15 Mars, 2021 - 7:50 pm
Dan M. Tuzi
Unë s’kam asgja të re me thanë që s’asht thanë,
Por kam mësue me heshtë, aq sa me heshtë duhet.
E heshtja jeme asht nji lumë, i ngushtë e i gjanë
Ku me dashninë e jetën, pa mëdyshje, lirë luhet.
Në ngushti duhet barkën me e marrë për dore,
Krokodillat e jetës tande që vijnë prej t’shkuemes,
Janë të gatshëm më të shklye si në nji thertore,
E plagët që ti merr të thella, e përtej të lënduemes.
E kur asht i gjanë duhet me u ruejtë se nuk i dihet,
Se kjo heshtje të ban me vdek prej pamundësisë,
Se bregut në breg me vetveten në shpinë s’i mbrrihet,
Kur duhet me mbajtë edhe brengën e dashinsë.
E kam mësue me heshtë, me durue deri në fund,
Se kah të shkosh ti dikur do të mbërrish te ky lumë.
Se ti je nji shpirt që je nisë me mbrritë në askund,
Po heshtja e lumit t’del zhgjandërr, edhe në gjumë./ KultPlus.com