20 Nëntor, 2020 - 11:55 am
Jeta Zymberi
“Mbi të gjitha e çmoj lirinë. Jetoj ashtu siç dëshiroj. Dëshirat nuk i kam të mëdha për jetë luksoze, por mundësitë i kam tejet të vogla për të jetuar si njeri i rëndomtë. Shumë gjëra i humba në jetë për shkak të poezisë. Kam mundur të jem dikushi, por kam mbetur “një poet rrugëve të Prishtinës”, kafeneve, 22 vjet pa kulm mbi kokë”, kështu kishte thënë poeti jonë i rrallë Mirko Gashi në një intervistë të vitit 1984.
Poet, aktor, gazetar, arsimtar, përkthyes letrar, në jetën e tij prej 56 vjetësh, ai diti të jetoj siç deshi.
Poeti bohem i letërsisë shqipe, Mirko Gashi mbrëmë u përkujtua si një ndër poetët më të rëndësishëm të poezisë bashkëkohore shqipe që dallohej jo vetëm me vargun e tij poetik por edhe për fjalën e tij, ecjen, sjelljet e stilin, e për çka jo rastësisht është quajtur edhe poeti rebel, shkruan KultPlus.
Ndonëse rrugës së jetës nuk i shkoi deri në fund dhe krijimtarinë e tij nuk arriti ta pasurojë aq sa synonte, me këto pak botime sa ai ka lënë pas vetes, ka arritur të futet në plejadën e artë të poezisë shqipe në Kosovë.
Pen Qendra e Kosovës, në kuadër të projektit “Ora e shkrimtarit”, mbrëmë ka shpalosur një krijimtari e jetë të një poeti që ndoshta ende nuk njihet e nuk është studiuar sa duhet. Në ambientin e KultPlus Caffe Gallery, nën moderimin e studiuesit dhe profesorit Salih Bashota, referuesit e mbrëmshëm, profesori Osman Gashi dhe poetja Naime Beqiraj, sollën para syve të publikut figurën e shkrimtarit të rrallë në letërsinë shqipe e shpalosën një botë ndryshe që sinonim e kishte lirinë.
Të pasurit mik një poet si Mirko Gashi, padyshim që lenë gjurmë te secili. Kështu, Bashota në fjalën hyrëse shpalosi poezinë e tij kushtuar Gashit pas vdekjes.
“Ëndërr paska qenë liria zhgjëndërr poezia e vdekjes/Vare çelësin në mur le të këndojë orëqyqja/Ndërroji teshat e trupit mos të krimbet vetmia ime…”, ishin disa nga vargjet e poezisë që zbërthenin shumëçka nga jeta e Mirkos.
Për studiuesin dhe profesorin Osman Gashi, Mirko është njëri ndër poetët më fatkeqë të letërsisë shqipe, sidomos të asaj që krijohet në Kosovë.
“Ai nuk u kuptua plotësisht, madje shpeshherë edhe u keqkuptua. Jeta e tij ridhte përgjithësisht jashtë konvencave shoqërore, poezia e tij në pjesën më të madhe i shpërthente kornizat letrare të kohës, ndërkaq kritika nuk arrinte të depërtonte në thelbin e saj, në ndjeshmërinë dhe preokupimet e tij”, pohon Gashi.
Përmes analizës së tij, Gashi vuri në pah disa nga problematikat themelore të poezisë së Mirkos. Ai pohoi se autori e ka njohur mirë mitin.
“Personazhet mitologjike nuk janë vetëm si dekor në poezinë e tij, ato e përligjin pozicionin e poetit karshi botës e jetës.”
Tutje, Gashi ngrit pyetjen se: A është Mirko Gashi poet bohem?
Përkundër asaj që Mirko cilësohet nga kritika si poet bohem, sipas Gashit, vepra e tij pak është trajtuar në këtë kontekst.
“Poezia e tij mbetet edhe sot një produkt i një shpirti të trazuar e të papajtueshëm, një zë, një gjëmim, një klithmë për më shumë humanizëm, drejtësi e vëmendje për njerëzit e lënë në margjinat e jetës”, në këtë këndvështrim Gashi e cilëson edhe si poet bohem Mirkon.
Në ndërkohë, poezia e cila cilësohet edhe si më e mira e poetit, “Varka e Nojit” erdhi e interpretuar nga studentja Ela Tafa si parahyrje e fjalës së poetes dhe studiueses Naime Beqiraj e cila e nisi duke thënë se Mirko Gashi përmes kësaj poezie e zhgjëndërron objektin e premtuar e të mbrojtur biblik. E shpie tej dhe e sjell deri në ditët tona.
Për Beqirajn, Gashi ishte ëndërrimtar, vrojtues, ndërtues, stugmatizues e shigjetues njëkohësisht dhe se askush para tij nuk ka shkruar kështu. Ai nuk ishte i zakonshëm, as në jetë, as në krijimtari.
“Në poezitë e të gjitha librave që botoi, ndërtohen iluzionet që burojnë herë nga revolta, herë nga dashuria, e sidomos dashuria e cila në poezitë e Gashit resh pa pushim, ndonëse me thurje të ndryshme. Dashuria e Gashit është edhe lojë, edhe fjalë, edhe heshtje, edhe mitologji, edhe gëzim.”
Studiuesja Naime Beqiraj nuk la pa përmendur edhe figurat shqiptare dhe poezitë përkushtim që zënë një vend të rëndësishëm në krijimtarinë e Gashit. Gjergj Kastrioti, Mic Sokoli, Shtjefën Gjecovi, Muslim Mulliqi, Homeri, Anton Pashku e Nëna Terezë, janë disa nga figurat që autori poezinë e mbindërton si bashkëbisedim me personazhin.
“Ato vijnë spontane në vargun elegant, duke mos e shoqëruar poezinë as duke mos u bërë themel i vargut. Ato ndërtohen natyrshëm dhe bëhen banesa, streha e shtrati i poetit”, pohon Beqiraj.
Mirko Gashi duke qenë edhe aktor, ka arritur që poezitë e tij t’i sjell në atë formë saqë shpesh të bëjnë të ndihesh si në teatër, e pikërisht kjo e bënë studiuesen Naime Beqiraj të ndihet e privilegjuar si lexuese e Mirko Gashit.
Projekti “Ora e Shkrimtarit”, organizuar nga Pen Qendra e Kosovës dhe mbështetur nga MKRS, ka nisur në muajin tetor me Esad Mekulin, për të vazhduar tutje me: Adem Demaçin, Ibrahim Rugovën, Anton Pashkun Hasan Mekulin, Jusuf Gërvallën, Xhemail Mustafën, Rifat Kukajn, Mensur Raifin dhe përfunduar mbrëmë me Mirkon Gashin, duke premtuar që në të ardhmen të përfshijnë edhe shkrimtarë të tjerë në organizimet e tyre. / KultPlus.com