12 Gusht, 2024 - 8:03 pm
“Imagjinata është instrumenti kryesor për shëndoshjen morale të njeriut.”
Persi Shelli
Uilliam G. Golding njihet në botë jo vetëm si shkrimtar i prozës së bukur, por dhe si zhbirues i mendjes dhe shpirtit të njeriut të lirë. Përmes magjisë së fjalës dhe metaforës mitike ai zbret deri në bodrumet e subkoshiencës, për të vrarë “bishën”, që fshihet brenda shpirtit të njeriut.
Kush është Ulliam Golding
Ai lindi në një familje intelektuale më 19 shtator të vitit 1919, në Saint Columb Minor, në Kornuell. I ati ishte drejtor i një shkolle fillore, ndërsa e ëma aktiviste e lëvizjes për të drejtat elektorale të grave. Gjatë kryerjes së studimeve të larta në Oksford ai u shqua jo vetëm për mësimin e greqishtes së vjetër, por dhe për poezitë e tij të para, të cilat në vitin 1934 do t’i përmblidhte në vëllimin poetik “Poema”. Pas diplomimit, në vitin 1935 do të vendoset në një komunitet pranë Londrës, ku afrohet shumë me mendimin filozofik austriak. Në vitin 1939 martohet me Ann Brookfield, kimiste. Gjatë Luftës së Dytë Botërore atij i besohet komanda e një anijeje luftarake. Pas lirimit nga shërbimi ushtarak rifillon të japë mësim, të cilin e braktisi përfundimisht në vitin 1961, për t’u vendosur në zonën e Selisbërit. Në vitin shkollor 1961-1962 punon si profesor i jashtëm në kolegjin Hollings në Virxhinia, ndërsa më pas do të ftohet të japë mësim në disa nga universitetet më të mira britanike. Ishte koha kur Goldingu afrohet më shumë me prozën. Për punë dhe krijimtari të gjerë artistike, ai u nderua me medalje të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare si “Diploma ad honorem e Sorbonës”. (1982) Ndërsa më 6 tetor të vitit 1983 u nderua me çmimin e madh “Nobel” për letërsinë, me motivacionin: “Për romanet e tij, që me qartësinë e rrëfimit realist, si dhe me larminë e përgjithësimin e mitit, hedhin dritë mbi gjendjen e njeriut në botën e sotme”.
Më 10 dhjetor të vitit 1983 në banketin e “Nobelit” laureati Uilliam Golding, përmes fjalimit të tij me titullin kuptimplotë “Që kufijtë të kalohen lehtë”, u dha burrave të shteteve të botës një mesazh të bukur bashkimi dhe komunikimi mes kombeve dhe vendeve të gjithë rruzullit tokësor.
Ja si u drejtohet ai atyre: “Kthehuni ca. Bëni një hap prapa. Marrëveshjes midis jush nuk i duhet zgjuarsi, shtjellim, manovrim, i duhet mendja e shëndoshë dhe, mbi të gjitha, një zemërgjerësi e guximshme…Kjo do të kishte sukses, sepse do të ndeshej me një lehtësim gjithëbotëror…”.
Uilliam G.Golding ndërroi jetë më 19 korrik të vitit 1993, në Uilthshire të Anglisë.
Krijimtaria e Goldingut është sa e gjerë, aq dhe e larmishme. Ai ka shkruar poezi, skenarë filmash dhe drama. Por ata që e bënë Goldingun me famë të rrallë janë romanet e tij të lexuar në të gjithë botën, si: “Trashëgimtarët” (1955), “Rënie e lirë” (1959), “Rrotull” (1964), “Piramida” (1967), “Perëndia e akrepit” (1971), “Errësira e dukshme” (1979), “Gjuha e dyfishtë” (1995), triologjia “Deri në skajet e tokës”, etj.
ROMANI “PERËNDIA E MIZAVE”, NJË KAMXHIK SARKASTIK MBI BOTËN E SOTME KONFLIKTUALE
Një nga romanet e tij më të mirë të këtij shkrimtari të madh, të cilin e kemi bërë objekt të këtyre shënimeve të shkurtra është “Perëndia e mizave”. Ky roman dallohet jo vetëm për problematikën e tij interesante, por, veçanërisht, për stilin e papërsëritshëm dhe gjuhën e rrallë. Dhe për të shijuar këtë magji, ndoshta mjafton të lexosh këtë roman me një brendi sa reale, aq dhe metaforiko-mitike. Romani “Perëndia e mizave”, botuar që në vitin 1954 nga Tomas Eliot, është quajtur metaforë e Satanait. Ngaqë u pëlqye shumë, veçanërisht, nga rinia studentore e kohës, ai u ribotua me 14 milionë kopje. Në qendër të subjektit të romanit qëndron sjellja e një grupi fëmijësh britanikë, të cilët, si pasojë e një fatkeqësie ajrore, izolohen mbi një ishull tropikal. Ka ndodhur një shpërthim atomik dhe fëmijët janë larguar me një avion të pajisur me një tub të çmontueshëm pasagjerësh. Duke fluturuar sipër deteve tropikale, avioni është sulmuar dhe ka lëshuar tubin, i cili është përplasur në xhunglën e një ishulli të pabanuar. Avioni mori flakë. Ndërsa mbetjet e tubit nga furtuna janë degdisur në det të hapur. Sipas kritikës letrare të kohës romani “Perëndia e mizave”, ka vlera të veçanta jo vetëm se na tregon errësirën e zemrës së njeriut, por dhe, sepse ai na nxit për të depërtuar brenda botës shpirtërore të tij.
Pikërisht, këtu e gjen shprehjen e vërtetë dhe kuptimi realist i sentencës së bukur të Shellit, i cili theksonte se imagjinata është instrumenti kryesor për pastrimin moral të njeriut. Fëmijët, në ditët e para, edhe pse të izoluar e të shqetësuar shumë për fatin e tyre fillojnë të hedhin hapat e para të bashkëjetesës e mirëkuptimit, ndërsa më vonë ata sa vjen e bëhen më dëshpërues e agresivë, derisa arrijnë në përplasje fatale. Ngjarjet e romanit zhvillohen mbi një fabul sa imagjinare, aq dhe koherente. Ato janë refleksione letrare mbi rezultatet e një eksperimenti, që Goldingu deshi të bënte, kur ishte mësues me nxënësit e klasës së katërt fillore, i cili kishte për qëllim realizimin e mësimit dhe edukimit të tyre pa praninë e mësuesit. Më vonë ai do të bindet se një mësim i tillë, pa praninë e mësuesit dhe të rriturve ishte një utopi, sepse njeriu si qenie shoqërore nuk mund të mësohet dhe të edukohet i izoluar si në sera apo si fidanët e mbjellë në kubikë, që kaliten në fusha të hapura.
Fëmijët, sapo zbresin në ishullin e izoluar ndahen në dy grupe rivale. Në grupin e gjahtarëve që frymëzohet nga Xheku dhe në grupin e rojtarëve të zjarrit, që drejtohet nga Ralfi, përplasja e të cilëve do të sjellë konflikte tragjike. Ja si e përshkruan autori këtë konflikt të ashpër: “Përballë tyre ishte një xhungël si shkëmb, pikërisht atje ku shkëmb s’duhet të kishte…Ralfi u turr si mace e kërcënuar me shtizë, duke hungëruar, ndërsa egërcaku, Xheku, u përplas mëdysh…” (313). Romani, në thelb, është një kamxhik sarkastik ndaj botës konfliktuale që e ka zhytur njerëzimin në gremina të thella. Shigjetat fshikulluese autori i drejton si kundër fetishizimit të progresit të teknologjisë botërore, ashtu edhe kundër interpretimi jo real të së keqes dhe të mëkatit. Sipas studiuesve të mëdhenj të artit e të letërsisë, I. Gregor dhe M. Kinkeod, dy elementet kryesore që i japin jetë brendisë së një romani, janë fabula dhe fiksioni. Por që një roman të pëlqehet shumë nga lexuesit, ka rëndësi të veçantë që këto dy elemente bazë të subjektit të harmonizohen mirë dhe në raport të drejtë me njërit-tjetrin. Por në romanin “Perëndia e mizave” ka ndodhur ndryshe. Ai që e ka bërë më të bukur e tërheqës këtë roman është “fiksioni”, i cili ka të bëjë me përshkrimin e eksperimentit për mësimin anarkik të fëmijëve.
Vlerat e romanit nuk qëndrojnë tek utopia e didaktikës së dështuar anarkiste, por tek magjia e fjalës dhe trilli krijues mitik. Ashtu siç ka theksuar Lambert, romanin nuk e bën të bukur vetëm fabula. Në këtë roman është pikërisht fiksioni ai, që i ka dhënë kuptim e vlerë brendisë së tij. Për ta kuptuar këtë realitet mjafton të citojmë pasazhe të shkurtra nga ky fragment: “Shkëmbi i madh mbeti varur, qëndroi në ekuilibër mbi njërin gisht të këmbës, vendosi të mos kthehej, lëvizi përmes ajrit, ra, goditi fort, u rrotullua e fluturoi me uturimë teposhtë në ajri, pastaj u përplas duke hapur një gojë të thellë në tendën e pyllit” (61). Bukuria e vërtetë e këtij romani qëndron në procesin e hulumtimit të natyrës dhe të shpirtit të shprishur të njeriut. Ai kërkon të zhbirojë akullnajën e natyrës degraduese të njeriut në shoqëritë e izoluara dhe të brishta anarkiste dhe egocentriste. Thelbin e fabulës së romanit, Goldingu e merr nga politika raciste e thellësisht nacionaliste, që synon të shfarosë hebrenjtë e popujt e tjerë me çdo mjet, madje dhe nëpërmjet kërpudhave bërthamore, siç ishte ajo e Hiroshimës, me qëllime të mbrapshta hegjemonie dhe sundimi mbi botën.
Ajsbergu i degradimit konfliktual midis fëmijëve të këtij ishulli të çuditshëm tropikal, që në fillim duket sikur fshihet në thellësitë e një deti të përgjumur, sa vjen e zbulohet. Djemtë e ishullit, edhe pse shumë të hutuar, në fillim shijojnë bukuritë e tij të rralla, lojërat fantastike, peizazhin e bukur, aq sa u dukej se do të shijonin parajsën. Filluan përpjekjet për krijimin e asamblesë dhe zgjedhjen e drejtuesve, për përcaktimin e rregullave e normave ligjore, me shpresë se do të gjenin rrugën e vërtetë të shpëtimit nga vdekja. Karakteret e romanit janë sa të zakonshëm, aq dhe të çuditshëm. Të mbetur të izoluar, pa asnjë ndihmë e orientim nga më të mëdhenjtë, ata sa vjen e bëhen më ambiciozë dhe egoistë, më të egër e anarkistë. Xheku, i cili në fillim e kishte të vështirë të vriste një derr, më vonë do të bëhet frymëzues i konflikteve tragjike me shokët, deri sa në fund, në përplasje me Ralfin, humbet jetën. Bota shpirtërore e këtyre fëmijëve është shprehje metaforike e botës shpirtërore të degraduar të më të rriturve. Gjarpërinjtë dhe egërsirat e shumta që trembin e vrasin shpirtin e fëmijëve, s’janë gjë tjetër veçse thelbi i shpirtit të helmuar të njeriut të kohës. Mirazhi, si shprehje e deformimit të gjithçkaje dhe fundi i tmerrshëm i Simonit është pjellë e ligësive grabitqare të kohës. Kjo ligësi duket sikur është krijuar në këtë ishull të izoluar, por në të vërtetë është refleksion i filozofisë ekzistencialiste që rrjedh nga bodrumet e errëta të subkoshiencës frojdiste të njeriut anarkist dhe të keq.
DEPRESIONI MORAL DHE ANARKIA, BURIM I LIGËSISË SË NJERIUT
Në pjesën e tretë të romanit, autori duket sikur i ka vënë qëllim vetes të zbulojë rrënjët dhe burimin e ligësisë njerëzore. Dhe për të burimi i kësaj ligësie është anarkia dhe depresioni moral, të cilat sollën dhe fundin tragjik të Simonit. Ligji dhe rregulli është shpërfytyruar aq shumë, saqë nuk mund ta kuptosh se ku qëndron kufiri mes lojës dhe të vërtetës. Ndërsa qëllimet dhe kërkesat e fëmijëve ndaj vetes banalizohen shumë. Ata tashmë luftojnë për të siguruar një banjë, një qethje, një fshirje hundësh dhe një krem për t’u lyer. Vlerat e veçanta të këtij romani nuk qëndrojnë as tek fabula dhe as tek deduksionet ideo-filozofike, që autori kërkon të përçojë tek lexuesit, por tek aftësia për t’i bërë ata të ndiejnë, të shijojnë dhe të shohin me sytë e shpirtit dhe të mendjes gjithçka që i mrekullon dhe u jep frymëmarrje.
Dhe ajo që e bën këtë roman të lexohet me një frymë është gjuha e gjallë dhe përshkrimet rrëqethëse të natyrës e të dukurive të saj universale. Dielli, deti dhe bukuritë e rralla të ishullit të panjohur përplasen te ne, jo si refleksione emocionale, por si realitete të gjalla magjepsëse që shijohen dhe preken me dorë. Përshkrimin, si mjet të bukur artistik, autori e vë edhe në shërbim të tipizimit të karaktereve si Xheku, i cili dalëngadalë humbet emrin dhe identitetin e vet, aq sa shpesh flet me shtampa e për qëllime abstrakte. Ndërsa Ralfi është shefi i zgjedhur i asamblesë, që deri në fund mbrojti tezën se që fëmijët të shpëtonin nga vdekja, duhet të largoheshin patjetër nga ky ishull i izoluar. Por, që ata të shpëtonin sa më parë, duhet të mbanin me çdo kusht zjarrin ndezur që të rriturit t’i gjenin në këtë humnerë të izoluar, ku ata po vuajnë. Edhe Ralfi nuk mund të shpëtonte nga gabimet dhe veprimet e nxituara. Ai, sapo mbaronte së vallëzuari në ajrin e nxehtë të plazhit, shkruan autori, rikthehej si një avion gjuajtës me krahë të shtrirë, për të “mitraluar” shokun e tij grindavec, Pegin. Sulmi fatal për vrasjen e Simonit filloi si lojë dhe përfundoi në një tragjedi të vërtetë. Vetëm kur kufoma e Simonit degdiset në det të hapur, fëmijët e kuptojnë se ç’ka ndodhur në të vërtetë. Në mënyrë shumë mitike e rrëqethëse përshkruhet në këtë roman përplasja midis Simonit dhe “Perëndisë së mizave”, pas së cilës fshihet Satanai, simboli i bishës së egër metaforike që gërryen nga brenda shpirtin dhe ndërgjegjen e njeriut.
Ja si e përshkruan nobelisti Golding, këtë duel të ashpër mes Simonit dhe kokës së derrit të mbuluar nga mizat e pista, pas së cilës fshihet fytyra e djallit: “Është për të qeshur të mendosh se bisha është diçka që ju mund ta gjuani dhe ta vrisni. E keqja juaj është bisha që keni në shpirt. Djali im i mjerë e humbarak, mos vallë mendon se di më shumë se unë? Në këtë çast Simoni e pa veten brenda një goje të madhe. U rrëzua brenda saj dhe humbi vetëdijen”. (242) Përfundimisht, mund të themi se ky roman ka vlera universale jo vetëm sepse zbulon errësirën e zemrës së njeriut, por edhe sepse është një vepër e rrallë arti, që na tregon rrugën për të hyrë e dalë nga bodrumet e subkoshiencës frojdiste të njeriut. /Konica.al/ KultPlus.com