29 Qershor, 2018 - 10:13 am
Me edicionin e dytë të “URACult Literae”, shoqata URACult nga Köln-i vazhdon aktivitetin e saj në promovimin e kulturës ballkanike në Gjermani.
Në mbrëmjen letrare që mbahet të shtunën, URACult-i mirëpret dashamirët e letërsisë me dy autore zhanresh të ndryshme.
Autorja shqiptare Lindita Arapi e cila aktualisht punon si përkthyese dhe gazetare e Deutsche Welle-s, do të lexoj nga veprat e saj të cilat janë përkthyer në gjuhë të ndryshme.
Ndër veprat e saj më të njohura është romani “Vajzat me çelës në qafë”, (2010) i cili është përkthyer edhe në gjuhën gjermane “Schlüsselmädchen” (Dittrich Verlag, 2013).
Anita Rafuna është po ashtu autore librash e cila qysh në moshë 16 vjeçare ka shkruar romanin “Vrapuesja” i cili u botua në vitin 2015. Në këtë mbrëmje letrare, studentja e filozofisë dhe gjermanishtes do të paraqitet me poezi slam (poetry slam), zhanër me të cilin ka pasur paraqitje të shumta në krejt Gjermaninë./ KultPlus.com