12 Janar, 2024 - 7:33 pm
Jeta Zymberi
Moti i ftoftë i janarit, sot kishte vendosur të lëshoj rreze dielli të cilat depërtuan nga dritaret në ambientin e KultPlus Caffe Gallery për të sjell para publikut shpirtin krijues të një prej shkrimtarëve më të veçantë shqiptarë, atë të poetit Basri Çapriqi.
Nën organizimin e PEN Qendrës së Kosovës sot u bë një promovim i veçantë për kompletin e veprave të kryetarit të parë të këtij asociacioni, të poetit, studiuesit dhe profesorit, Basri Çapriqi, i cili iku në amshim më 14 janar 2018. Pra, edhe dy ditë bëhen 6 vite që nuk është në mesin tonë. Ambientet e mrekullueshme të KultPlus Caffe Gallery u bënë shtëpia e përurimit të këtij thesari letrar, duke shpërndarë diellin e fjalëve dhe krijimtarisë së paharrueshme të Çapriqit.
Vepra komplete e Basri Çapriqit, e përbërë nga katër vëllime, sjell në vëmendje thellësinë dhe gjerësinë e shpirtit krijues të këtij poeti të shquar. Ky botim pasuron letërsinë shqiptare me poezi të mahnitshme, studime letrare të thella, ese dhe publicistikë, duke e bërë atë një pasuri të paharrueshme për lexuesit e pasionuar të letërsisë.
Një aspekt i veçantë i këtij botimi është fakti se veprat janë publikuar pa asnjë ndryshim, duke ruajtur autenticitetin dhe pasionin e autorit në secilën fjalë. Ky akt i respektimit për trashëgiminë letrare të Çapriqit thekson përkushtimin e PEN Qendrës së Kosovës për të ruajtur integritetin e veprës së një krijuesi të madh.
Në këtë ceremoni të veçantë, është bërë e ditur se në kompletin e veprave janë përfshirë shumica e shkrimeve të Çapriqit, të cilat kanë shkëlqyer në konferenca shkencore dhe kanë ndriçuar faqet e gazetave dhe revistave brenda dhe jashtë kufijve të vendit.
Publiku sot ishte në numër të madh, miq, studiues, profesorë, studentë e padyshim edhe familjarët kishin ardhur për të nderuar këtë personalitet që mbi të gjitha shquhej për kulturën që kishte.
Në këtë promovim, përpos që u kujtua profesori Basri, u përkujtua edhe bashkëshortja e tij, njëherit, përkthyesja dhe profesoresha e Fakultetit të Filologjisë, Sazana, e cila iku në amshim disa vite pas vdekjes së Basriut.
Studentë të rinjë të Fakultetit Filologjikë të cilët nuk patën fatin të dëgjojnë timbrin e veçantë të këtij profesori teksa ligjëronte, sot patën fatin të takojnë nga afër krijimtarinë e tij të përmbledhur dhe gjithashtu të lexojnë para të pranishmëve disa nga poezitë e përzgjedhura të këtij poeti.
“Dritaren lëre hapur” ishte poezia që hapi këtë takim e që nuk ishte zgjedhur rastësisht. Dritarja ishte vendi i preferuar ku zgjidhte të ulej gjithmonë profesori Basri, por dritarja kishte edhe një simbolikë tjetër në këtë rast. Profesori Basri me krijimtarinë e tij ka lënë hapur dritaren përmes secilës do të shohim ne e shumë gjeneratat pas nesh.
Pas kësaj poezie mjaft të ndjerë, fjalën e mori profesori Sali Bashota i cili edhe moderoi këtë takim.
Me një dridhje zëri të cilën mblodhi forcat ta ngulfate e mos të kthehej në lot, Bashota ndau me publikun kohën kur u takua për herë të parë me Basriun.
“Takimi im i parë me Basri Çapriqin qe 1 tetor 1978. Në vjeshtën e këtij viti filluam bashkë studimet në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetin e Prishtinës. I zhytur thellë në mendime, me buzëqeshje të pazbuluar kurrë deri në fund, me qetësinë e vrullshme të mbërthyer në sytë e tij, Basri Çapriqi kishte gjithmonë pamjen e një poeti, me ecjen, me veshjen, me heshtjen, me humorin spirituoz, me fjalët e tij”, përshkroi kështu me pak fjalë këtë personalitet të veçantë, profesori Bashota i cili tutje e cilësoi Çapriqin si poet i detit dhe njëri ndër poetët më të përveçëm të poezisë shqipe i cili ka paraqitur dhe sintetizuar qartë, saktë dhe bukur idetë, mendimet, figurat dhe sintaksën stilistike drejt majave për t’u ngjitur në panteonin e lirikës shqipe.
“Në të gjitha veprat e tij poetike, Basri Çapriqi i ndërtoi ato imazhe magjepsëse që e kanë fuqinë e frymëzimit në realitetin e krijuar midis shenjës, ritmit dhe tingujve të pafund të fjalës së bukur shqipe”, thotë Bashota.
Tutje fjalën e mori kryetari i PEN Qendrës së Kosovës, Binak Kelmendi i cili falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuuar në botimin e këtij kompleti.
“Këtë do ta quaj edhe një takim emotiv, por edhe një takim shumë të rëndësishëm për ta përkujtuar Basriun i cili vazhdon të na bëjë bashkë edhe tash pas vdekjes së tij”, shprehet Kelmendi.
I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe i ngarkuari me punën e ambasadorit të Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj i cili u shpreh se me Basriun jo vetëm që ndajnë të njëjtën prejardhje, por vijnë edhe nga i njëjti mikrolokalitet.
“Shkrimet e Basriut janë plotë pasion, plot zjarr poetik, sikur një udhëtim nëpër një botë të re, nëpër një peizazh sublim të mozaikut kompleks të ndjenjave dhe emocioneve. Basriu iku para kohe, por e ka lënë dritaren hapur që të mund t’i kthehemi vargjeve të tija, fjalëve të tija, t’i ujisim me domethënie të reja dhe çdoherë t’i përdorim në përballje kundër dembelisë intelektuale dhe shijes provinciale kulturore”, tha Çobaj duke potencuar në fund se Basri Çapriqi është ambasadori i vërtetë i artit që bashkon Malin e Zi dhe Kosovën.
Gjithashtu, fjalën e morën edhe studiues e njohës të veprimtarisë së poetit, duke sjellë në vëmendje personalitetin e rrallë të Basri Çapriqit. Profesori, i cili ndërroi jetë para gjashtë vjetësh, konsiderohej si një magnet që tërhiqte shoqërinë me kulturën e tij të jashtëzakonshme. Kjo kulturë, e pasuruar me njohuri të thella dhe një pasion të paimagjinueshëm për letrat, bëri të mundur bashkimin e njerëzve rreth një ideje, një fjalë, dhe një shpirti krijues.
Profesori Milazim Krasniqi u shpreh se Çapriqi në kuadër të këtij botimi të veprës komplete, me siguri do të marr pjesën më të madhe të shkëlqimit të veprës së tij, përballë studimeve dhe publicistikës, sepse Basriu në rend të parë ishte poet e vetëm pas kësaj edhe studiues letërsie dhe publicist.
“Poezia e tij ka bërë jetë intensive relativisht të shpenguar në relacion me publikun edhe për gjallje të autorit, me anë botimesh, ribotimesh dramatizimesh, recitimesh e përkthimesh, sepse autori ka qenë nga ata që nuk imponohen vetë në vend të veprës së tyre”, tha profesori Krasniqi i cili vlerësoi se Basriu e ruan shprehjen poetike nga intonimi triumfalist dhe nga retorika vulgare, duke iu përmbajtur asaj që ka thënë vetë për Shejmus Hinin: “Nuk ka forcë destruktive që e shtyn shkrimtarin fisnik të fjalës humane të militarizojë gjuhën si mjetin kryesor të ekzistimit të veprës artistike”.
“Basriu poet ishte nga fillimi e deri në fund kërkues i të vërtetave të përhershme të jetës kombëtare, personale e njerëzore dhe mjeshtër për kumtimin e tyre me një shprehje që e ka të mbrojtur në vete vërtetësinë artistike”, tha Krasniqi.
Ndërsa profesori Ibrahim Berisha solli kumtesën “Liria e aksidentit dramatik” duke potencuar se Basriu ishte një kërkues i përhershëm dhe krijues, thënë më drejtë, i vlerave që duhej valorizuar për të rigjetur fijet e integrimit të shqiptarëve me botën e qytetëruar, të lirë dhe demokratike.
“Në fund të viteve 1980 fillon rënia e sistemeve diktatoriale në Evropë, edhe në Kosovë, Basriu, bën pjesë ndër intelektualët e parë, që me shkrime, paraqitje publike, rihap dhe ridimenensionuan temën e lirisë dhe motivuan njerëzit ta vlerësojnë edhe duan atë, edhe kur nuk është krejt e pastër”, tha Berisha.
Ndërsa profesori Osman Gashi foli për tekstet kritike të Çapriqit duke ju referuar librit “Mikrostruktura e tekstit” që është vepra e parë diskurzive e Basri Çapriqit e botuar në edicionin e Rilindjes, më 1990.
“Vepra trajton në mënyrë krejtësisht të veçantë poezinë e sotme shqipe, sidomos atë të gjysmës së dytë të shekullit XX. Mund ta konsiderojmë si një monografi të fokusuar, në radhë të parë, në krijimtarinë poetike të një domeni specifik që studiuesit e kanë emërtuar si poezi e sferës së mbyllur subjektive e që më pas është emërtuar edhe si poezi e komunikativitetit të ulët, poezi e kulluar apo poezi hermetike”, tha Gashi duke u shprehur tutje se analizat e thella, konkludimet e qarta, seleksionimi i drejtë e i saktë i autorëve e veprave letrare, e bën këtë tekst studimor që të lexohet e studiohet edhe sot si një vepër me vlerë të pamohueshme mbi karakterin, pasurinë e formave e të llojeve si dhe orientimet stilistike të poezisë së sotme shqipe.
Krejt në fund, fjalën e mori edhe e bija e profesorit Basri, Bulëza Çapriqi e cila mes emocioneve u shpreh falënderuese ndaj gjithë atyre që janë organizuar në botimin e këtij kompleti.
“Jam shumë krenare për veprën që babi ka lënë pas dhe që tashmë është e botuar në një vend ku mund të shihet zhvillimi i tij si autorë në kohë të ndryshme, stile dhe forma të ndryshme. Për mua, shumë më shumë se botimi i një libri, është ringjallja e gjithë krijimtarisë së tij artistike”, tha Bulëza.
Krejt në fund, ishte vendosur që kompleti i veprave të Basriut të ju dhurohet tri perosnaliteteve të rëndësishme, të vlerësuar nga PEN Qendra. Veprat ju dhurun drejtoreshës së KultPlus, Ardianë Pajazitit, Ismet Kallabes dhe ambasadorit Avni Spahiu.
Vepra e Basri Çapriqit, si një monedhë e rëndësishme e trashëgimisë letrare, vazhdon të shndërrohet në burim frymëzimi për brezat e ardhshëm. Ky promovim është një akt respekti ndaj kujtesës së një poeti të jashtëzakonshëm dhe një shenjë e thellë e përkushtimit të shoqatës PEN Qendra e Kosovës ndaj krijimtarisë së vlerësuar letrare.
Botimin e këtij kompleti e ka mbështetur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com