohemi! Sensualiteti është pjesë e jetës, e natyrës.

-Pjesë, por jo pjesa më e lartë! Në të vërtetë, armiku për vdekje i pjesës së lartë. Këtu, më lejoni t’ju lexoj një frazë, që e shkrova sot në mëngjes.

Niçja vuri syzet e tij të trasha, u zgjat për nga tryeza e tij, mori në dorë një bllok të vjetër dhe shfletoi faqet e mbushura me një shkrim të palexueshëm. Ai ndaloi te faqja e fundit dhe gati duke e prekur me hundë, lexoi: Sensualiteti është një bushtër, që puth thembrat tona. Dhe sa mirë, që kjo e përdalë di sesi të lypë për një copë shpirt, kur i mohohet një copë mishi.

Ai mbylli bllokun.

-Kështu që, problemi nuk është, që seksi është i pranueshëm, por që bën që diçka tjetër të zhduket, diçka më e vlefshme, pafundësisht më e çmuar! Epshi, ngacmimi, kënaqësia: këta janë skllevër! Turma e kalon jetën e saj si derrat, që ushqehen në gropën e epshit.

Gropa e epshit. Brojeri përsëriti me vete, i habitur nga intensiteti i Niçes.

-Ju keni ndjenja të forta për këtë çështje. Unë dëgjoj më shumë pasion në zërin tuaj se kurrë më parë.

-Për të mundur pasionin, kërkohet pasion i madh. Shumë njerëz janë thyer nën rrotat e një pasioni më të pakët.

-Dhe përvojat tuaja në këtë fushë?- peshkoi Brojeri. -A keni pasur ju vetë përvoja fatkeqe, që ju kanë ndihmuar t’iu jepni formë përfundimeve tuaja?

-Argumenti juaj i mëparshëm, për qëllimin primar të riprodhimit, më lejoni t’ju bëj këtë pyetje? Niçja e tundi tri herë gishtin në ajër: A nuk duhet, që ne të krijojmë, të bëhemi, përpara se të riprodhohemi?

Përgjegjësia jonë ndaj jetës është që të krijojmë më të lartën, jo të riprodhojmë më të ulëtën. Asgjë nuk duhet të ndërhyjë në zhvillimin e heroit brenda nesh. Dhe nëse epshi ka zënë rrugën, ai duhet tejkaluar gjithashtu.

(Fragment i shkëputur nga libri “Kur qau Niçja” – Irvin Yalom). / KultPlus.com

Të ngjajshme