17 Dhjetor, 2020 - 3:28 pm
Medina Pasoma
Ndonëse historia jonë është e kurorëzuar me ngjarje të rëndësishme falë veprimtarisë së individëve të shquar, një rol tejet të madh ka edhe Parashqevi Qiriazi. Pikërisht për të vlerësuar figurën e saj të madhe, në Bibliotekën Kombëtarë të Kosovës në Prishtinë u promovua ditari i saj si dhe u shfaq dokumentari për të, shkruan KultPlus.
Parashqevi Qiriazi e cila tanimë me kontributin e madh për arsimin, kulturën dhe diplomacinë shqiptare është kthyer në mësuese të mbarë popullit, kësaj here i erdhi publikut kosovar përmes dorëshkrimeve të saja, nën titullin “Ditari i Parashqevi Qiriazit, Ditët e mia në Konferencën e Versajës” dhe fjalëve të të tjerëve për të.
Holli i Bibliotekës Kombëtare mirëpriti profesor universitar, përfaqësues institucionesh e kontributdhënës të kulturës për të ndjekur aktivitetin kushtuar Qiriazit në 50 vjetorin e vdekjes së saj. Përderisa të pranishmit morën ulëset, Valdeta Kasapi filloi moderimin, duke i uruar pjesëmarrësve shikim të mbarë për dokumentarin i cili shpalosi jetën dhe veprën e Qiriazit.
Figura të rëndësishme dhe njohës të kontributit të saj, kishin përzgjedhur fjalë të veçanta për të kujtuar Qiriazin në dokumentarin e përgatitur nga Ministria e Kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të shqiptarëve dhe Instituti për studime shqiptaro-protestane në Tiranë.
Dokumentari i cili përveç fjalimeve, përbënte fotografi që nga fëmijëria e deri në moshën më të vonshme të Qiriazit, dokumente e dorëshkrime të saj, nuk mbeti vetëm nën hijen e syrit të publikut kosovar. Pikërisht në ato momente, kjo përmbledhje po shfaqej edhe në Paris, përkatësisht në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-së.
Pas dokumentarit, foltorja u hap për organizatorët për të nderuar figurën e ndritur të Qiriazit. Kryetari i Shoqatës për kthimin e shqiptarëve të shpërngulur, Jahjaga Lluka theksoi rëndësinë e unifikimit të shqiptarëve dhe punës së vazhdueshme për faktografimin e individëve dhe ngjarjeve të rëndësishme të historisë kombëtare.
Në anën tjetër, kryetari i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të shqiptarëve, Skender Asani theksoi se mos bërja mjaftueshëm për figurën e kësaj gruaje të madhe shqiptare e shtyu këtë institucion që të publikonte ditarin e Qiriazit.
“Ne sot përmes ditarit dhe filmit dokumentar po prezantojmë një episodë të shkurtër nga jeta e Parashqevi Qiriazit sepse emri i saj është shumë më i madh dhe mbetemi me shpresë që profili i plotë i kësaj gruaje shqiptare do të studiohet nga ekipet e specializuara”, u shpreh drejtori i Institutit.
Ai shtoi se familja Qiriazi paraqesin shiritin e çmueshëm të memories kombëtare, duke përmendur mësonjëtoren, Kongresin e Manastirit dhe përpjekjet shekullore për Pavarësi.
“Familja Qiriazi me përpjekje titanike ishte prej flakadanëve kryesor që kësaj ngjarje i hapi udhën dhe shtigjet e errëta të historisë”, tha Skender Asani.
Tutje, drejtori i Institutit shprehi dëshirën e tij që Parashqevi Qiriazi të shndërrohet në pasaportë kulturore e diplomatike për shtetin e Kosovës.
Në anën tjetër, për të folur në cilësinë e kritikut letrar i pranishëm ishte edhe publicisti Emin Azemi. Ai tha se Ditari i Qiriazit “Ditët e mia në Konferencën e Versajës” shpalosin angazhimin e drejtpërdrejtë të një gruaje shqiptare në ngjarje madhore të kohës.
“Ditari që tanimë kemi në duar dëshmon që një prej hallkave që lidhte gjithë ato ngjarje të bujshme në prag dhe pas Konferencës së Versajës ndodhi në duart e brishta të Parashqevi Qiriazit, që atëherë as që e dinte se po e shkruante diplomacinë shqiptare”, theksoi Emin Azemi.
Tutje, publicisti shtoi se shënimet e marra nga Qiriazi nga 1 janari e deri më 26 tetor të vitit 1990 janë përmbledhje e një kronike autentike mbi zhvillimet në prag të Konferencës së Versajës dhe pas saj.
“Pasi ta kemi lexuar këtë ditar do të mbetemi për një çast të fikësuar me një pyetje: “Si ka arritur kjo grua e shquar, e rrethuar me vetminë e dilemave delikate që shtronte koha kur nuk mjaftonte as fuqia e dhjetëra burrave për të ça akullin e refuzimit ndaj çështjes shqiptare?”, vlerësoi Azemi.
Emin Azemi tha se ky ditar i shkruar me shkrim dore dhe e konceptuar si një agjendë ngjarjesh ditore, do të shërbej për hulumtim dhe frymëzim për studiues, historian, shkrimtarë e skenaristë të shumtë, duke qenë se Parashqevi Qiriazi arriti të përhapte zërin e kombit shqiptar.
“Ajo arriti të bëhej zëdhënëse e kauzës shqiptare në një konferencë ndërkombëtare ku logjika e ftohtë e gjeopolitikës ishte më e ashpër se dëshirat dhe aspiratat e shqiptarëve për të jetuar brenda një sovraniteti të pacenuar territorial e kombëtar”, tha për fund Azemi.
Parashqevi Qiriazi përbën një ndër personat më të rëndësishëm të historisë, e që dëshmon edhe për fuqinë dhe përkushtimin e grave pavarësisht periudhave kohore. / KultPlus.com