16 Mars, 2021 - 5:24 pm
Dhuna, shterpësia dhe një citim (3 vjersha) nga Bertolt Brecht
Përktheu: Arbër Zaimi
Mbi dhunën
Lumi i rrëmbyer quhet i dhunshëm
Por shtrati nën të që ia përcakton rrymën nuk
Quhet i dhunshëm prej askujt.
Stuhia që përkul drunjtë e mështeknave
Mbahet si e dhunshme
Por çka sa i përket stuhisë
Që përkul shpinat e punëtorëve që shtrojnë rrugë?
Mbi shterpësinë
Druri që nuk jep pemë
Quhet shterpë. Kush
Ia analizon dheun?
Dega që thyhet
Quhet e prishur por
A s’pati borë mbi të?
Citim
Poeti Kin tha:
Si vallë do të mund të shkruaj vepra të pavdekshme nëse nuk jam i famshëm?
Si vallë do të përgjigjem, nëse nuk më pyesin?
Pse duhet të harxhoj kohë mbi vargje nëse ato do të fshihen e do të harrohen me kohën?
I shkruaj këshillat e mia në një gjuhë të qëndrueshme
Sepse kam frikë se do të kalojë ca kohë gjersa të zbatohen.
Për të mbërritur një qëllim të madh, nevojiten ndryshime të mëdha.
Ndryshimet e vogla janë armiq të ndryshimeve të mëdha.
Unë kam armiq. Pra duhet të jem i famshëm./DefektT/ KultPlus.com