21 Maj, 2024 - 10:30 am
Në kuadër të takimeve kulturore “Pena e Dritës” në Qendrën “BogdaniPolis” në Prishtinë, u shënua DITA E BIBLIOTEKËS “Ernest Koliqi”. Manifestimi u mbajt në datën e lindjes së shkrimtarit e publicistit Ernest Koliqi, i cili, pëveç të tjerash, në Kosovë kujtohet dhe nderohet si themelues i shkollë shqipe.
Për personalitetit poliedrik të Koliqit foli njohësi i tij i afërt, Don Lush Gjergji, i cili, me këtë rast, evokoi kujtime nga miqësia personale me të gjatë kohës së studimeve në Romë.
Pastaj, studiuesja e letërsisë, Agnesa Beqiri mbajti Lectio Magistralis, me titullin “Proza moderne e Koliqit“, nëpërmjet së cilës ajo potencoi disa prej veçorive kryesore të veprës së këtij autori, i cili nga kritika letrare vlerësohet si themelues i prozës moderne shqipe. Po ashtu, Beqiri vuri në pah edhe ndikimin e prozës së Koliqit në krijimtarinë e autorëve tanë të mëvonshëm, veçmas në krijimet e A. Pashkut dhe S. Hamitit.
Ky manifestim, që kishte mbledhur krijues e studiues të shumtë të letërsisë, studentë e mësimdhënës universitarë, pati edhe një program të pasur artistik, me pika të zgjedhura në piano dhe violinë./ KultPlus.com