25 Prill, 2020 - 1:28 pm
Mbi 100 botime përfshirë libra, fakte historike, harta, fotografi artikuj të gazetave për Shqipërinë në periudha të ndryshme historike, vijnë online për lexuesit shqiptarë kudo në botë.
Në këto ditë të izolimit, organizata ndërkombëtare UNESCO ka hapur e bibliotekën së saj digjitale për të gjithë qytetarët anë e mbanë botës.
Në arkivin e kësaj biblioteke gjenden dokumente të shumta arkivore, fotografi, artikuj e studime mbi aspekte të ndryshme të jetës shoqërore, politike e ekonomike të Shqipërisë.
Pjesë e kësaj biblioteke është edhe vepra “Historia e Skënderbeut” nga Marin Barleti.
Biblioteka është një trashëgimi e mirëfilltë. Në fondin e saj ruhen gati 20 mijë skedarë nga artikujt historikë, të cilët e kanë origjinën nga 193 vende të ndryshme të botës. Të gjitha materiale që ofrohen për lexuesit në shtatë gjuhë të botës.
Biblioteka dixhitale është projekt i Bibliotekës së Kongresit Amerikan, i realizuar me mbështetjen e UNESCO dhe në bashkëpunim me bibliotekat, arkivat, muzetë, institucionet arsimore dhe organizata ndërkombëtare nga e gjithë bota.
Qëllimi i saj është të vendosë në dispozicion në internet, falas dhe në disa gjuhë, materiale parësore të rëndësishme nga të gjitha vendet dhe kulturat e botës.
Materialet e gjendura në fondin e kësaj biblioteke kanë si qëllim promovimin ndërkombëtar dhe ndërkulturor si dhe zgjerimin e aksesit të informacionit mbi materialet për kulturat e vendeve të ndryshme të botës.
Kjo bibliotekë virtuale është krijuar në vitin 2010. /atsh/ KultPlus.com