5 Qershor, 2019 - 2:36 pm
Me recitimin e vargjeve të Sevasti Qiriazit nga Safete Rugova, u bë hapja e edicionit të 21 të Panairit të Librit në Prishtinë, ku organizatori Edon Zeneli, përfaqësuesi i shtëpive të botuesve të Kosovës u shpreh se, me gjithë sfidat e panumërta, lexuesi është i vetëdijshëm dhe më i pranishëm se kurrë.
Duke kërkuar përkrahjen nga personat me ndikim, institucionet publike, u kërkua që të veprohet për Bibliotekat në vendin tonë, që janë në gjendje letargjie e krijuar, ku rrjedhimisht lexuesi nuk është i pranishëm, u shpreh përfaqësuesi i Shoqatës së Botuesve, Edon Zeneli.
Zeneli u shpreh se gjatë Panairit, do të ketë aktivitete të shumta dhe se ka botime të pothuajse çdo fushe, e të secilit interes. Më tej ai shtoi se, janë të pranishëm më shumë se 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia Veriore e Diaspora. “Do të prezantohen qindra tituj, dhe kemi rreth 5500-7000 tituj që kanë dalë vitet e kaluara dhe prezantohen në këtë Panair. Panairi është i hapur deri të dielën, dhe prania juaj është e çmuar sikundër e domosdoshme për ne”, tha Zeneli, i cili falënderoi Komunën e Prishtinës për mbështetjen e aktiviteteve dhe për përkrahjen që e kanë dhënë vazhdimisht ata.
Kurse kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti bëri thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe në Panair, i cili u shpreh i kënaqur me përkthimin e literaturës botërore në gjuhën shqipe. “Kemi pjesëmarrës një numër të madh të shkrimtarëve tanë që janë sot këtu dhe jemi të kënaqur që Panairi i 21-të, përkon me çlirimin e Prishtinës. Bëj thirrje që qytetarët sa më shumë ta frekuentojnë Panairin dhe të blejnë libra, sepse leximi është baza e kulturës së çdo kombi”, tha Ahmeti ku edhe bëri hapjen e Panairit.
Veçanti e Panairit të 21-të është prezenca e shkrimtarit shqiptar të madh Fatos Kongoli, i cili merr pjesë në këtë ngjarje pas një kohe. Ai shprehet mirënjohës për ftesën e Shoqatës së Botuesve. Kongoli, do ta prezantojë romanin e tij më të ri, tek stenda e Shtëpisë Botuese “Toena”.
“Jam shumë i prekur për fjalët e mira, që u thanë për mua. Ndjehem i lumtur që jam në Prishtinë, ku edhe do ta prezantojë romanin tim më të ri”, tha ai për mediat.
Edhe një emër i njohur i letërsisë bashkëkohore ishte pjesëmarrës në hapje. Shkrimtari i shquar francez Juan Asensio, u shpreh i lumtur që gjendet në mesin e shqiptarëve, dhe sheh shumë dashuri për kulturën e librin në kryeqytetin kosovarë. Dashuria e shqiptarëve për librin i ka lënë mbresa atij dhe është gjë e bukur që romani i tij është sjell në gjuhën shqipe.
Kurse ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi i lumtur për pjesëmarrjen në këtë ngjarje u shpreh: “Kudo në Kosovë festohet 20-vjetori, ndërsa këtu festohet 21-vjetori. Është diçka unike, që Kosova gjatë kohës së luftës festoi hapjen për herë të parë të Panairit të Librit shqip, që sipas Minxhozit është ngjarje madhore historike. Ai thotë se libri krahas pushkës solli lirinë që kemi sot.
E shkrimtari Daut Demaku në fjalimin e tij, foli për ligjin e krijimit me të cilin tha se u mor gjatë. “Jeta ec veç përpara, libri është një mundësi që çel dritë në rrugën e ecjes përpara. Krejt ata që i doni, ftoni le ta marrin librin, të bashkëjetojnë me të, e jo me thashetheme që janë jo vetëm kot, por janë edhe në kundërshti me ligjin e jetës që ec përpara”, përfundoi ai.
Panairi i 21-të i librit në Prishtinë do të vazhdojë deri më 9 qershor. Në kuadër të tij, do të mbahen shumë aktivitete, e parashihen ta vizitojnë përafërsisht rreth 40000 qytetarë, në mesin e tyre studentë, nxënës, e personalitete të shquara të jetës kulturore shqiptare./KultPlus.com